OPINION

Kontrata e prishur dhe gjumi i prishur

07:50 - 23.02.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U bënë 48 orë që 675 mijë qytetarë të vendit(votues të dy partive kryesore opozitare në zgjedhjet e qershorit 2017) janë pa përfaqësim në jetën tonë politike. Kjo nuk ka ndodhur në këto 28 vite pluralizëm. Dhe jo vetëm tek ne. Një dorëheqje kolektive nga detyra e përfaqësimit të qytetarëve nuk është parë në asnjë vend të Evropës në gati më shumë se një shekull. Përbën mirëfilli një veprim të panjohur më parë. Ndaj një dorëheqjeje të tillë kolektive nuk mund dhe nuk duhet të kryhet asnjë sulm. Shumica qeverisëse po bën gabim fatal duke sulmuar opozitën e porsaflijuar. Kur duhet të fillojë të reflektojë. Mjafton të pickojë veten dhe të përfytyrojë si do t’i duket vetë kësaj pozite, vetë anëtarëve të kabinetit qeveritar salla e parlamentit të enjten. Është ndryshe kur ke një bojkot dhe e di që është i përkohshëm dhe që një ditë opozita të kthehet. Kurse një parlament pa opozitën në një vend demokratik nuk është më i tillë. Nuk është më panteoni i vendim-marrjes qytetare. Kjo, pasi nuk përfaqëson të gjithë popullin. Parlamenti shqiptar këtë te enjte nuk do të përfaqësojë të gjithë qytetarët e këtij vendi. Dhe kjo është e rëndë, shumë e rëndë. Këtë të enjte dhe të gjitha të enjteve që vijnë do t’i mungojnë përfaqësuesit e 675 mijë qytetarëve. Kjo është si të të lëvizin themelet. Reflektimi i parë që vjen janë fjalët e disa protestuesve të 21 shkurtit përpara Kuvendit, të marra nga një televizion.




“Protestoj për tatimet që janë rritur, për pensionet e vogla, për papunësinë”, thotë një qytetar. “Vetëm se s’kam ku të shkoj, se nga sytë këmbët iki për një sekondë nga ky vend”, shprehet një tjetër. “Pa punë, pa asgjë. Të paktën më parë kemi punuar në të zezë. Por tani as në të zezë dhe as në të bardhë”. Këto janë fjalë që duhet t’i hynë qeverisë sonë në zemër dhe të tronditet. Të tronditet për taksat që ka zbatuar deri tani. Për investimet qindra milionë euroshe në pesë vite e gjysmë që nuk kanë pjellë vende të reja pune. Për dritat që të varfrit i paguajnë deri më një sot(shumë mirë), por që ky shpenzim i rritur në buxhetin e tyre u duhej kompensuar urgjentisht jo me një 5 mijë lekësh të vjetër tallës në muaj, por me shanse reale pune. Për punën në të zeze që është më e pakët sot (shumë mirë), por që ky pakësim të mos linte të dëshpëruar ata që thonë” më mirë në të zezë dhe në punë, se sa në të bardhë dhe pa punë!”. Këtë realitet duhet të shohë qartë qeveria jonë sot. Të mos fshihet pas pëllëmbës së vet, sado e madhe t’i duket ajo. Dhe ky nuk është realiteti virtual i televizionit qeveritar. Këta nuk janë ata të paktë qindra qytetarë, hallet e të cilëve kanë gjetur zgjidhje nga bashkëqeverisja. Këta protestues të 21 shkurtit mund të jenë edhe ndjekës të një partie politike, por në radhë të parë janë qytetarë të këtij vendi me problemet dhe hallet e tyre. Të pazgjidhura! Në rrugë i nxjerr një makth për të ardhmen dhe i shtyn një protestë e natyrshme. Një zhgënjim i madh. Qeveria duhet ta shohë këtë zhgënjim.

Deri tani ka parë një opozitë sipas kararit të saj. Të kompleksuar nga gabimet dhe fajet kur ishte në pushtet. Të papërtërirë, të gozhduar tek figurat e së kaluarës. Me mungesë idesh dhe fryme konstruktive. Që vrapon pas diskutimesh-hartime në Kuvend, që i gëzohet batutës së bukur “demaskuese”, që s’ka kohë të lexojë auditimet-denoncime të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por mëson(edhe ato gabim) disa shifra përmendësh. Është ndjerë mirë dhe rehat kjo pozitë, kjo qeveri e sotmja, me këtë opozitë kaq komode për të. Që me skeletet që fsheh në dollapët opozitarë(të mbushura me dosje të frikshme të abuzimeve të periudhës në pushtet), ia bën qeverisjen kaq të lehtë dhe të qetë(edhe pse përpara kamerave në foltoret e Kuvendit, kaq të zhurmshme). Si dhe mundësinë e fitores në qershor 2021 kaq të qartë. Por tani kjo lojë nuk po luhet më. Dhe qeveria duhet të fillojë ta ketë gjumin e prishur. Njëlloj si kontrata që deputetët e opozitës, duke u dorëhequr nga detyra për përfaqësim, prishën me 675 mijë qytetarë shqiptarë më 21 shkurt. Faji i tyre? I këtyre deputetëve kaq të papërgjegjshëm? Që i tmerrohen vetingut, që i zë ankthi dhe makthi natën nga perspektiva e hekurave të burgut? Sigurisht që është edhe faji i tyre. Por jo vetëm i tyre, ama! Psherëtimat dhe ankesat e qytetarëve të thjeshtë, të intervistuar në protestën e 21 shkurtit, e dëshmuan këtë. Prandaj dhe kësaj qeverisë tonë sot duhet të fillojë rëndshëm dhe fort t’i prishet gjumi natën. Ndryshe nuk ka të ardhme të sigurte ajo dhe vetë vendi ynë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.