KULTURË

Shoqëria e Alfabetit 120 vite nga themelimi i “Bashkimit”

18:00 - 23.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Pas Fjalorit të Frang Bardhit (1635) dhe të K. Kristoforidhit (botuar më 1904) vepra më e rëndësishme e leksikografisë shqiptare deri në mesin e shek. XX, është “FIALUER i Rii i Shcypés”. Perbâam Préie Shocniiét t’Bashkimit, shtypur në Shkodër më 1908 dhe që njihet shkurt si Fjalori i Bashkimit”. Profesor Xhevat Lloshi e përkufizon shumë qartë rëndësinë që ka fjalori i “Bashkimit” i vitit 1908. Më tej profesor Lloshi vëren se parathënia është e 9 janarit 1908, por dihet se punime të kësaj natyre kërkojnë mjaft vite për t’u hartuar dhe sidomos po të mbahet parasysh shkalla e njohjes së leksikut të shqipes në atë kohë dhe e pasqyrimit të tij nëpër fjalorë. Që në programin e Shoqërisë “Bashkimi” parashihej hartimi i një fjalori, krahas punimeve të tjera gjuhësore. Mund të përcaktohet hyrja e shekullit të ri si fillimi i hartimit, pa përjashtuar një vazhdë të mëparshme të mbledhjes së fjalës shqipe. Faik Konica më 1904 (‘Albania’, nr. 2) ka njoftuar, se “Bashkimi po përgatiste një fjalor shqip më të plotë se të gjithë fjalorët e derisotëm”.




Interesimi i tij shpjegohet me mbështetjen që shprehte për alfabetin e “Bashkimit” dhe me prirjet vetjake për të nxjerrë në dukje fjalët e shqipes. Shoqëria Bashkimi, e themeluar më 1899, krahas fryteve të tjera të punës së saj, mund të quhet edhe Instituti i parë i gjuhës shqipe me një sektor të mirëfilltë të leksikografisë dhe me një kartotekë të fjalës shqipe. Nga ajo kartotekë nuk janë marrë të gjitha njësitë, por është bërë përzgjedhja e tyre. Por, fjalori është veç një prej punëve që la pas “Bashkimi”. Sot në Shkodër pranë Katedrales së Shën Shtjefnit do të përkujtohet 120-vjetori i Shoqërisë Bashkimi përmes një ekspozite me fotografi të personazheve më në zë të kohës, që qenë pjesa e saj dhe do të përurohet botimi anastatik i tij. Profesor Lloshi vëren në parathënie se me rëndësi të posaçme është, se ky fjalor nuk e ka shënuar prejardhjen krahinore, sepse synimi i tij ishte pasuria e gjuhës shqipe përgjithësisht, siç e ka përcaktuar edhe në titullin e veprës dhe jo vëmendja ndaj prejardhjes krahinore. Për sasinë e fjalëve janë shprehur vlerësime të ndryshme, të cilat shkojnë nga 10 mijë fjalë deri te 14 mijë. Në numrin e përgjithshëm është njehsuar se zënë vend rreth 1440 huazime nga turqishtja, domethënë rreth 12 për qind. Disa nga recensuesit e kanë quajtur këtë një të metë, duke kërkuar përjashtimin e tyre. Përkundrazi, F. Konica që më 1904 e kishte shtruar si kërkesë, që do të ishte gabim, nëse do të përjashtoheshin të gjitha turqizmat. Vlerën fjalorit ia shton përpjekja për të dhënë togfjalësha, që dëshmojnë përdorimin e fjalës dhe i konkretizojnë kuptimet e saj.

 

 

ZANAFILLA E SHOQNISË “BASHKIMI”
Në vazhdën e lëvizje politike e kulturore që zhvilloheshin në fundin e shek. XIX brenda dhe jashtë Shqipërisë për unitetin e kombit dhe arsimimit në shqip, duhet veçuar mbledhjen e disa klerikëve të veriut me në krye Dom Ndoc Nikajn, famullitarin e Shkrelit dhe abatin e Mirditës, Preng Doçin, në vitin 1893. në Shkrel, Malësia e Madhe.

Sipas dëshmitarit të kohës, Dom Ndoc Nikaj, kjo qe mbledhje e fshehtë dhe në përfundim të saj, aty u krijua lidhja kombëtare e quajtur “Bashkimi Shqyptar”. Nikaj, më tej shprehet se kjo mbledhje: “Kishte për detyrë Bashkimin e Shqyptarve pa dallim feje dhe fisi”… “U lidhme me shkrue në giuhen shype, seicilli si mbas andjes së vet dhe si mbas priret përkatëse”. Nga kjo mbledhje e pati zanafillën e vet edhe formimi i shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër, e cila në vitin 1899 mori formën e vet zyrtare, me kryetar abat Preng Doçin. Në takimin themelues të Shoqërisë “Bashkimi” ishin: Imzot, Preng Doçi, Imzot Lazer Mjeda, Dom Jak Sarreqi, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndoc Sheldia, Dom Gjon Koleci, Dom Mark Shllaku, Atë Pashk Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dodë Koleci, Dom Mëhill Çuni si dhe laikët Mati Logoreci, Gaper Beltoja, Ndue Paluca etj. Qëllimi kryesore i kësaj Shoqërie ishte, përhapja sa më shumë e gjuhës shqipe nëpërmjet shtypit të shkruar si dhe shtimi i botimit të librave nga fushat e ndryshme në alfabetin latin, veprime atdhetare, të cilat shërbyen si parapërgatitje për shpalljen e Pavarësisë së vendit tonë në vitin 1912.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kjo parathenia e prof. Xh.Lloshit eshte ne ribotimin anastatik te vitit 2018. I pari ribotim ne Shqiperi pas 110 vitesh…Sa per kujtese, se besoj se autorja e shkrimit e din.

    Përgjigju ↓