Kryesore

Rexhep Qosja: Katër delegacionet e Kosovës në bisedimet me Serbinë, një komedi!

16:00 - 22.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

1.Ka një krizë dhe ka shumë paqartësi në bisedimet e filluara tash e sa vjet ndërmjet dy shteteve të cilat para nëntëmbëdhjetë vjetësh ishin në luftë: ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Në mendjet e përfaqësuesve të këtyre dy shteteve, historia e të cilave është e ngarkuar me shumë drama, tragjedi dhe dhembje të shumëllojshme të mesvetshme, e sidomos me pushtimin serb të Kosovës, me kolonizimin serb të Kosovës, me planet për shpërnguljen e detyrueshme të shqiptarëve në Turqi, me dhunën dhe terrorin e Sigurimit të Brendshëm Shtetëror (UDB-së) mes viteve 1950-1965, me dhunën e terrorin e regjimit të Millosheviçit pas demonstratave të vitit 1981 dhe, mandej, me zhvendosjen e dhunshme të rreth një milion shqiptarëve në vitet 1998-1999, duhet të zotërojë vetëdija për gjendjen e pandryshueshme gjeografike mes tyre: Kosova dhe Serbia janë fqinje dhe do të jenë përgjithmonë shtete fqinje.




Në vetëdijen për këtë gjendje duhet të ndikojnë shumë të dhëna, e njëra prej të cilave është: Serbia kurrë nuk do të mund ta çojë Kosovën të themi, në Indonezi, kurse Kosova kurrë nuk do të mund ta çojë Serbinë, të themi, në Australi.
Fqinjësia është, pra, fati apo fatkeqësia e tyre e përbashkët.

Ky fat apo kjo fatkeqësi duhet të na e mbushë mendjen të gjithëve -shqiptarëve dhe serbëve se duhet të bëhet krejt ç’mund të bëhet, krejt ç’mund të bëhet pa u cenuar interesat shoqërore, kulturore, kombëtare, të përgjithshme, që fqinjësia të bëhet jo fatkeqësi po, në mos jo fat, së paku një gjendje e durueshme, toleruese, ndërsjellshme, e qytetërueshme me kohë, dikur, bashkëpunuese.
Dhe, rrjedhimisht, vetëdija për sa u theksua duhet t’ua mbushë mendjen atyre që marrin pjesë në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit se është mirë të bëjnë çmos që të arrihet marrëveshje me të cilën do të normalizohen marrëdhëniet mes tyre, që të arrihet, më në fund, marrëveshje historike, që do ta përfundojë historinë aq shpesh tragjike mes shqiptarëve e serbëve.
Vetëm ngrirja e marrëdhënieve mes tyre, vetëm ngrirja e marrëdhënieve të sotme mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është në dobinë as të Kosovës e as të Serbisë, në mënyrë të veçantë as të Kosovës.

2.
Pjesëmarrja e Prishtinës në bisedimet me Beogradin prej fillimeve nuk ishte pjesëmarrje përkatëse! Pjesëmarrja e Prishtinës në këto bisedime prej fillimeve në të vërtetë ishte pjesëmarrje diletante dhe ishte e tillë, diletante, sepse ishte e privuar prej vetëdijes për përgatitje politike, diplomatike, shtetërore, të përtashme dhe historike. Dëshmi për këtë nuk është vetëm pajtimi për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, të cilën me të shpejtë, me shumicën e paragrafëve të saj, do ta rrëzojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Dëshmitë për këtë janë më të shumta dhe ato janë thënë prej disa juristëve, disa historianëve, disa analistëve, por edhe prej disa prijësve partiakë opozitarë. Dhe kjo nuk është dëshmia e vetme. Edhe trajtimi i çështjes së përcaktimit të kufijve ndërfqinjësorë përfushi, fatkeqësisht, shumë dobësi të përfaqësuesve tonë në bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm mosnjohje, papërgatitje, diletantizëm e çka jo tjetër, që si të tilla pashmangshëm se do të sillnin dështim e humbje për ne, siç edhe sollën.
Sa e si po tregohet e përgatitur sot Kosova për këto bisedime me Serbinë, që pashmangshëm do të fillojnë, pa shumë vonesë?
Në disa pikëpamje po tregohet më mirë e në disa pikëpamje po tregohet dobët si deri sot!
Në bisedimet me Beogradin, Prishtina, që deri para disa muajsh nuk kishte fare delegacion të pranuar prej Kuvendit të saj, tani do të marrë pjesë me delegacionin e krijuar prej Kuvendit të Kosovës, që e udhëheqin dy kryetarë!
Por, në këto bisedime Prishtina nuk do të marrë pjesë vetëm me këtë delegacion.
Jo.
Në këto bisedime Prishtina do të marrë pjesë edhe me një delegacion njëanëtarësh, të cilin e kryeson kryetari i Kosovës.
Në bisedimet e ardhshme me Beogradin, Prishtina do të marrë pjesë, pra, me dy delegacione dhe me tre kryetarë, të këtyre dy delegacioneve!
Delegacionin e ligjshëm, të krijuar prej Kuvendit të Kosovës, e udhëheqin: kryetari i Lëvizja Nisma, Fatmir Limaj, dhe kryetari i Partisë Social-demokrate, Shpend Ahmeti, kjo domethënë se delegacionin e Kosovës në ato bisedime e udhëheqin përfaqësuesi i partive që përbëjnë Pozitën, në njërën anë, dhe përfaqësuesi i partive që përbejnë Opozitën, në të vërtetë që përbëjnë vetëm pakicën e Opozitës, në anën tjetër!
Delegacionin e pazgjedhur në Kuvend, të përbërë prej një anëtari e udhëheq kryetari i Kosovës, që është njëkohësisht anëtar dhe kryetar i këtij delegacioni!
Domethënë: Kosova shtet merr pjesë në bisedimet me Beogradin me dy delegacione, të udhëhequra prej tre kryetarëve, e kjo domethënë me tri delegacione të udhëhequra prej tre kryetarëve të tyre!!! A është parë kund në botë një këso komedie?!
Le të thuhet se një “delegacion” pothuaj të veçantë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit e përfaqëson edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaratat e të cilit për Kosovën në bisedime dhe për Kosovën pas bisedimeve janë më mospajtuese, më të forta, më jehuese, në Uashington dhe në Bruksel sesa deklaratat e dy kryetarëve, në të vërtetë të tre kryetarëve të tjerë të delegacioneve: sesa deklaratat e kryetarit të Kosovës, sesa deklaratat e Fatmir Limajt dhe sesa deklaratat e Shpend Ahmetit.
3.
Çka mund të presë Prishtina, çka mund të presë Kosova prej përbërjes së tillë të Delegacionit, në të vërtetë të katër delegacioneve të saj? Çka mund të presin Kosova dhe shqiptarët nga ky absurd e nga ky joseriozitet e nga kjo papjekuri shtetërore? E nga kjo komedi?
Ndoshta sigurisht më pak të mira e më shumë të këqija.
Në këtë Botë, në këtë planet që i thonë Tokë, delegacioni shtetëror, politik dhe diplomatik, pavarësisht sa mund të jenë shtetet e mëdha a të vogla, zakonisht udhëhiqet prej një kryetari. Kështu, prej një kryetari janë udhëhequr dhe udhëhiqen delegacionet shtetërore, politike e diplomatike të SHBA-së, të BE-së, të Rusisë, të Kinës, të Indisë, të Turqisë, të Brazilit, të San Marinos, të Zelandës së Re, të Xhibutit. E të tjera.
A mendojnë kryetarët e këtyre delegacioneve të Kosovës, a mendojnë delegatët e Kuvendit të Kosovës, a mendojnë ministrat e shumtë dhe zëvendësministrat edhe më të shumtë të Qeverisë së Kosovës çka e si mendohet për ta, për përfaqësuesit tonë në Bashkimin Evropian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo tjetër në Botë? Çka mendohet në të vërtetë për institucionet e Kosovës, për Kosovën dhe për shqiptarët?
Po të mendonin nuk do të lejonin që Kosova ta luajë këtë lojë tragjikomike tre-katër ekipore politike, diplomatike, shtetërore, kombëtare në Teatrin e Madh Politik Evropian sot!
Po të mendonin si duhet, çka duhet e sa duhet, nuk do të lejonin që Kosova të punojë kështu siç po punon me katër ekipe delegatësh e kryetarësh me katër-pesë qëndrime kundër vetes!
Të parët, kryetarët e këtyre delegacioneve tona në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, sidomos kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Kosovës, që japin deklarata aq mospajtuese për kushtet në sajë të cilave do të arrihet marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë, në të vërtetë mes shqiptarëve dhe serbëve, tregojnë, si u pa, pajtim në prapaskena, në ndeja e gosti të ndryshme netëve të gjata të dimrit.
Por, populli e ka një fjalë të urtë për ata që zihen mes vete Ditën e pajtohen (bashkëpunojnë) Natën, që unë s’po e them këtu se e dinë të gjithë.
Kosova duhet të ketë Vetëm një Delegacion dhe Vetëm një Kryetar të këtij delegacioni dhe ky Delegacion me një Kryetar duhet të ketë një Qëndrim për marrëveshjen me delegacionin e Serbisë. Vetëm kështu, me një Delegacion që ka vetëm një Kryetar, që ka vetëm një platformë dhe vetëm një qëndrim të përbashkët, Kosova mund ta përfaqësojë dinjitetshëm Kosovën dhe mund t’i kontribuojë ndryshimit të përfytyrimit të sotëm për të dhe përmirësimit të prestigjit të saj në Botë, sot mjerisht shumë të keqësuar.
Vetëkuptohet se përgjegjshmëria politike i privon nga mundësia për të qenë kryetar apo, madje, anëtar i Delegacionit të tanishëm ata që i kanë vendosur: për marrëveshjen mbi krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, të cilën e shpalli të pavlefshme Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për Marrëveshjen mbi demarkacionin me Malin e Zi me të cilën Kosovës i tjetërsohen dis amija hektarë tokë, dhe për pranimin, shpranimin dhe prapë pranimin e Gjykatës Speciale në të cilën dënohen pjesëtarë të UÇK-së!
*Titujt janë të redaksisë. Titulli origjinal “Delegacionet tona në bisedimet Prishtinë-Beograd”.


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …Pa mëdyshje se, ak.Çosja kurdohera i ka gjykuar gjërat me dioptrinë e këndvështrimit jo vetëm kritik, por gjithënjë edhe i ka lidh me të vërtetën që e sheh ai në pjellshmërinë e pasojës-shkak. Kësaj natyre, i referohet me vend largparësisë së tijë se 2-3 delegacionet e Kosovës (shih atë të Kuvendit, siqë vëren vëneruesi akademik Çosja, me dy „kryetar-kryesues“, alias: njëri i pozitës(Limaj)e tjetri i „opozitës jolegjitime“, më sakët i dal si i „pjellë“ nga dikur baza opozitare LVv, kuptojm me ish legjimitet(jur.ish anëtar i PP LVv) tani nuk dihet(jur.) çfarë baze përfaqëson( Ahmeti) dhe i „treti“ përfaqësues(lat.:„delegation“) „suprem“, kryetari i Kosovës (Thaçi) ky i fundit i vetmi(jur.) si përfaqësues legjitim, por jo i plotë, përderisa nuk shoqërohet(juridikisht) edhe nga i pari i ekzekutivit(Haradinaj). Këso rendi, në çdo marëveshtje, Pakt, a Traktat dypalësh(bilateral) ose shumëpalësh(multilateral) patjetër, që të ket validitet kombëtar e ndërkombëtar, pra, në praktikën e traktateve pjesëmarëse preleminare dhe përfundimtare të ceremonisë së nënshkrimit të të njejtave, gjithënjë, në parim, marin pjesë nga secila palë nënshkruese të asajë marëveshtjeje a traktati: kryetari shtetit, ose edhe i bashkangjitet kryeministri,sipas nevojës praktike edhe ministri i PJ, por assesi ndonjë delegacion i emëruar ad hoc nga Kuvendi, pos në cilësinë e ndonjë grupi punues për çështje të caktuar, t.z. delegacioni si grup punues profesional për çështje sociale, kufitare,(demarkim vijash kufitare), zbulim-gjetjen e varrimit të të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë kohës së luftës, etj. etj. çështje që shtrohen dhe dalin si detyra zgjidhëse pas arritjes(dakordimit) të çfardo marëveshtjeje përfundimtare(aktualisht: siqë po flitet, mbi një marëveshtje futuruese gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë). Dmth. tek, pas arritjes së „Marëveshtjes Gjithëpërfshirëse përfundimtare“, ku marrin pjesë, pra së paku 2 ose 3 përfaqësues kryesor: Kryetari shtetit, i qeverisë dhe (ndoshta, sipas nevojës edhe ministri i PJ) mundet që detyrat dhe obligimet që prodhon Marëveshtja të i ngarkohen ndonjë delegacioni apo komisioni të emëruar dhe caktuar nga Kuvendi për t‘i përmbushur detyrat dhe obligimet në tërësi nga ajo Marëveshtje. Por, edhe këtu, rrallkund në botë mund të haset (veç këtu në Kosovë: „ala-kosovarçe“, delegacion të këtij tipi sui generis,me dy kryetar(atëllar) apo dy kryesues?!
    Sepse, e lexuar ndryshe, kjo jep të kuptosh, apriori se:“ po rrodhi pasoja-nga shkaku, keq“, përgjegjësia më nuk çmohet si individuale, por kolektive, sepse janë „dy“ e nuk është „një“ i vetëm! Praktikë kjo, që në zanafillë e prejudikuar si „dështuese“, mu ashtu siqë pandeh indirekt edhe akademiku i nderuar Rexhep Çosja. Sepse, në fund të fundit, suma sumarum, supozojm: nëse njëri kryesues pajtohet t.z. për një opcion, e tjetri jo, duhet shkarkuar titullari që ka emëruar njërin apo tjetrin, apo edhe njërin edhe tjetrin, kështu apo ashtu?! Dhe fundja, circulus vitiosus ( qarkullim vicioz në të njejtin rreth)! … Po janë muhabete të gjata rreth shpjegimit dhe të metave tjera juridike dhe taktiko-praktike të „këtij tipi të delegacionit nga KK me dy kryesues“,por do e lëmë ashtu siqë ka vendosur Kuvendi si organ ligjvënës dhe çështja mbetet te esencialja. Pra siqë vëren shumë mirë i dituri akademik Çosja, se mospajtimet e krerëve shqipëtar mes vedi për çështje kaq kardinale për kombin, paraqesinë anën e errët të medaljes mu në thelb, sepse forma disi edhe mund të tejkalohet, ama a nuk shihni (ju) palën tjetër kundërshtare, atë serbe (Vuçiç&Daqiç) në çdo deklaratë të tyre, si në Serbi edhe jashtë sajë thuajse, „një gojë dhe një gjuhë flasin“! Dhe për asnjë dallesë në të shprehur nuk i shmangen slloganit: „kompromisno rešenje“, „teritorialno razgranićenje“! Po edhe ne nuk jemi budallenj t‘i lexojm deklarimet (shpesh kontrahente) të krerëve tanë, rreth konsensit tonë aqë të nevojshëm (unikatgoje)?! Mjerim! Po pse t‘i frikësohemi Serbisë, bile tani në kushte të barabarta (kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht) ajo shtet ne shtet, ne nuk i kemi asajë asnjë borxh, përkundrazi, ajo na ka shumë borxhe neve, bile kryesorin të na njoh de jure dhe de facto. Ne nuk do shkojm në asnjë bisedim pa na njohur. Vijon pika. Pra, as në Bruxeles as gjetkë. Vijon pika. Mund të vejm edhe tri pika(…) vetëm për ta përforcuar edhe më Pikën e Madhe me qindra argumente.
    Të bënë nder gjithëmonë o i nderuar Akademik Çosja shenjtëria vëneruese ytja në çdo skutë ku preket interesi kombëtar i tijë i shenjtë.

    Përgjigju ↓
  2. Plotësim-komenti:
    Dhe për të qenë Delegacioni i Kosovës në thelb i sigurt në rezultate dhe padyshim në kuptimin e mirëfillt sipas syzheut të vënerimeve kryesore që përmbanë në vehte i tërë artikulli i të nderuarit akademik Çosja, dmth. konform vërejtjeve dhe sygjerimeve të tija, kryetar apo kryesues i çfarëdo tipi përfaqësimi të Kosovës në çfarëdo niveli, duhet të prijë vetëm Albin Kurti, aktualisht kryetar i partisë politike LVv, kurse zëvendës (e jo „kryetar i dytë“) Fatmir Limaj. Çdo kush tjetër, them me plotë bindje, hëpërhë, me pak gjasa premtuese për sukses në biseda rreth ndonjë „Marëveshtje përfundimtare gjithëpërfshirëse“ mes Kosovës dhe Serbisë! Të mos mbetet vend për keqkuptime, i merituar dhe „ i qëlluar“ si për pozitën dhe opozitën(si „neutralizues i mospajtimit intern“) por që fundja, në këso raste, është si në kohë „lufte“ pushojnë angazhimet dhe aranzhmanet me interese politiko-partiake, mbisundojnë vetëm ato shtetërore-kombëtare. Kjo situatë (si koinçidencë) ta kujton bukur larg para dy dekadashin(shkurt/mars 1999) edhe sikur dikur Hashim Thaçin, kryesues të Delegacionit të Kosovës në Rambuje.

    Përgjigju ↓
  3. Përgjigja pyetsit „Jari“ që çuditet(!):
    …është fjala e kompetentit (sipas detyrës zyrtare, ex ofificio) për NËNSHKRIMIN(FIRMOSJEN) e çdo Marëveshtjeje ndërkombëtare, bilaterale, trilaterale ose multilaterale, dmth.: gjithënjë, sipas praktikës dhe legjislacionit në fuqi të çdo shteti, i takon, kryetarit apo presidentit, t.z. „X“ shtetit për ta firmosur marëveshtjen konkrete… është krejtësisht, çështje tjetër, në mungesë të kompetentit, për shkaqe të ndryshme (sipas ligjit) dhe rasteve të a.q. delegimit të kompetencave tek të tjerët titullar, apo bartës të funksionit të caktuar, publiko-shtetëror. Për sqarim: a) për të udhëhequr( përmes bisedimesh ose negociatash deri në fund, mundet çdokush si „i ngarkuar“, ose që i përcakton ligji(ex officio); kurse, b) për ta firmosur(në fund, të aktit, ligji(Kushtetuta) parasheh vetëm Presidentin, me përjashtime si më lartë. Për ta kuptuar edhe më mirë, të lutem lexo edhe njëherë tërë artikullin nga artikullshkruesi bashkë me komentin, dhe pa vështërsi do nxjerrësh kontekstin në tërësi si përgjigje. Për mirëkuptim, t‘falënderoj.

    Përgjigju ↓