Kryesore

France24: Rinia shqiptare e sheh të ardhmen në një vend tjetër

13:25 - 23.02.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Rinia shqiptare e sheh të ardhmen në një vend tjetër” nën këtë titull France24 shkruan sot për Shqipërinë. Ndërsa sjell dëshmi të të rinjve shqiptarë, të cilët thonë se janë të shqetësuar dhe se e kërkojnë të ardhmen e tyre në një shtet tjetër, France24 e përshkruan Shqipërinë si një vend i cili nuk është në luftë, dhe as sundohet nga një regjim autoritar, por dëshira që shqiptarët kanë për të ikur është shumë e madhe.




“Vendi i tyre nuk është në luftë, nuk sundohet nga një regjim autoritar dhe as nuk është prekur nga fatkeqësi natyrore. Mergjithatë, dëshira që shqiptarët kanë për t’u larguar është nga më të fortat në planet.” -thuhet në shkrim.

 

Artikulli i plotë nga France24:

Pasi doli prej vendit ku ishte fshehur brenda një kamioni të mbushur me lodra për fëmijë në një port britanik, Alban Tufa pa policinë dhe kuptoi se përpjekja e tij për t’u futur në vend kishte dështuar.

 

Disa javë më vonë, 21-vjeçari shqiptar u riatdhesua me avion në Shqipëri. Historia daton 6 vite më parë, por Tufa dëshiron sërish të largohet prej Shqipërisë, një dëshirë që e kanë edhe plot të rinj të tjerë në shtetin Ballkanik. Vendi i tyre nuk është në luftë, nuk sundohet nga një regjim autoritar dhe as nuk është prekur nga fatkeqësi natyrore.

 

Mergjithatë, dëshira që shqiptarët kanë për t’u larguar është nga më të fortat në planet. “Në fshatrat shqiptare, çdo familje ka një anëtar të sajin në emigrim. Kështuqë edhe unë u përpoqa të bëja të njëjtën gjë”, u shpreh Tufa teksa tregonte për iniciativën e tij të dështuar për t’u futur në Britani, në një udhëtim me avion, tren dhe kamion, ndihmuar prej kontrabandistëve.

 

“Isha i interesuar të punoja. Nuk ka rëndësi se çfarë pune do të bëja për aq kohë sa do të ishte e ndershme”, shtoi më tej ai. Sipas një sondazhi të Gallup, 60% e shqiptarëve kërkojnë të largohen prej vendit të tyre. Shifër kjo që përkon me të katërtën më të lartë në planet. Veçanërisht të rinjtë janë ata që kërkojnë të largohen prej vendit.

 

Në vitin 1990, popullsia shqiptare ishte mjaft e re në moshë, me plot 3.3 milionë banorë. Tashmë, statistikat e Bankës Botërore tregojnë se popullsia në plakje, me një numër të lartë të njerëzve që emigrojnë, ka arritur në shifrat e 2.9 milionë banorëve. Edhe pse qeveria nuk ndjek të dhënat për normën e emigracionit, besohet se 1.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Një shifër kjo që përkon me 40% të popullsisë së përgjithshme.

 

Revolta e studentëve

 

Ekonomia është ajo që i nxit shqiptarët të largohen prej vendit. Shqipëria ka ndër pagat mesatare më të ulëta në Europë, rreth 400 euro. ( 453$)

 

Papunësia është gjithashtu e lartë, një në tre të rinjë është i papunë. Një tjetër faktor kryesor është kultura e përhapur e korrupsionit dhe klientelizmit. “Nëse nuk ke një mik të fuqishëm, nuk mund të futesh në punë”, shprehet studenjta 18-vjeçare Daniela Dauti, e cila shpreson të punojë në Itali pas studimeve.

E vetmja mundësi për t’u punësuar është të japësh shumë para thotë ajo duke psherëtirë.

Zemërimi shpërtheu në rrugë në dhjetor të vitit 2018, kur studentët kërkuan reformim të sistemit arsimor.

 

“Shumica e miqve të mi kanë emigruar…sepse ata nuk shohin asnjë të ardhme këtu, nuk shohin asnjë punë këtu, nuk ka cilësi të studimeve”, u shpreh studenti 23-vjeçar Armando Xhaxho.

Pas disa javësh protesta, kryeministri Edi Rama riorganizoi kabinetin e tij dhe premtoi investime në infrastrukturën e arsimit.

 

Ai tha gjithashtu se qeveria e tij do të punësonte 1,000 të diplomuar për të punuar në administratën publike, duke u dhënë përparësi atyre që kanë studiuar në Perëndim, si një përpjekje për të inkurajuar të kthyerit.

Megjithatë, Rama ende nuk ka ngritur zërin për ndonjë krizë emigrimi.

“Ka njerëz në të gjithë botën që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe askush nuk flet për këtë,” tha ai në dhjetor.

 

Ajo që shqetëson Adrian Civicin, një profesor i ekonomisë në Tiranë, është se shumica e të rinjve që emigrojnë shprehin pak dëshirë për t’u kthyer, duke krijuar një efekt “ikje të trurit”, që e degradon më tej ekonominë.

Ndër të rinjtë që jetojnë jashtë vendit, “pothuajse 80 deri 85 përqind e tyre thonë se nuk e konsiderojnë idenë e kthimit në Shqipëri”, tha Civici.

 

Dyer të hapura

 

Shqetësimi ka rrënjë në historinë unike të vendit.

Deri në vitin 1991, Shqipëria kaloi gati katër dekada si një nga kombet më të izoluara të planetit, nën kapjen e diktatorit komunist Enver Hoxha. Ata që u përpoqën të largoheshin rrezikuan të qëlloheshin në kufi.

“Sapo u hapën dyert, shqiptarët e panë Perëndimin si një mundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, një të ardhme që nuk e kishin,” tha Drita Teta, një sociologe në Tiranë.

 

“Për shumë shqiptarë, Perëndimi është ende një iluzion i madh, një parajsë e madhe që do të zgjidhë të gjitha problemet ekonomike dhe sociale të familjes”, shtoi ajo.

Në vitet e fundit, megjithë etiketimin e një “vendi të sigurt”, shifrat tregojnë se qytetarët e Shqipërisë janë në mesin e pretenduesve kryesorë të azilit brenda BE.

Deri në mes të vitit 2018, ka patur rreth 17.000 aplikime për azil, që është numri më i lartë i kërkesave në shtetet evropiane.

90% e aplikimeve të tilla refuzohen, megjithëse procesi i pritjes i lejon disa të gjejnë mënyra të tjera për të qëndruar ilegalisht në Evropë.

 

Nëse në fillim nuk ia del …

 

Pas disa javësh në një qendër britanike për azilkërkuesit, Tufa kuptoi se rasti i tij do të shkonte askund dhe do të kërkohej që të dërgohej në shtëpi.

Por dy vjet më vonë, ai bëri një përpjekje të ngjashme, këtë herë në Gjermani.

Më pas ai kaloi disa muaj në kampet e mbipopulluara të refugjatëve, ku ushqimi ishte i pakët, para se kërkesa e tij të hidhej poshtë duke u kthyer sërish në Shqipëri.

Tani 27-vjeçari Tufa po ndjek një master në gazetari në Tiranë.

Ai ende ëndërron të shkojë jashtë vendit pas përfundimit të studimeve të tij.

“Këtë herë në mënyrë ligjore”, tha ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.