OPINION

Donika Prela, një arsye më shumë pse duhen djegur mandatet

07:45 - 22.02.19 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kulmin e debateve për djegien e mandateve të opozitës, një ngjarje në dukje krejt periferike, kaloi pa vëmendjen e duhur të publikut. Prokurorja e komanduar e Krimeve të Rënda, Donika Prela, pasi ka kaluar sitën e bërë shoshë të vetingut, e renditi emrin e saj mes kandidatëve të SPAK-ut, pra prokurorisë speciale që do të bëjë “namin” me shpënien prapa hekurave të politikanëve të lartë.




Po pse, ky detaj, qenkësh kaq i rëndësishëm në sfondin e këtyre përplasjeve të mëdha? Çfarë lidhje kanë mandatet e opozitës me emrin e përveçëm të një prokuroreje?
Përgjigjja është e thjeshtë. Ky emër dhe ky kazus është simboli më tipik i krimit më të madh që po ndodh në Shqipëri. Ai përmbledh, njëkohësisht, kapjen totale të shtetit nga Rilindja, përpjekjen për të fshehur (por njëkohësisht edhe për të ruajtur) lidhjet e ardhshme me krimin dhe mbi të gjitha, ai gropos njëherë e mirë ëndrrën iluzore të shqiptarëve që pasi kanë humbur besimin te kjo klasë politike, shpresojnë se pas vetingut të dirigjuar nga ndërkombëtarët, të gjithë do të shohim një ditë të bardhë.
Le t’i marrim ngjarjet me radhë dhe të përpiqemi të shpjegojmë në mënyrë sa më thjeshtëzuar atë që ka ndodhur.

Fryti i parë i drejtësisë së re ishte vënia e një kryeprokuroreje të parashutuar nga hiçi, merita e së cilës ishte se kishte punuar nën Hulsi Manjën. Arta Marku u zgjodh në mënyrë antikushtetuese vetëm me 69 vota të socialistëve. Të gjithë atyre që thërritën skandal, si nga opozita, si nga kritikët e reformës, iu ofrua pilula qetësuese. Ajo do të qëndrojë vetëm dy – tre muaj, ajo nuk do të ketë kompetencë t’u heqë vartësve të saj nga duart dosjet sensitive, si ajo e Saimir Tahirit dhe mbi të gjitha, ajo nuk do të ketë mundësi të bëjë lëvizje brenda prokurorisë.

Sot, një vit e gjysmë më pas, të gjitha këto kanë rezultuar gënjeshtra. Por në këtë histori ne na intereson vetëm kriteri i fundit. Arta e partisë e shkeli edhe atë. Një nga veprimet e saj të para ishte komandimi në krye të prokurorisë i një mikeshës së saj, pikërisht Donika Prelës, te Rrimet e Rënda. Dikush mund të mbrohet duke thënë se ishte rastësi, por rastësia zgjodhi pikërisht të gradojë në detyrë, ish-drejtuesen e Prokurorisë të Durrësit, që i ishin vjedhur dy herë me radhë dosjet sensitive dhe ku ishte kryer mëkati i bashkëpunimit të Vangjush Dakos me Avdylajt në blerjen e zgjedhjeve.
Përsëri ndoshta është përkim fatkeq, por pjesa politike e asaj që tani njihet si dosja ‘339’, bashkë me përgjimet që kishte brenda, u arkivua po nga Prela, për t’u hetuar nuk dihet se kur.

Edhe deri këtu dikush mund të thotë që ishte e kuptueshme. Në lojë ishin prokurorët e kohës së vjetër, që nuk kishin kaluar në filtrat euroatlantikë të vetingut, që u thurën me aq mundim nga Lu dhe Vlahutin. Kur ato të funksiononin gjithçka do të ishte rozë.
Por, kontrolli për prokurorët filloi dhe Arta Marku, megjithëse u fshikullua ashpër për emërimet dhe lëvizjet e saj aspak transparente, doli e pastër prej tij.
Radha i erdhi edhe njërës prej këtyre të lëvizurave, Donika Prelës. Këtu historia nga tragjike, fillon dhe bëhet komike. Pikërisht ajo, shefja e Krimeve të Rënda, nuk justifikon dot pasurinë, del se dy apartamente dhe një tokë në Petrelë i ka blerë (nuk dihet kujt njeriu të ndershëm i lindi në zemër) nën çmimet e tregut, se bashkëshorti i saj ka fshehur pagën e për rrjedhojë, edhe taksat.

Përfaqësuesi i OMN-së, belgu Teo Jacobs i shikon me sytë e tij këto gjëma që kanë djegur dhjetëra të singjashëm më parë. Ai vë alarmin publikisht se ka mbetur me një shije të hidhur në gojë dhe se ky lloj modeli nuk bën pjesë në kodin e tij.

Por, asgjë më shumë. Shfaqja teatrale e vetingut shtyhet edhe me një seancë plus, derisa trupa e përbërë prej Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari e shpallin Donika Prelën po aq të virgjër sa ç’e ka bërë nëna. Belgut të shushatur Jacobs, i cili në sytë e shqiptarëve simbolizon garantin ndërkombëtar që nuk do lejojë që reforma në drejtësi të shndërrohet në batërdi, nuk i mbetet veçse t’i shtrëngojë dorën para kamerave Prelës.

Pa kaluar as dy javë nga ky episod, ajo njofton se do të konkurrojë për pjesëtare të SPAK, zyrës speciale që do kryqëzojë politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar.
Kjo është kronologjia e fakteve nga e cila nuk është e vështirë të arrihet në përfundime.

Ajo, me anë të çiftit Arta Marku, Donika Prela tregon se pse u zgjodh një vit e gjysmë më parë mes tymit, flakëve dhe çizmeve, Prokurorja e Përgjithshme e njëanshme.
Ajo tregon se, ndryshe nga sa thuhet, kush ka më shumë frikë nga krimet që ka kryer dhe po mundohet të kapë drejtësinë për t’i varrosur ato.
Ajo tregon se si po përdhoset vetingu dhe se si po trajtohen si lolo oborri, përfaqësuesit e OMN-së, që nuk duhet të toleronin degjenerimin e tij.
Ajo tregon se ç’plane po thuren për nesër, kur njerëzit që kanë dhënë garanci në skutat më të errëta të lidhjeve të politikës me krimin, po katapultohen përmes SPAK-ut në drejtësinë e së ardhmes.

Në këtë kuptim, sado i trishtë që të duket, përkimi i kandidimit të Donika Prelës në të njëjtën kohë me momentin e djegies së mandateve është një rast për reflektim. Një shembull simbol se kush i thotë vërtet vetes kundërshtar i kësaj skote mafioze, nuk mund të qëndrojë më në atë Kuvend. Një argument shterues se pse opozita duket qesharake në atë sallë, ku Arta Marku u zgjodh në mënyrë antikushtetuese dhe ku reforma e votuar me 140 vota po përdoret si mburojë për krimin.
Ky akt radikal është një rrugëdalje shpëtimi edhe për ata diplomatë lokalë, që sot po e anatemojnë me forcë atë. Sepse kjo është shpresa e fundit për të ndaluar vdekjen që pa lindur të një reforme, për të cilën ata u investuan aq shumë. Pak më vonë do të jetë vërtet vonë. Dhe ata vetë do t’i përqeshin në Tiranë, po njësoj si Kadafi, Asadi, apo Ben Aliu bënë me perëndimorët që i mbështetën dikur me shpresën se do t’i bënin më të mirë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Zoti gazetar! Mund te jete e vertete ndonje nga ato qe me gjysem te verteta i hedh si te vertetat e tua. Me shume se te tilla jane sofizma. Po e fillij nga titulli.
    Padrejtesi ne bote ka patur e do te kete. prokurore dhe gjykates po ashtu, por ne asnje vend te botes demokratike nuk perbejne keto shkak per ‘djegjen’ e mandateve ‘on block’ nga opozita. Te mbeshtetesh kete eshte njelloj si ta ndihesh opoziten te shpetoje si i mbyturi nga fija e kashtes.kete gafe politike dhe krahas saj alibite perverse, jo vetem qe nuk ndihmojne por siç u pa keto dite, gjithe shtetet demokratike me te medha te Europes si dhe ShBA jane kategorikisht kundra ketij veprimi. A nuk u ben pershtypse se deri dje çfare gjykates kushtetues, te larte, te apeleve etj u fshine nga vettingu. A ngjallte kjo drejtesi besim?
    E rendesishme ka qene dhe eshte se prokuroria qe kishim (kemi ende) dhe gjykatat shqiptare nuk kane guxuar as t’i therresin kurre politikanet dhe shtetaret e larte per te deshmuar per çeshtje madhore si krime dhe abuzime te hatashme me pushtetin, edhe kur jane kapur me presh ne dore afera te nxehta si Gerdeci, 21 janari, Rruga e Kombit, afera me municionet (rasti Trebicka), rasti Remzi Hoxha, Meta me bllok ne dore etj. perkundrazi keto organe jane shantazhuar aq paturpesiht nga keta sa u be per te vene ulërimen. Deri aty sa dhe presiidentin dhe kryeprokuroren e tyre i quajten horr dhe lavire bulevardi. e pashembullt apo jo?!
    Dhe kete nderkombetaret e kuptuan, edhe pse vone, se kjo skote te degjeneruarish dhe te korruptuarish deri ne ind,nuk mund te largohen me asnje menyre veçse me nje sistem tjeter drejtesie. Tashme dihet sesi 140 deputetucët tane trima dhe te ndershem shkuan me shkop, si cjapi tek kasapi, dhe votuan unanimisht ndryshimet kushtetuese qe e mundesojne ate reforme.
    Po atehere pse jane politikanet e larte Berisha, Meta, e co. kaq te shqetesuar? Kjo drejtesi nuk ka asnje shans te jete me vegel ne dore te tyre, pavaresisht insinuatave, se po kapen nga Rama. Do ta shikojme se sa do te vertetohet ne praktike..
    Po pse u zgjodh, ashtu si u zgjodh, Arta Marku prokurore e perkohshme? Po kush duhet te qendronte ende aty, ai qe iku e qe doli se ishte nje vemje e peshtire ne duart e atyre? Duhej hequr me pare, por kushtetuta nuk e mundesonte. Erdhi dita dhe u hoq. Kjo i revoltoi pa mase. Megjithate, mesa mbaj mend, opozites iu ofrua mundesia te bashkepunonte te zgjidhej nje prokuror konsensual. Pse nuk e bene? Ç’duhej bere atehere, a nuk duhej zgjedhur ai/ajo ne kushtet kur po keta s’lane gure pa levizur per ta penguar deri dhe çizmet qe fluturuan ne Kuvend nga zonja M.Kryemadhi, qe me shume se te tjeret ndjehet e kercenuar per pasurine e saj?
    Pse me keta te rinjte te vettuar dhe atyre qe do te vettohen me sukses, kane garanci me shume. Sepse perveçse nuk jane te korruptuar deri ne padurueshmeri si vegla te peshtira te politikes te pararendesve, por jane dhe me te mbrojtur, me te mire trajtuar ne disa aspekte dhe me e rendesishmja se jane te monitoruar nga Uashingtoni dhe Brukseli (te derguarit e tyre). Do jene keta qe nepermjet SPAK, BKH do te hartojne dosjet dhe do te ngrene akuzat respektive, si dhe do te therresin te deshmojne si çeçot, prane ketyre autoriteteve, gje qe deri me sot nuk e kane bere. Nje makth tjeter ky per ta. Nese nga keto organe do te vertetohen me fakte dhe dokumente veprimtaria e tyre ne shkelje te ligjit, atehere i takon gjykates Speciale po ashtu te re, qe do gjykoje fajesine apo pafajesine. Nese jane OK, ç’kane/ç’keni atehere, qe shqetesoheni?
    Andi ti dhe shoket e tu e dini mire se gjerat nuk qendrojne ashtu si ju i shkruani, pavaresisht se interesi (nuk di se cili) ua do keshtu. Por mos kujtoni se populli i ha ato. Do ta shikoni se gjerat do te shkojne ndryshe. Jo perfekt, por ama, kurre si me pare. Mbi te gjitha kjo reforme futi friken dhe kjo, krahas politikes, eshte dhe ne vete rradhet e saj. Dhe siç thote populli “Frika ruan vreshtat”. na duhet shume vreshti sepse siç ka thene irlandezi Edmund Bruke, babai i konservatorizmit para mbi 200 vjeteve: “Drejtesia eshte fytyra e dyte e Lirise”, ku kjo e dyta, ne fund te fundit, mbetet ne themel te demokracise.

    Përgjigju ↓