AKTUALITET

Emigrantët e larguar nga Greqia, procedura për të marrë sërish leje qëndrimi

15:45 - 09.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi që më parë dispononin një leje qëndrimi 10 vjeçare, por që janë larguar nga shteti helen për jo më shumë se dy vjet, tashmë mund të rinovojnë dokumentat. Gazeta Shqiptare zbardh sot udhëzimet e Ministrisë së Emigracionit në Greqi, ku sqarohen me shembuj konkretë se çfarë procedure ndiqet për një sërë kategorish që kishin pasur ose jo leje qëndrimi dhe duan ta marrin atë tani. Pavarësisht se këta emigrantë janë larguar nga shteti grek, sërish mund të përfitojnë leje qëndrimi. “Gjatë viteve që kanë qëndruar në Greqi në mënyrë ilegale, çdo dokument që vërteton banimin në shtetin grek do të luajë rol të rëndësishëm për të vërtetuar qëndrimin e emigrantit në shtetin fqinj. Në rast se janë familjarë dhe nuk kanë për çdo vit dokumenta që vërteton banimin e emigrantit, janë të mjaftueshme vërtetimet nga shkolla, deklarata tatimore (forologiki dilosi), nëse kanë siguracion, etj”,-theksohet në udhëzim.
Shembuj konkretë
Një emigrant shqiptar ka qenë i pajisur me leje qëndrimi nga viti 2010 deri 2015 në shtetin grek. Aplikimi për lejen e qëndrimit që bëri me datë 30.03.2015 iu refuzua sepse nuk kishte numër të mjaftueshëm ensimash (sigurime shoqërore). Pavarësisht kësaj, atij i lind e drejta të riaplikojë nëse nuk është larguar nga shteti grek. Një tjetër rast, është ai i një emigranti shqiptar, i pajisur me leje qëndrimi në periudhën 2005-2010. Shtetasi i sipërpërmendur, u largua nga shteti grek në periudhën 2012-2014 dhe më pas u rikthye sërish, me pasaportë 3 mujore dhe vazhdon të jetojë në Greqi deri më sot. Në këtë rast, ka të drejte te aplikojë sërish për leje qëndrimi nëse nuk është larguar më nga Greqia që në momentin që erdhi me pasaportë. “Një emigrant ka qenë i pajisur me leje qëndrimi në periudhën 2006-2011. U largua për dy vjet nga Greqia në 2012-2014 dhe më pas erdhi sërish me pasaportë 3 mujore dhe vazhdon të jetojë në Greqi deri sot. Në këtë rast ka te drejtë të aplikojë për leje qëndrimi, sepse dy vitet e fundit (2015 dhe 2016) vazhdon të jetojë në Greqi”,-bën me dije një prej zyrave të avokatisë që mbulon çështjet e emigracionit në Greqi.
Bashkimi familjar
Në rast se njeri nga prindërit, në momentin e lindjes së fëmijës është i pajisur me leje qëndrimi, atëherë ka të drejtë të bëjë bashkimin familjar dhe të pajisë edhe bashkëshortin/en me leje qëndrimi. Dy kushtet kryesore që duhet të plotësohen janë: dokumente që vërtetojnë se prindërit jetojnë në shtetin grek pas lindjes së fëmijës; si dhe në momentin e fillimit të procedurave për bashkim familjar, shtetasi duhet të jetë i pranishëm në shtetin helen. Ndërkohë, prindi që aplikon për leje qëndrimi nuk duhet të ketë munguar nga Greqia më shumë se 6 muaj në dy vitet e fundit. Kjo mund të vërtetohet me librezën e vaksinimit të fëmijës, me vërtetim nga shkolla, nga kurset (frontistirio) që ndoshta ka bërë fëmija, si dhe nga aktivitetet që fëmija ka marrë pjesë. “Në rast se do të filloni aplikimin sërish dhe do të pajiseni me leje qëndrimi, atëherë paravolo (tarifa) është 150 euro. Në rast se do të filloni sërish aplikimin për leje dyvjeçare, paravolo është 300 euro”,-thotë Ministria e Emigracionit.
Blerja e sigurimeve shoqërore
Që nga data 1 dhjetor 2015, të gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi, kanë të drejtë të fillojnë të blejnë ensimat (sigurimet shoqërore) që iu mungojnë për të plotësuar ditët e nevojshme dhe të fillojnë procedurat e aplikimit për lejen e qëndrimit. Madje edhe për bashkimin familjar duhet që të dy partnerët të kenë numrin e ensimave që iu nevojitet për të aplikuar për lejen e qëndrimit.
Marrja e nënshtetësisë
I pyetur nga Gazeta Shqiptare, eksperti Fatos Malaj, tregon se procedura për kryerjen e shkëputjes nga leja e qëndrimit, mund të kryhet automatikisht. “Në momentin që një emigrant shqiptar merr nënshtetësinë greke, kjo paraqitet në gazetën qeveritare. Para funksiononte në këtë mënyrë: emigranti duhej të shkonte në Qendrën e Emigracionit ku dhe kishte marrë lejen e qëndrimit, dhe bënte shkëputjen nga kjo leje në mënyrë që të merrte nënshtetësinë. Por kjo ishte një procedurë që zgjaste 2-3 javë. Tashmë procedura është lehtësuar dhe bëhet automatikisht”,- thotë Malaj. Megjithëse heqja e lejes së qëndrimit mund të duket një veprim i thjeshtë, në fakt njerëzve u kushtonte shumë, sidomos të rinjve të brezit të dytë që mund të kishin shans për të shfrytëzuar programe studimi jashtë shtetit, dhe nuk pajiseshin në kohën e duhur me këtë dokumenta greke. Kjo sepse nuk mund të paraqiteshin direkt në zyrat e shtetasve të huaj dhe emigracionit, por duhej që më parë të linin një takim e cili mund të realizohej edhe pas disa muajsh. Ndërkaq edhe mbajtësit e “kartës së homogjenit”, duhej të paraqiteshin në polici për të anuluar kartën e tyre. Pra, gjithë kjo procedurë sillte një zvarritje të panevojshme, në një kohë që gjithçka mund të zgjidhej në mënyrë elektronike nga shërbimet administrative greke.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.