Nostalgji

Nostalgji/ Big Basta: Ja me kë i ndava milionat e dollarëve!

16:00 - 22.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Big Basta: Ja me kë i ndava milionat e dollarëve!




Pasi u ka dhënë ‘hakun’ të gjithë atyre që ‘e shkelën në kallo’, Big Basta nuk ka më kohë për të humbur. Pas një vere me klipe të njëpasnjëshëm, emri i tij të shfaqet sërish në një tjetër bashkëpunim, qoftë si tekstshkrues apo si producent. Për momentin po shijon frytet e këngës më të fundit, një krijim kushtuar futbollit, që siç shprehet edhe vetë rrepisti; “është ‘çëshje’ që na bashkon të gjithëve”, aq më tepër kur me futbollistat e lidh një miqësi, përtej fushës së gjelbër. Në intervistën e mëposhtme Gerald Xhari tregon edhe për lëvizjen “Hip-hop lives”, evuolimin e këtij zhanri ndër vite, nga fillesat deri më tani. Më tej për herë të parë, Big Basta rrëfen detaje edhe për “milionat e dollarëve”…

Pas albumit “N’laborator” menduam se do të bënit një pauzë, por ka ndodhur e kundërta. Klipe njëri pas tjetrit, tekste, krijime që mbajnë vulën tuaj. Keni fituar besimin e emrave në zë, por sigurisht edhe një dorë të mirë lekësh. Ndjeheni i realizuar tanimë që keni famën dhe mundësitë financiare?

Albumi “N’Laborator” ishte një paralajmërim për një rikthim timin të fuqishëm në skenë. Më vjen mirë që emrat më në zë të muzikës më kanë zgjedhur mua si bashkëpuntor, si me tekste, këngë, qoftë edhe me produksione. Më duhet të shtoj se ka qenë fryt i punës pa pushim, që kam bërë. Ndihem i plotësuar me këto.

Së fundmi keni realizuar një këngë “himn” për ekipin kombëtar, me titull “Për futbollin”. Si është pritur kënga?

Kënga është pritur shumë mirë nga fansat, por jo vetëm, pasi flitet për një “çështje” që na bashkon të gjithëve, siç është kombëtarja e futbollit.

Pranuat se u joshët nga kontrata apo kur ju propozuan menduat se kënga mund t’ju siguronte fansa të rinj, kësaj here nga bota e futbollit?
Për mua ishte nder. Gjithmonë më ka joshur futbolli, dhe të isha pjesë e një projekti të tillë, ishte më tepër se ëndërr.

Ju vetë jeni tifoz apo me raste shihni ndonjë ndeshje?
Normalisht që jam tifoz i Kombëtares. Jam shqiptar kuq e zi. Për më tepër kam edhe mjaft miq të mirë që luajnë në kombëtare, prandaj kjo lidhje është edhe më e ngushtë.

Në intervistën e fundit u shprehët “Bohuni gati”, një sigël promovuese për “Hip Hop Lives”, me pjesëmarrës si Stine, B2N, Stresi etj. A vijon ende kjo lëvizje apo ka pasur ‘tradhtira’ të mundshme?
Kjo lëvizje funksionon më së miri, sepse ështe mjaft e rëndësishme dhe e vështirë ajo që kemi arritur deri më sot. Është një logo, e cila na ka shërbyer për të sensibilizuar fansat dhe të gjithë grupmoshat. Sa i takon rreperve, ju siguroj që janë shtuar, nuk ka pasur tradhti.

“Welcome to Al” është një tjetër klip i realizuar. Përse ‘u shqetësuat’ të mirëprisni me një këngë?
Ky ishte sezoni më i bukur veror. Kënga “Welcome to AL” është më tepër sesa mirëseardhje. Në të njëjtën kohë, ajo sjell një histori të këndshme, ku gjithkush mund të gjejë veten.

Nuk është hera e parë që eksperimentoni me këngëtare në klipe, por duhet pranuar se imazhi i Jonida Maliqit ishte një gjetje. A është kjo një strategji për të qenë në të njëjtin nivel me rivalët?
Me Jonidën kemi miqësi dhe e vlerësoj faktin që ajo pranoi të dilte si backup artist në videoklip. Të dy donim t’i uronim mirëseardhjen shqiptarëve dhe turistëve. Nuk mund ta quaj strategji, por vullnet i mirë për të përkrahur brezin që po vjen.

Bastard, keni hapur jo pak debate me njerëzit që deri dje bashkëpunonit, i referohem klipit ‘Historia ime’. Po cila është historia e hip-hopit në Shqipëri, sipas jush?
Ajo kënge nuk besoj se ka lënë vend për debat, pasi çdokush mori atë që meritonte. Ndërkohë, historia e hip-hopit shqiptar i ka rrënjët gjatë viteve 94′-97′, por pa ndonjë identitet të caktuar. Megjithatë, me kalimin e viteve, gjërat filluan të ndryshojnë për mirë, pasi rrepistat filluan të ishin më të vërtetë nëpër tekste dhe nuk i këndonin vetem femrave (hip-hopi romantik). Kohët e fundit, hip-hopi shqiptar ka arritur të depërtojë në tregun kosovar ashtu edhe në diasporë, çka tregon se, më në fund, gjenerata e ‘Albanian New School Hip Hop’ ka investuar seriozisht si në imazh ashtu edhe në muzikë. Tanimë po krijohet një identitet, që duhet mbrojtur me çdo kusht nga pengesat e pavënd të tregut muzikor shqiptar. Jam i sigurt se të gjithë ne, repistat duam të tregojmë anët tona pozitive dhe të pranohemi me po aq ngrohtësi nga ambienti muzikor, duke vijuar me promovimin e kësaj kulture medoemos.

Jeni shprehur se femrat kanë qenë të shumta ne jetën tuaj, por a mendoni se ka ardhur dita të tregoni njëherë e mirë se kush është vajza pas së cilës lini kokën? (të paktën ajo e fundit)

Charlize Theron….
Ndonjë surprizë që e keni gati për ta promovuar? Cili do të jetë bashkëpunimi i radhës?
Përveç mixtapeve të shumta që do të shoqërohen edhe me video vetëm për format interneti, po bashkëpunoj me Samanta Karavellon dhe Lyrical Son. Gjithashtu, sapo kam realizuar klipin “Million Dollars” në bashkëpunim me Stresin.

Ky shkrim u botua më 13 Nëntor 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.