OPINION

Beteja për integrimin

07:25 - 21.02.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Opozita konstruktive e një vendi renditet ndër vlerat parësore dhe më absolute që një sistem demokratik mund të japë. Si qytetar, pres që opozita e vendit tim të më japë shpresë për ndryshim pozitiv. Por, për fat të keq, sot ajo nuk po e bën diçka të tillë. Ajo është sot në dyert e Parlamentit jo për t’i shërbyer integrimit. Ndoshta mendon se ndodhet aty edhe për këtë, por në fakt nuk po mbron asnjë kauzë të sotme përmirësimi të jetës së qytetarëve të vuajtur të këtij vendi, nëpërmjet integrimit. Dhe nuk ka nevojë të na e thotë raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein në Parlamentin Evropian që të bindemi. Beteja e saj, në formën se si po shpaloset, i bën dëm të pallogaritshëm jo vetëm integrimit, por edhe ekonomisë kombëtare. Nga përshkallëzimi i protestës së saj në rrugë, jashtë Parlamentit dhe duke mohuar veten si pjesë e tij, opozita ngre një furtunë të vërtetë dhe jo false mbi ekonominë tonë. Nis paqëndrueshmëria e mirëfilltë politike e vendit me këtë lëvizje. Prenotimet për vizita turistike në Shqipëri, që në vitin e kaluar na sollën 1.55 miliardë euro dhe që duhet të nisin në mars, do të tkurren për t’u mpakur tmerrësisht. Kush prej nesh që ka shpresuar se dy investimet madhore TAP dhe hidrocentralet mbi lumin Devoll do të mund të gjenin zëvendësues të denjë në investues strategjikë që mund të vinin tek ne, le ta harrojë. Në këtë klimë, me opozitën të vetëmërguar jashtë jetës normale politike nuk na afrohet askush me rëndësi.




Edhe sipërmarrja vendëse, megjithëse e mësuar me absurditetet dhe tensionet e kota të garës dhe rivalitetit tonë partiak dhe politik, do ta ketë shumë të vështirë. Sidomos bankat, në një moment kur ky vit 2019 dukej i mbarë për të rritur kredinë për bizneset dhe qytetarët. Nëse opozita vijon betejën në rrugë duke mohuar qenien e saj në Parlament me djegien e mandateve, brenda këtij viti shifra e kapitalit të munguar nga turizmi, investimet e huaja të munguara dhe investimet vendëse e kredia për ekonominë ngjitet në afro 1 miliard euro! Kjo humbje e stërmadhe do t’i shtohet kalendarit të trishtë të shanseve të djegura të integrimit të Shqipërisë. Në vitin 1996, 23 vjet më parë, kishim shumë gjasa të ecnim mirë me afrimin për në Bashkimin Evropian, për të fituar që atëherë pozicionin e vendit kandidat për në BE. Por ndodhi viti i mbrapshtë 1997 dhe i dogjëm shanset për integrim, duke u kthyer mbrapa të paktën dhjetë vjet. Në vitin 2011 po ecnim mirë si ekonomi, në mes të gjullurdisë së krizës botërore financiare dhe ekonomike që kishte kapluar Eurozonën dhe Brukseli na shikonte me simpati nga këndvështrimi ekonomik. Por opozita (në atë kohë socialiste) kapi bulevardin në Tiranë dhe ndërtoi një çadër me rreshta tavolinash.

Në Bruksel u ankua për njëqind e një të pabërat e qeverisjes dhe u desh darka në restorant “Krokodili” që të qetësoheshin disi gjakrat. 6 vjet më vonë ishte Partia Demokratike që hyri në çadër dhe refuzonte çdo provë të Brukselit për bisedime që të futej në zgjedhjet e qershorit 2017. U deshën tri orë magjike të natës së 17 prillit 2017 mes drejtuesve të pozitës dhe opozitës, që integrimi të mos pësonte një goditje fatale me opozitën jashtë garës zgjedhore. Sot, më pak se dy vjet më vonë, me reformën në drejtësi që dalëngadalë ka marrë formë, duke na shtuar gjasat për integrim, kanosja opozitare bëhet më e rëndë. Jo vetëm nuk mendon të garojë në zgjedhjet vendore katër muaj më vonë, por del jashtë Parlamentit, për të vijuar të përfaqësojë të 675 mijë zgjedhësit e saj… në rrugë. Sikur të bëhej një vrojtim në këto momente mes zgjedhësve të dy partive kryesore opozitare, se si e gjykojnë ata që votat që u kanë dhënë këtyre partive ato të vijojnë t’i përfaqësojnë në politikën e rrugës, si zor që shumica e tyre ta miratojnë një zgjedhje të tillë. Qytetari i thjeshtë është si natyrë krejtësisht kundër shtimit të tensionit dhe të pasigurisë, kur nuk ka arsye të mjaftueshme për të përmbysur sistemin (kryer revolucion). Zgjidhja revolucionare paraqitet si alternativë kur demokracia ka pushuar së funksionuari. Mirëpo në këtë shtetin tonë, të kapur nga oligarkët dhe ku ndikimi i elementëve me të kaluar ose dhe të tashme kriminale është i pranishëm, ende merr frymë demokracia. Ajo rri e trullosur, po të duam, herë-herë edhe e mpirë, por nuk është mbytur akoma. Dhe nuk ka shanse të mbytet, me gjithë trysninë. Prandaj lind pyetja: a ia vlen të paguajmë një faturë 1 miliard euro duke shpërdoruar shanset tona për zhvillim ekonomik dhe të hedhim me tuç në tokë gjasat për integrim? Përgjigjja është jo! Beteja për zhvillim dhe për integrimin duhet të vazhdojë në kushte normale (me gjithë defektet e mëdha të demokracisë sonë), dhe jo revolucionare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.