Show-Bizz

Rrëfehet Arbër Neziri: Si lindi dashuria për muzikën dhe pasionet e tjera të jetës sime

13:00 - 20.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Ne kemi shumë asete të veçanta dhe unike në kulturën tonë që na bëjnë të shquhemi dhe të dallohemi ndër vendet e tjera fqinje dhe kudo që marrim pjesë, zëmë një vend të veçantë falë talenteve që ne nxjerrim. Jo shumë shpesh na ndodh të ndjekim një shfaqje të dhënë me shumë mjeshtëri nga orkestra jonë dhe aq më tepër të jemi mësuar me kulturën e muzikës klasike. Ai është një nga pjesëtarët e veçantë të Orkestrës Simfonike të RTSH. Arbër Neziri, mjeshtër i veglës muzikore korno, vjen në një rrëfim për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare” për të na folur më tepër rreth magjisë së skenës, që ai përjeton si në Shqipëri apo edhe në Etymos Asamble në Itali, ku ai bën pjesë. Sa e vështirë është rruga për të arritur deri këtu si dhe shumë element të panjohur që qëndrojnë pas kuintave të jetës së një muzikanti i zbuloni në intervistën e mëposhtme.




Si nisi pasioni për muzikën?
Pasioni për muzikën lindi shumë herët, rreth moshës 5-6 vjeçare dhe e çuditshme për atë moshë dëgjoja shumë muzikë klasike. Megjithatë, vetëm në moshën 10-vjeçare hyra në Liceun Artistik.

arber 3 arber 4 arber 7 arber 9 arber 10 arber 5 arber 8
<
>

Sa i vështirë ka qenë rrugëtimi deri këtu ku keni arritur?
Rrugëtimi ka qenë goxha i vështirë, sepse duhet të bësh shumë sakrifica në një moshë të vogël për t’ju dedikuar studimit. Por, periudha më e vështirë ka qenë kur shkova për të vazhduar studimet në konservator në Itali dhe isha vetëm 15 vjeç.

Ju jeni pjesë e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. A merrni pjesë diku tjetër?
Unë jam pjesë e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar gjithashtu edhe në Itali jam pjesë e Etymos Ansamble nën drejtimin e kompozitorit italian Girolamo Deraco.

Keni pasur propozime nga vende të tjera? Kush ju ka lënë mbresa?
Kam pasur shumë bashkëpunime dhe më kanë lënë goxha mbresa vendet nordike, sepse e zhvillojnë shumë zhanrin e muzikës klasike bashkëkohore.

Kush ka qenë personi që ju ka nxitur të ndërmerrni këtë rrugë?
Nuk ka pasur një person në veçanti, që më ka nxitur të ndërmarr këtë profesion. Ka qenë diçka e natyrshme. Por mund të them që në instrumentin e kornos më ka afruar profesori im i kornos, Avni Dajko.

Përveç kornos, keni ndonjë vegël tjetër muzikore që e keni të preferuar?
Përveç kornos, më tërheq shumë dirigjimi që kam filluar ta studioj dhe të praktikohem nga pak.

Në pjesëmarrjet tuaja jashtë vendit kush ju ka lënë emocione më të veçanta?
Në pjesëmarrjet e mija jashtë shtetit mund të veçoj: Requiem-in e Verdit, në festivalin Anima Mundi në Pisa Itali me Orkestrën Rinore Shqiptare.

Si është një ditë e zakonshme e Arbrit?
Zgjohem goxha herët në mëngjes, shkoj në RTSH për të bërë studimin e mëngjesit përpara se të filloj provat me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Pas provave i dedikohem Fondacionit IDEA (fondacion kulturor italo-shqiptar), të cilën e drejtoj prej disa vitesh.

A keni ndonjë pasion tjetër veç muzikës?
Përveç muzikës kam pasion sportin si dhe sartorinë, kostumet të cilat i bëj të gjitha me porosi. Pasion të cilin e kam që prej kohës së studimeve në Firence.

Së fundmi jeni në një udhëtim në Itali. A keni menduar të zhvendoseni dhe ta zhvilloni aty pasionin tuaj?
Po këto ditë jam në Itali për disa aktivitete. Për momentin, një pjesë të vitit e kaloj në Itali për shkak të koncerteve dhe fondacionit IDEA, por në varësi të projekteve që do të kem, do të zgjedh edhe vendin se ku do ta zhvilloj profesionin tim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.