Kryesore

Sadije Agolli, gruaja që nuk u mësua kurrë me ikjen e të shoqit

11:00 - 27.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – “Unë e kam ndierë shumë mungesën e tij, do doja që të kisha mendimin e tij. Për çdo gjë unë flisja me të”. Vetëm në fillim të muajit, Sadije Agolli, e veja e shkrimtarit Dritëro Agolli fliste kështu për mallin 2-vjeçar për të shoqin. Në përvjetorin e ikjes së tij, ajo ndjente se kjo mund të ishte intervista e saj e fundit dhe “linte amanet”, që shtëpia e tij të kthehej muze, siç parashihte një projekt i Bashkisë së Tiranës. I ishte dashur shumë kohë të pranonte që ta linte këtë shtëpi e ta jepte për muze. “Këtu është gjithë jeta ime, të gjitha kujtimet e mia. Unë nuk mund të jetoj jashtë saj”, qe shprehur ajo në fillim kur iu propozua nga bashkia. Ju deshën dy vite për ta pranuar që shtëpia e saj, nuk mund të ishte vetëm e saj dhe se shkrimtari duhej t’u përkiste të gjithë. Por bash kur e pranoi që duhej të linte shtëpinë, ajo iku në mënyrë të pakthyeshme, duke lënë pas shtëpinë, kujtimet, mallin dhe familjen. Iku pranë Dritëroit, me mungesën e të cilit nuk u mësua kurrë.




Ajo u nda dje nga jeta tek Neurologjia në QSUT, pas një hemorragjie cerebrale. Ndonëse të jepte imazhin e një gruaje të fortë, siç në të vërtetë ishte, ajo u shua, pothuaj “papritur” për shumëkënd.

Ishte 76 vjeçe dhe iku 2 vite pas të shoqit, shokut të saj të jetës, shkrimtarit të saj më të dashur, njeriut me të cilin ndau jetën dhe i qe redaktore.  Lexuesja e parë e shkrimtarit, ajo kalonte net të tëra mbi makinën e shkrimit, për të radhitur ato që Dritëroi shkruante me shkrim dore nëpër letra. Asaj iu kushtuan poezi pa fund dhe kushtime nga Dritëroi derisa ai mbylli sytë. Ajo i rrinte pranë në dhomën e drunjtë e priste e përcillte miqtë e tij devollitë, mbushte gotat e rakisë dhe ishte mendja e tij dytë. Ishte, një dashuri e bukur 52-vjeçare.

Jetoi me kujtimet e tij, pa mundur ta pranonte ikjen, jetonte me porositë e personazhet e të shoqit.
“Këtu ka shumë gjëra që mund të mësojnë njerëzit, kushdo që vjen. Është jeta e tij, puna e tij, e pasqyruar në vepra, në gjithë këtë që shihni ju. Por edhe të tjerët mund ta mësojnë jetën e tij, si shkrimtar, si njeri edhe si artist. Përveç bibliotekës që e kemi shumë të pasur, ka piktura edhe skulptura, secila prej tyre mbart një kujtim”, thoshte Sadija për shtëpinë e tyre në pallatin me kube.

“U prehsh në paqe, Sadije Agolli, gruaja që rrezatoi fisnikëri dhe dinjitet përkrah patriarkut të letrave shqipe Dritëro Agolli, e në këtë udhë jo fort të lehtë, Sadija ish jo vetëm një dëshmitare dhe njëherazi qëndrestare kurajoze, por edhe një kapitull me vlerë i Historisë së Letërsisë Shqipe”, tha dje studiuesi Ermir Nika.

NJOHJA E ÇIFTIT
“Jemi takuar herën e parë në dasmën e Elena dhe Ismail Kadaresë, pastaj disa herë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Më pëlqeu ai njeri që bënte jetë boheme me pije, humor e shokë. Kështu u miqësuam. Shkova disa herë edhe në shtëpinë e tij, u njoha me prindërit, derisa një natë vendosa të qëndroja aty dhe kësisoj e ndava mendjen të bëhesha gruaja e tij”, pati rrëfyer vetë Sadija dikur. Në fillim prindërit e saj nuk pranuan që vajza e tyre 21-vjeçare të martohej me një 32-vjeçar, që për më tepër kish qenë një herë i martuar. Dikur ata u bindën dhe Sadija mori dhe bekimin e tyre. U bë nënë e dy fëmijëve, Elonës dhe Artanit. Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija botoi librin “Dashuri në moshën e Krishtit”. Për ditët me shi, për trishtimin e mbrëmjeve, për vetminë e muajve të gjatë, për mallin që shtohej nga largësia, për palltot që nuk i blinin, për tonet e ftohta, për xhelozinë që dilte në pah, për jetën e pakuptimtë larg njëri-tjetrit, për netët që nuk shtyheshin, për këshillat e dimrit, për premtimet e së ardhmes, për dashurinë për një grua; letrat janë jeta e dy viteve kur shkrimtari asokohe në moshën e Krishtit, 33 vjeç, i shkruante të dashurës së zemrës. Sot, kur asnjëri nuk është më, libri merr tjetër peshë.

GRUAJA QË NUK U MËSUA KURRË ME IKJEN
“Lamtumirë Sadije! Pa ty s’do kishim Dritëro! Kur rreth një muaj më parë, në ekranin e celularit mu shfaq emri i Sadije Agollit, hezitova një sekondë për ta hapur. Pas vdekjes së Dritëroit, e merrja herë pas here, derisa besova se kishte nisur që të mësohej me mungesën. Por, kur bisedova një ditë me Elonën, më konfirmoi të kundërtën. Atëherë mendova se kisha të drejtë që kisha krijuar idenë se ishin një çift i lidhur aq pazgjidhshmërisht, sa prej shumë vitesh ishin bërë ‘vëlla e motër siamezë’. Jo vetëm që kishin marrë tiparet, të mirat dhe huqet e njëri-tjetrit, por edhe frymën me sa duket, e merrnin për njëri-tjetrin”, shkroi dje Alfred Peza. Kujtonte se pasi ngriti celularin, Sadija e vërtetoi ngurrimin e tij. “Pasi mu ‘ankua’ miqësisht siç dinte veç ajo, për ‘harresën’, më kërkoi që të shkruaja kujtimet për Dritëroin, si pjesë të projektit të saj më të ri, me miqtë e tij. Rrallë qëllon të takosh një grua që jeton për bashkëshortin, me përkushtimin e një nëne dhe ‘engjëllit’ të tij mbrojtës. Ikja brenda dy vjetësh nga ai tregoi se dashuria e tyre si nëpër filmat e neorealizmit italian, kishte në ADN-në e saj, pafundësinë e të gjitha ngjyrave shqiptare. Ikja e çiftit Agolli na e varfëroi qytetin. Breza të tërë shqiptarësh u rritën e jetuan me librat dhe bisedat, për historinë e jetës së tyre të jashtëzakonshme. Lamtumirë Sadije!”, shkruan Peza.

Vajza e Feim Ibrahimit, Ertrita dhe njëherësh fqinje e familjes Agolli, në një postim në “Facebook”, shkroi dje “Lamtumirë teta Sadije”. Duke e cilësuar se mike ideale të “xhaxhi Dritëroit” dhe prindërve të saj, Ertrita e shihte Sadijen si një grua të rrallë. “Jetove edhe pak për Lonën, Tanin, nipat e mbesat e tua, por realisht ti doje të shkoje menjëherë afër xhaxhi Dritëroit dhe ja, tani e gjete momentin dhe shkove! Më kujtohet, kur të takoja e më thoshe që nuk mund ta pranojë që ai kishte ikur, ndërsa unë të thosha që duhej forcë sepse kishe fëmijët”, shkruan ajo. Kujton mandej se Sadije vendosi të pranojë ta japë shtëpinë për muze, “por ndoshta nuk mundeshe ta lije atë për së gjalli, prandaj edhe zgjodhe të ikësh kështu pa zhurmë, pa dhimbje, duke i marrë të gjitha kujtimet e tua me vete, pa lënë asgjë dhe duke i lënë të gjitha”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.