AKTUALITET

Projektligji për nënshtetësinë greke pret miratimin, lehtësirat për emigrantët

18:00 - 23.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Projektligji i ri për nënshtetësinë greke është dërguar për miratim në sekretariatin e qeverisë dhe prej andej pritet që në ditët e ardhshme të dorëzohet në parlament për votim. Fillimisht, përgatitja e ligjit të ri ishte paralajmëruar nga sekretari i përgjithshëm për nënshtetësinë, Lambros Baltsiotis. Informacioni për futjen e projektligjit në procedurën e votimit, është dhënë nga zyra e ministrit të Brendshëm, Aleksis Haritsis.




Dispozitat lehtësuese
Projektligji përmban dispozita që i shërbejnë racionalizimit, thjeshtëzimit dhe unifikimin e procesit të natyralizimit (politografisi). Më konkretisht, aplikuesit do të ftohen të përgjigjen në 20 pyetje nga 30 që do t’u bëhen gjithsej. Pyetjet do të jenë rreth gjuhës, gjeografisë, historisë, institucioneve politike, zhvillimeve aktuale politike). Këto pyetje do të përzgjidhen rastësisht nga një “bankë” prej 300 pyetjesh të parapërgatitura, përgjigjet e të cilave do të jenë të gjitha të disponueshme për të interesuarit, në një faqe interneti. Hartuesit e projektligjit thonë se kjo është një praktikë që zbatohet gjerësisht në SHBA dhe në mjaft vende të Europës. Me testin e ri, arrihet një reduktim maksimal i shkrimit të protokollit, që sot shkon deri në tre muaj. Në të njëjtën kohë sanksionohet një test unik për njohjen e gjuhës greke, me qëllim që të gjithë ata, të cilët pas testit gjykohet se kanë njohuri të mjaftueshme, të mos testohen nga komisioni i natyralizimit.

Reduktimi i tarifave
Më tej, reduktohet tarifa (paravolo) që paguajnë aplikantët për marrjen e nënshtetësisë greke. Paravolo e re do të jetë 550 euro, në vend të 700 që është deri më tani. “Një tjetër risi është se gjithë ata që kanë dëshmuar lidhje të ngushta me Greqinë, por mungojnë për 18 muaj nga Greqia. Nëse këta kishin aplikuar më përpara për marrjen e nënshtetësisë, procedura pezullohet dhe aplikimi mund të rishqyrtohet në rast se këta vendosen sërish në Greqi. Për “alogjenët” (ata që nuk kanë origjinë greke), vendimi për natyralizimin do të merret tashmë nga drejtoria e nënshtetësisë e periferisë, gjë që pritet të reduktojë deri në 9 muaj kohën e pritjes”,-bëjnë me dije ekspertët. Në dispozitat e reja përfshihen edhe ato që kanë të bëjnë me përshtatjen e legjislacionit grek me kuadrin institucional europian. Në këtë drejtim, ka dispozita që u japin të drejtën e marrjes së nënshtetësisë personave me moshë të shkuar, personave me të meta mendore, apo të sëmurëve psikikë. Sipas të dhënave zyrtare, janë rreth 200.000 qytetarë të ardhur nga Shqipëria që kanë përfituar nënshtetësinë greke.

Marrja e nënshtetësisë
I pyetur nga ‘Gazeta Shqiptare’, eksperti Fatos Malaj, tregon se procedura për kryerjen e shkëputjes nga leja e qëndrimit, mund të kryhet automatikisht. “Në momentin që një emigrant shqiptar merr nënshtetësinë greke, kjo paraqitet në gazetën qeveritare. Para funksiononte në këtë mënyrë: emigranti duhej të shkonte në Qendrën e Emigracionit ku dhe kishte marrë lejen e qëndrimit, dhe bënte shkëputjen nga kjo leje në mënyrë që të merrte nënshtetësinë. Por kjo ishte një procedurë që zgjaste 2-3 javë. Tashmë procedura është lehtësuar dhe bëhet automatikisht”,- thotë Malaj. Megjithëse heqja e lejes së qëndrimit mund të duket një veprim i thjeshtë, në fakt njerëzve u kushtonte shumë, sidomos të rinjve të brezit të dytë që mund të kishin shans për të shfrytëzuar programe studimi jashtë shtetit, dhe nuk pajiseshin në kohën e duhur me këtë dokumente greke. Kjo sepse nuk mund të paraqiteshin direkt në zyrat e shtetasve të huaj dhe emigracionit, por duhej që më parë të linin një takim e cili mund të realizohej edhe pas disa muajsh. Ndërkaq edhe mbajtësit e “kartës së homogjenit”, duhej të paraqiteshin në polici për të anuluar kartën e tyre. Pra, gjithë kjo procedurë sillte një zvarritje të panevojshme, në një kohë që gjithçka mund të zgjidhej në mënyrë elektronike nga shërbimet administrative greke. Gjithashtu, ndërmjetësi ndërkulturor Malaj tregon për “GSH” se janë krijuar lehtësira edhe për emigrantët që aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. “Kemi arritur që brenda një viti të sjellim lajme të mira edhe për emigrantët që aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Të gjithë ata që kanë jetuar në shtetin helen ilegalisht për më shumë se 7 vjet dhe dëshirojnë të marrin leje qëndrimi procedura do të thjeshtëzohet. Para iu duhet të dorëzonin dokumente vërtetimi që këta emigrantë dëshmonin se kishin qëndruar në Greqi për më shumë se 7 vite, ku përfshiheshin edhe kontratat e qirasë apo të punës. Tashmë kjo kategori emigrantësh duhet të dorëzojë vetëm vërtetimin që prej 7 vitesh jetojnë në shtetin fqinj”,- tregon Malaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.