Kryesore

Djegia e mandateve/ Anëtarët e KQZ-së takim të fshehtë me Ramën

13:40 - 23.02.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kuvendi i Shqipërisë dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mandatet e opozitës parlamentare.




Një ditë pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzuan zyrtarisht mandatet e tyre parlamentare, Kryetari i Kuvendit ia përcolli kërkesën e tyre Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të plotësuar vakancën e krijuar në Kuvend.

Ndonëse më parë nga maxhoranca ishte bërë e ditur se do të shfrytëzohej e gjithë hapësira kohore prej 30 ditësh për shqyrtimin e tyre, kjo gjë nuk ndodhi dhe tanimë pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të thërrasë në institucion personat që janë poshtë listës fituese të partive opozitare dhe do të shihet nëse të gjithë kandidatët do ta pranojnë mandatin apo do t’i qëndrojnë vendimit të marrë nga PD-LSI.

Sipas procedurës ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një afat prej 10 ditësh për të filluar zëvendësimin e deputetëve. Brenda këtij afati 10-ditor është parashikuar të shqyrtohen edhe formularët e dekriminalizimit të të gjithë kandidatëve që janë poshtë listës. Kësisoj, sipas afateve ligjore, pritet që brenda datës 3 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të fillojë dhe zëvendësimin e deputetëve.

Por nëse vendimit të marrë nga opozita do t’i binden edhe kandidatët, të cilët nuk u shpallën fitues në 2017, vendet e Parlamentit pritet të mbeten bosh. Kjo, pasi neni 164, pika 4 e Kodit Zgjedhor, thekson se: “Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”.

Por në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, forcat politike garuan më vete dhe jo në koalicione parazgjedhore, gjë e cila pritet të sjellë edhe boshatisjen e Parlamentit. Ditën e djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi mbledhjen e radhës, ku në rendin e ditës kishte miratimin e strukturës buxhetore për institucionin për vitin 2019 si edhe regjistrimin e Partisë së Gjelbër për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor të këtij viti.

Mbledhja e KQZ-së zgjati vetëm 5 minuta, ku anëtarët e institucioni kaluan të dyja pikat e rendit të ditës pa asnjë diskutim ndërmjet tyre. Por ajo që ra në sy ishte vonesa e katër anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga shumica parlamentare, konkretisht të Denar Bibës, Bledar Skënderit, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri. Burime nga maxhoranca bëjnë me dije për gazetën “Panorama”, se të katërt anëtarët kanë zhvilluar një takim në Kryeministri me Edi Ramën. Nuk dihen detajet e bisedës së bërë ndërmjet kreut të qeverisë dhe katër anëtarëve të KQZsë, por ajo që ra në sy ishte nxitimi të mbyllur sa më parë mbledhjen e institucionit./ Panorama

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.