Aktualitet

Dorina Kuka: Shembulli i këshillit bashkiak duhet ndjekur në të gjitha nivelet e qeverisjes

14:30 - 28.02.19 Gazeta Shqiptare

Egla Xhemali – Kryetare e Aleancës së Tiranës: Suksesi dhe sfidat, ja modeli që ndjek në politikë  – “Nuk e ngatërroj rolin e gruas dhe të nënës, në familje nuk ka drejtoreshë”



Me Dorina Kukën takohemi në tri ambiente, në të cilat bie në sy një frymë ndryshe që mban aromën e një gruaje të suksesshme. E zgjedhur në dhjetor si kryetare “Aleancës së grave këshilltare”, Kuka duket se është motivim për çdokënd që ka fatin të punojë me të. Për “Gazeta Shqiptare”, Dorina Kuka rrëfen veprimtarinë në këshillin bashkiak të Tiranës, ku gruaja ka përfaqësi 50 % në vendimmarrje, mënyrën se si Erion Veliaj sillet me gratë e të gjitha kaheve politike, modelet që ndjek, këshillat për mësuesit dhe nxënësit e mënyrën se si e përballon gjithë këtë ngarkesë e përtej punës “drejtoreshën” që zhvishet nga petku i detyrës kur është në familje. Të jesh lidere nuk është e thjeshtë. Ata që drejtojnë mbi të gjitha duhet ta kenë shpirtin plot për të përmbushur detyrat që u janë ngarkuar. Parimi i saj është të realizojë sa më shumë punë të mira, që të thotë me gojën plot:

Po! E meritova të jem në këshillin bashkiak, të jem drejtoreshë dhe pedagoge. Si drejtoreshë e Ali Demit, Dorina gëzon respekt nga mësuesit e shkollës dhe dashurinë nga nxënësit. Nën drejtimin e saj janë realizuar një sërë aktivitetesh në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe në mbështetje të atyre nxënësve që kanë talente të veçanta. Një mikeshë e kudogjendur për mësuesit dhe një figurë e dashur për nxënësit. Përpos punës intensive në shkollë, Kukën e takojmë dhe në auditor, ku studentët gëzojnë simpati të veçantë për profesoreshën e tyre.

Modelet që ndjek në politikë janë disa megjithatë Dorina veçon Lindita Nikollën. Për të Nikolla është frymëzim. Nënë e dy djemve, që di të jetë edhe shoqja e tyre. Përpos angazhimeve të shumta Dorina nuk harron të jetë një bashkëshorte dhe kujdestarja më e mirë e fëmijëve. Suksesi i gjithçkaje është komunikimi dhe puna në grup. Në këtë rrugë plot arritje duket se do eci për shumë vite Dorina Kuka.

Si kryetare e “Aleancës” së Tiranës, çfarë mendimi keni për rolin e grave në qeverisje?
Do ta nisja me shprehjen e Margaret Thatcher: “In politics, if you want anything said, ask a man; if you want anything done, ask a woman”, që do të thotë: “Në politikë, nëse doni diçka të thënë, kërkoni një burrë, nëse doni diçka të bërë, kërkoni një grua”. Në këshillin bashkiak ne kemi 50 % gra dhe vajza është koha për përfaqësimin e 50 % të grave në parlament. Shembulli i këshillit bashkiak duhet ndjekur në të gjitha nivelet e qeverisjes. Gratë të mbështesin gratë!

Si sillet Kryebashkiaku Erion Veliaj me stafin e grave në këshillin bashkiak?
Kryebashkiaku Veliaj njihet si një njeri që vlerëson rolin e gruas në shoqëri dhe në politikë. Edhe në këshill bashkiak ai ka dhënë gjithnjë përkrahje pa kushte për gratë dhe vajzat e këshillit. Kryebashkiaku Veliaj i kushton vëmendje maksimale grave dhe vajzave në këshill ashtu sikurse i kushton vëmendje maksimale çdo pune që bënë për kryeqytetin tonë.

Cila është pjesa më e vështirë e raportit mes grave opozitare në këshillin bashkiak?
Duhet të kenë më shumë bashkëpunim, duhet të vënë interesat qytetare mbi ato politike.

Cili është modeli juaj frymëzues në politikë?
Modele të spikatura zonjash në politikën shqiptare ka disa, pasi partia socialiste është partia me potenciale të mëdha intelektuale, por sigurisht një shembull për t’u ndjekur për mua është gruaja e hekurt Lindita Nikolla, të cilën e admiroj!

Gjëja e parë që bëni sapo hyni në zyrën tuaj?
Gjëja e parë që bëj është vëzhgimi mbi orët e mësimit që do të zhvillohen, mungesat apo orët që duhen zëvendësuar, si dhe planet për aktivitetet e ditës.

Cili është çelësi i suksesit tuaj?
Ma bëjnë shpesh këtë pyetje. Çelësi i suksesit tim është komunikimi, puna në ekip dhe vizioni për të ardhmen. Asgjë nuk arrihet nëse nuk ke frymën e bashkëpunimit. Në çdo veprimtari që kam ndërmarrë i kam kushtuar vëmendje maksimale çdo bashkëpunëtori. Punët në grup kanë rezultuar gjithmonë të suksesshme.

Këshilla që ju jepni vazhdimisht nxënësve? Po mësuesve?
Nxënësve nuk resht së thëni të bëhen qytetarë të denjë të këtij vendi e të investojnë për të ardhmen. Mësuesve u sugjeroj ta duan profesionin e tyre dhe dijet t’i përçojnë me pasion te nxënësit.

Cila është këshilla që u jepni grave, të cilat janë në hapat e para të punës dhe karrierës?
Këshilla që do t’iu jepja është të mos ndalojnë kurrë së qeni vetvetja dhe të ndjekin me pasion deri në fund qëllimin që i kanë vënë vetes pavarësisht pengesave që mund t’ju dalin përpara.

Sa drejtoreshë jeni në familje?
Në fakt, asnjëherë nuk e ngatërroj rolin e bashkëshortes dhe të nënës, si nënë e dy djemve dhe pozicionin në familje me pozicionin tim në punë! Në familje nuk ka drejtoreshë, por një grua që kujdeset për bashkëshortin dhe fëmijët ashtu si bën çdo grua tjetër, e cila mund të jetë në një pozicion drejtimi ashtu si jam unë në këto momente apo në një pozicion tjetër pune.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *