Sociale

Lediona Braho: Problemet që nuk duhen neglizhuar te fëmijët e vegjël

15:25 - 19.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Procesi i rritjes së fëmijëve është mjaft delikat, sidomos kur bëhet fjalë për disa probleme, që pikasin qysh kur ai është në muajt e para të ardhjes në jetë. Në shumë vende të botës operojnë në të tillë mënyrë: U flasin atyre që kur janë në barkun e nënës për t’i mësuar me tinguj, fjalë dhe në një farë mënyre për t’i përgatitur ata me mjedisin jashtë. Mirëpo ndonjëherë prindërit nuk i kuptojnë problemet që kanë fëmijët e vegjël sidomos në rastet kur ata nuk kanë ende aftësi shprehëse. Lediona Braho, psikologe klinike, u jep përgjigje shumë pyetjeve që mundojnë prindërit. Për “Gazeta shqiptare”, Braho na njeh me fazat e zhvillimit të fëmijëve, problemet më të zakonshme të tyre, me mënyrën se si duhet të trajtohen vonesat që hasen tek ata e një sërë këshillash që vijnë për prindërit dhe për kujdesin që duhet të tregojnë ndaj fëmijëve. Vonesa gjuhësore që jo rrallë herë i shqetëson prindërit sipas psikologes mund të ketë lidhje me shkaqe fiziologjike, si dëmtimi i trurit, sindroma gjenetike ose humbja e dëgjimit. Shkaqe të tjera janë mjedisore, për shembull, mungesa e stimulimit. Lediona bënë një analizë të fëmijëve që zero vjeç, deri kur ata fitojnë aftësi të ndryshme. Së fundmi, ajo pohon se e rëndësishme është që në planin e trajtimit të fëmijës të bëhet pjesë aktive e gjithë familja dhe mjedisi ku rritet fëmija, sepse vetëm kështu ai mund të ndihmohet plotësisht.




Cilat janë problemet më të zakonshme që vëreni te fëmijët e vegjël dhe si mund ta kuptojmë që fëmija ka një problem, kur ai nuk ka aftësi të na e shprehë me fjalë…?
Për t’iu përgjigjur pyetjes lidhur me problemet që mund të shfaqin fëmijët, le të shohim fillimisht sesi zhvillohen ata. Nga lindja deri në moshë të rritur, fëmijët kalojnë në disa faza zhvillimi, gjatë të cilave ndodhin ndryshime të shumta në zhvillimin e trurit. Këto ndryshime janë rezultat i ndërveprimit të gjeneve (trashëgimisë) me mjedisin (kushtet, ndërveprimet me të tjerët). Çdo fazë karakterizohet nga ngjarje të caktuara ose ndryshime në fushat e zhvillimit (fizik, mendor ose intelektual, gjuhësor dhe social-emocional). Për shembull, deri në moshën një vjeç e gjysmë, fëmija mëson të ecë, të vrapojë, të ushqehet, të flasë me fjalë, të imitojë veprime, etj. Të gjitha këto aftësi i fiton nëse rritet në një mjedis të shëndetshëm, me prindër që e rrisin me dashuri dhe ia plotësojnë nevojat. Më tej, mes moshës një vjeç e gjysmë dhe tre vjeç, fëmija hyn në një fazë të re eksplorimi aktiv të mjedisit. Fiton pavarësi në ushqyerje dhe jashtëqitje, zgjeron interesat e lojës, ndërvepron me moshatarët, gjuha e tij pasurohet, fillon të thotë “jo”, pasi kërkon të jetë i pavarur etj. Edhe prindërit fillojnë ta përdorin fjalën “jo” më shpesh me fëmijën, për t’i vendosur kufij dëshirave të tij. Ndërsa fëmija parashkollor (3 deri në 6 vjeç) është edhe më eksplorues dhe i pavarur, gati për të hyrë në kopsht, fillon edukimin “formal”, mëson ngjyrat, numrat, shkronjat, leximin, etj. Në përgjithësi, pritet që fëmija të ngrihet në këmbë rreth moshës njëvjeçare, të flasë me fjalë në moshën dyvjeçare, të jetë i pavarur në ushqyerje dhe në nevojat personale në moshën trevjeçare etj. Këto janë vetëm disa nga gjërat e pritshme ose normative në fëmijërinë e hershme. Prindërit dhe të rriturit e tjerë mund të gjejnë lehtësisht informacione më të detajuara në libra apo në internet. Grafikët e zhvillimit përmbajnë të gjitha aftësitë që fëmijët fitojnë në fushat e zhvillimit, hap pas hapi.

Pra, çdo fëmijë duhet të fitojë disa aftësi gjatë viteve të para dhe këto janë pak a shumë të ngjashme për të gjithë?
Po. Janë aftësi të pritura, siç pohova më lart, të cilat duhet të ndodhin në një rend të caktuar, pavarësisht se çdo fëmijë ka ritmin e tij unik të rritjes dhe zhvillimit.

Po nëse fëmija nuk i arrin në kohë këto aftësi, atëherë çfarë ndodh?
Shumica e fëmijëve zhvillohen normalisht dhe ata konsiderohen “tipikë” ose “neurotipikë” nëse arrijnë të bëjnë shumicën e gjërave të pritura për moshën e tyre. Mund të ketë vonesa me pak muaj në fitimin e ndonjë aftësie apo fitim më të hershëm të ndonjë aftësie tjetër, po rëndësi ka që këto vonesa të jenë të pranueshme dhe brenda rangjeve “normale”. Për çdo aftësi, ka një tolerancë prej pak muajsh në mësimin e saj. Mirëpo, ne shqetësohemi nëse ndodhin vonesa të rëndësishme. Nëse fëmija ka vonesa në mësimin e aftësive në disa fusha (për shembull, mund të ketë vonesë në të ecur dhe në të folur) ose nëse e ka kaluar “pragun e pritjes” (për shembull, është një vjeç dhe nuk belbëzon ende, kur pritet që belbëzimi të fillojë që në tre apo katër muaj), atëherë ne duhet të shqetësohemi dhe ta shohim më nga afër përse ndodhin këto vonesa dhe si mund ta ndihmojmë fëmijën për t’i mësuar aftësitë që duhet të ketë.

Më konkretisht, çfarë problemesh mund të shfaqin fëmijët e moshës zero deri në tre vjeç?
Ka disa lloje vështirësish që mund të shfaqin fëmijët në tre vitet e para. Këto vështirësi mund të prekin një apo disa nga fushat e zhvillimit, të përmendura më sipër. Kur fëmija ka vonesa në disa fusha zhvillimi, themi se ka një “vonesë globale zhvillimore”. Disa nga problemet më të shpeshta të fëmijëve të vegjël janë: vonesa fizike (motore), vonesa gjuhësore, vonesa intelektuale, vështirësitë emocionale, e sjelljes dhe sociale. Disa prej tyre shkaktohen nga shkaqe neurobiologjike, si për shembull, çrregullimi i spektrit autik, disa të tjera nga faktorë gjenetikë (për shembull, Sindroma Down ose spina bifida) dhe disa të tjera për shkaqe mjedisore, si për shembull, izolimi social apo sjelljet agresive. Në përgjithësi, vështirësitë e fëmijëve shkaktohen prej faktorëve të ndryshëm, që shpesh ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Për shembull, një fëmijë me vështirësi në ushqyerje mund të ketë një problem mjekësor, por edhe probleme emocionale, të lindura brenda mjedisit familjar.

Me çfarë kanë të bëjnë këto lloje vonesash apo vështirësish?
Vonesat zhvillimore te fëmijët mund të prekin: lëvizjen, shikimin, dëgjimin, të folurit, të menduarit, aspektin social dhe emocional. Ndonjëherë, vonesa ndodh në më shumë se një prej këtyre fushave, pasi ato janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Vonesa mendore lidhet me funksionimin intelektual. Fëmija me paaftësi intelektuale nuk i ka aftësitë e fëmijëve të së njëjtës moshë me të. Ai mund ta ketë të vështirë të kuptojë gjuhën, të flasë, të luajë me të tjerët, në perceptimin e botës, etj. Kjo mund të ndodhë te fëmijët që kanë përjetuar një dëmtim në tru për shkak të një infeksioni (si meningiti) ose me çrregullime kromozomike, si në rastin e Sindromës Down. Mirëpo, në shumicën e rasteve nuk mund të identifikojmë një arsye të saktë për këtë lloj vonese. Zakonisht kjo vonesë bëhet e dukshme me fillimin e shkollës dhe është shkak për vështirësitë në të nxënë. Vonesa fizike mund të prekë muskujt e mëdhenj (këmbët dhe krahët) ose muskujt e vegjël (të dorës). Foshnjat me vonesa të muskujve të mëdhenj mund ta kenë të vështirë të rrotullohen ose të zvarriten, ndërsa fëmijët më të rritur mund të kenë të vështirë të ecin apo të zbresin shkallët. Ata me vonesa motore fine mund ta kenë të vështirë të mbajnë objekte të vogla në duar, si lodrat. Disa vonesa fizike shkaktohen nga kushtet gjenetike.

Fëmijët me vonesa zhvillimore kanë edhe vështirësi sociale, emocionale dhe t?? sjelljes. Kjo për shkak të ndryshimeve në trurin e tyre, i cili e përpunon informacionin dhe reagon ndaj mjedisit në një mënyrë tjetër nga fëmijët e tjerë. Këto vonesa ndikojnë te aftësia e fëmijës për të mësuar, për të komunikuar dhe ndërvepruar me të tjerët. Për shembull, fëmijët me vonesa zhvillimore mund ta kenë të vështirë të kuptojnë shenjat e të tjerëve dhe të fillojnë një bisedë me të tjerët. Ata mund ta kenë të vështirë të qetësohen.
Po vonesa gjuhësore?
Vonesa gjuhësore mund të jetë në gjuhën e kuptuar (receptive) ose atë të folur (ekspresive). Në rastin e parë, fëmija e ka të vështirë të kuptojë fjalët ose konceptet. Rrjedhimisht, ai mund të mos dallojë ngjyrat, sendet, etj. Ndërsa në rastin e dytë, fëmija ka një fjalor më të pakët se norma. Ka fëmijë me probleme në motorikën e gojës (p.sh. dobësi në muskujt e gojës ose vështirësi për ta lëvizur gjuhën ose nofullën) dhe kjo ndërhyn te prodhimi i tingujve, që njihet si çrregullimi i prodhimit të gjuhës. Fëmijët mund të kenë vonesa gjuhësore për shkaqe fiziologjike, si dëmtimi i trurit, sindroma gjenetike ose humbja e dëgjimit. Shkaqe të tjera janë mjedisore, për shembull mungesa e stimulimit.

Si mund t’i pikasim këto vështirësi në kohë dhe çfarë mund të bëjmë në këto raste?
Ne duhet të respektojmë ritmin natyral të zhvillimit të fëmijës dhe të sigurohemi që fëmija të rritet dhe zhvillohet në një mjedis stimulues, me prindër dhe të rritur që ndërveprojnë rregullisht dhe në mënyrë të shëndetshme me të. Ka fëmijë të cilët shfaqin vonesa sepse nuk janë stimuluar mjaftueshëm dhe kur kushtet e tyre ndryshojnë, atëherë fillojnë të shfaqin shumë aftësi që ishin të fjetura. Mirëpo, ka edhe fëmijë që, pavarësisht kushteve optimale në të cilat rriten, sërish shfaqin vështirësi. Ne duhet të njohim “flamujt e kuq” ose shenjat, që janë mungesat e aftësive të caktuara nga fëmijët e një moshe të caktuar, në një apo më shumë fusha të zhvillimit. Nëse prindërit ose të rriturit e tjerë vërejnë se fëmija ka mungesa të tilla, atëherë ata duhet të bëjnë një konsultë me mjekun pediatër të fëmijës, i cili më pas mund ta referojë te një specialist tjetër. Për shembull, kur pediatri vëren vonesa në zhvillim, ai e referon fëmijën te psikopediatri ose te një psikolog fëmijësh. Përmes një interviste të detajuar me prindërit, vëzhgimit të fëmijës dhe ndërveprimit me të, ata përcaktojnë llojin e vështirësisë që paraqet fëmija dhe hartojnë një ndërhyrje specifike për fëmijën.

Si mund të trajtohen vështirësitë e fëmijëve të kësaj moshe?
Nëse fëmija diagnostikohet me një çrregullim të fëmijërisë (për shembull Autizëm, vonesë në të folur, vonesë fizike, etj.), atëherë ai duhet të trajtohet në mënyrë profesionale. Sa më herët të bëhet vlerësimi dhe diagnostikimi i fëmijës, aq më mirë do të jetë për të dhe për familjen. Pra, trajtimi duhet të nisë herët. Gjithashtu, trajtimi duhet të përfshijë gjithë familjen. Fëmija nuk është asnjëherë i shkëputur nga mjedisi në të cilin rritet dhe zhvillohet, madje, ai ndikohet shumë prej tij. Fillimisht, specialisti punon për të siguruar një bashkëpunim të mirë nga ana e prindërve. Prindërit janë agjentë të vërtetë ndryshimi. Ndodh që disa prindër nuk arrijnë të bëhen bashkëpunues, pasi e mohojnë vështirësinë e fëmijës së tyre, por kjo nuk e ndihmon aspak fëmijën. Trajtimi i fëmijës fillon kur prindi e pranon vështirësinë dhe bashkëpunon me mjekun ose terapistin. Terapia më e mirë do të përcaktohet nga lloji i vështirësisë ose vonesës. Për shembull, fëmijët me vonesë fizike kanë nevojë për terapi fizike (fizioterapi) dhe terapi zhvillimi. Ndërsa fëmijët me vonesë gjuhësore, kanë nevojë për terapi të të folurit (logopedi). Ka edhe terapi të bazuara në evidenca, si terapia e Sjelljes së Aplikuar, e njohur si ABA, e cila ndihmon fëmijët me Autizëm, Sindromë Down, çrregullime të sjelljes apo të ushqyerjes, etj. E rëndësishme është që në planin e trajtimit të fëmijës të përfshihet dhe të bëhet pjesë aktive e gjithë familja dhe mjedisi ku rritet fëmija, sepse vetëm kështu ai mund të ndihmohet plotësisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.