Nostalgji

Nostalgji/ Orinda Huta: Ora e ‘sulmit’ me partnerin tim, Fabian Bashën

16:00 - 21.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Orinda Huta: Ora e ‘sulmit’ me partnerin tim, Fabian Bashën




Nëse ka një gjë për të cilën Orinda Huta tregohet hermetike, ajo është jeta e saj private. Megjithëse ka pranuar tanimë, që historia e saj e dashurisë po ecën fjollë. Ndryshe ndodh kur flitet për marrëdhënien me partnerin e saj të ri, Fabian Bashën, tek emisioni “Next”. Informacionet për të këngëtarja nuk i kursen aspak, përkundrazi! Ajo tregon ‘pa doreza’ të gjitha ‘sulmet’ që ndodhin mes tyre, përgjatë një ore, që nga ‘lufta’ e batutave hidh e prit, e deri tek improvizmiet e momentit. Nuk ka qenë kurrë kaq e përfshirë në një emision siç po i ndodh me “Next”, aq sa nuk gjen kohë të regjistrojë klipet. Gjithsesi, ’mungesat’ në muzikë i shlyen më së miri me prezantimin në ekran. Sa për të tjerat, zbulojini në rreshtat e mëposhtëm…

Si po ecën eksperienca si moderatore tek emisioni “Next”? E shikon si një eksperiencë jetëgjatë prezantimin në ekran?
Është përgjegjësi e madhe të dalësh në ekran, në një formë ndryshe nga mënyra sesi është mësuar publiku të të shikojë. E rëndësishme është që e mirëpritën, çka më lumturon pa masë. Ndryshe nga eksperienca e parë, e cila ishte në një periudhë të shkurtër, “Next” do të më mbajë më gjatë në ekran, para publikut. Përkushtimi im për formatin është tejet i madh. Të gjithë jemi të përfshirë në realizim dhe nuk bëjmë thjesht prezantimin e inserteve. Për mendimin tim, kjo është gjetja më e bukur, pasi na imponon të merremi drejtpërdrejtë me atë çka mund të pëlqejë publiku. Interesohemi për pëlqimet e tyre dhe ne i realizojmë, për t’ia ofruar çdo ditë nga e hëna në të premte.

Këtë sezon përkrah keni një partner të ri, Fabian Bashën. Si ndihesh përkrah tij, është partner komod? Keni pasur ‘përlasje’ me njëri-tjetrin?
Fabi është fantastik dhe jam shumë e kënaqur që e kam partner në “Next”. Ne njihemi prej vitesh dhe përveç faktit që jemi kolegë në muzikë, tashmë drejtojmë një emision së bashku. Marrëdhënien me të e kam të shkëlqyer dhe besoj që kjo bën që, të jemi vetvetja në emision dhe pse jo ndoshta jemi dhe pak ndryshe. Ne nuk kujdesemi për skenarin, thjesht improvizojmë kur futemi në studio. Nuk mësojmë përmendësh, thjesht dimë rradhitjen e inserteve dhe fillojmë improvizimin sa ndizet llamba e kuqe e kamerës. Përpiqemi të sjellim një version ndryshe në prezantim, për të qenë sa më pranë publikut. E bëjmë të duket sa më thjeshtë, por asnjëherë nuk mund ta dish se çfarë do të ndodhë. As regjisorët tanë Altin Ago dhe Bledar Linza nuk e kanë idenë se çfarë do na shkrepet në kokë të bëjmë nga momenti në moment, por di që edhe ata njësoj si ne e shijojnë orën e 16: 00 të transmetimit, në “Vizion plus”.

Ju ndodh të nxeheni me të?
Me Fabin nuk nxehem kurrë. Është shumë i thjeshtë dhe nuk di të ngacmohet për keq. Ai është pozitiv në çdo gjë që bën. Nuk mund t’i marr asgjë për keq edhe nëse thotë një gjë që s’duhet, dhe e di që kjo gjë vlen dhe për Fabin karshi meje. Është e rëndësishme që raporti ynë të mbetet gjithnjë kështu, sepse padiskutim që do të shikoni gjëra të bukura gjatë gjithë vitit.

Për cfarë ziheni zakonisht?
Nuk zihemiiiiiii, të paktën ende nuk ka ndodhur….

Kush nga ju të dy është më ekzibixionisti?
Të dy japim aq sa mundemi dhe nuk presim që njëri apo tjetri të mbarojë fjalinë e tij. Ora 16:00 kur ne futemi në studio, është orë sulmi. Ai hedh batutën, unë e pres dhe anasjelltas. Kjo është mënyra që kemi zgjedhur ne. Të dy jemi protagonistë në “Next”. Mund t’ju rrëfej se Fabi është ai që përveç teknologjisë së avancuar që i prezanton publikut, një prezantim fantastik më bën dhe mua, që të lëviz nga kolltuku ku ulem gjithnjë. Kësisoj krijohen situata nga më të çuditçmet, deri tek ato gazmoret.

Kush nga dy çiftet e prezantuesit mendoni se janë më të mirët?
Ajo është vendosur me kohë… hahahahha… bëj shaka… jemi tmerrësisht ndryshe nga njëri-tjetri. Jua siguroj këtë gjë, por më vjen mirë që emisioni është pëlqyer në tërësi. E prezanton njëri çift apo tjetri, pak rëndësi ka për publikun. Ata duan emisionin dhe për të gjithë ne kjo është më e rëndësishmja.

A shani njëri-tjetrin pas krahëve, si çifte ‘rivale’ që jeni?
Nuk besoj se ndodh kjo. Para së gjithash, ne jemi të katërt miq, përpiqemi të jemi krahu i tjetrit, dhe askush nuk i futet në pjesë tjetrit. Çdo njëri prej nesh, i di limitet e veta dhe respektojmë punën e shoqi-shoqit.

Si ju ashtu edhe Fabi, më së pari jeni këngëtar, që po provoni veten në prezantim. Çfarë po ndodh me projektet tuaja muzikore Orinda apo keni vendosur për një pauzë?
Nuk kam qenë kurrë kaq e përfshirë në një emision siç po më ndodh me “Next” dhe tashmë që e kam marrë përsipër këtë përgjegjësi, nuk do ta lë, sepse më duhet të bëj këngë. E vërteta është që këngët i kam përfunduar, pasi nuk më marrin shumë kohë, por ajo që pengon daljen e tyre është klipi. Nuk po e gjej kohën për t’i realizuar. Jam mësuar me xhirime minimumi 4 ditore, çka nuk e kam në dorë. Nuk dua të bëj diçka kur nuk jam e bindur që do të dalë mirë. Gjthsesi, e dua muzikën shumë dhe ndjehem e plotësuar kur punoj, por për momentin nuk mundem. Tani po përkushtohem tërësisht tek “Next”.

Ky shkrim u botua më 13 Nëntor 2010

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.