MILOSAO

BORIZANI

13:15 - 10.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndue Dedaj  – 1 Po priste pranverën për t’i ndërruar tjegullat kullës, pasi gjatë dimrit çatia i kishte futur ujë, në dy-tre vend. Cirka kishte rënë dhe mbi një armë e pak fishekë që mbante fshehur në tavan që nga koha e Luftës, kur kulla për pak kohë qe kthyer në shtab partizan. Nuk kishte thënë as po e as jo atë ditë që partizanët ia kishin mësy derën, megjithëse ata as që e kishin pritur pohin e tij, por kishin hyrë drejt e brenda. Ishte vjeshta e 44-s dhe tashmë nacionalçlirimtarët ndiheshin kudo në shtëpinë e tyre. Punë ditësh e flamuri do të valvitej dhe në shkrepat më të lartë të atyre bjeshkëve.
Kulla e tij në kodrën përballë qendrës së Nënprefekturës, një qytezë e vogël që nga shekulli i kaluar, ngjante si një kështjellëz që e kishin lakmuar gjithnjë luftëtarët qysh nga koha e Pavarësisë. Një gojëdhënë e stërmoçme thoshte se mungadën e atyshme e kishte pas themeluar vetë Shën Pali, kur kishte shkelur atyre anëve, në udhëtimin e tij biblik drejt Adriatikut.
Kishin kaluar shtatë vite nga Lufta e plagët e saj po shëroheshin pak nga pak, diku hapej një rrugë e diku vihej një urë, ishte rihapur dhe miniera e kohës së Zogut. Bash kur mendonte se i kishte ujdisur punët me qeverinë e po përgatitej t’i ndërronte tjegullat kullës, në oborr u shfaqen tre shokë të Këshillit, fytyrë-vërejtur si asnjëherë, të cilët i thanë se duhej prishur kati i tretë i kullës.
Nuk po ju kuptoj?! – u tha i zoti i shtëpisë.
Si nuk na kupton? Ne shqip po flasim. Kati i tretë i kullës duhet të shembet përdhe, brenda 15 ditëve. Ky është vendimi i Komitetit. Ja dhe procesverbali që duhet të nënshkruash se more njoftim…




Burri vërtet që nuk po kuptonte asgjë. Ku ai e ku ata! Ai donte t’i hiqte pikën kullës, kurse ata vinin ditën për diell dhe i thoshin shërbes-shërbes se kulla e tij duhej të shkonte për dhjamë qeni. Kur ai u kërkoi sqarim, se pse duhet ta shembte kullën, që ishte e tija, gjysh mbas gjyshi, ata rrudhën buzët dhe ikën duke shënuar “refuzon të nënshkruaje procesverbalin”. Pas një ore erdhën policët e Lokalitetit dhe e shoqëruan për te Kryetari. Ky i bëri me dije shkakun e atij vendimi të paimagjinueshëm.
…Kujtohu mirë se çarë ka ndodhur… atë ditë… në kullën tënde! Sa më shpejt të na rrëfehesh neve, shokëve të pushtetit, aq më mirë do të jetë për ty. Mbase nuk dëshiron ta vizitosh Burgun e Shkodrës!? I zoti i kullës në kodër e kuptoi se e kishte punën keq. I tha Kryetarit se shtëpia e tij kishte qenë bazë e Luftës, bile seli e shtabit partizan, se për dy javë i kishte pritur e përcjellë partizanët me ç’kishte pasur. Janë vetëm shtatë vjet në mes. Jo shtatëdhjetë. Të gjithë e dinë këtë gjë këtu. Ju keni ardhur nga larg dhe mbase nuk ua kanë thënë… Pastaj, shoku Kryetar, Partia ka letra, në mos në rreth, në Tiranë. Me siguri diku në dokumentet e Luftës është shkruar se ku qëndruan partizanët në kulmin e luftës, kur u çlirua krahina jonë.
Hëm, të thashë, kujtohu mirë, mos na trego neve përralla patriotike! Në shtëpinë tënde është vrarë një partizan. Pikë. Borizani i Brigadës X… Sulmuese. A nuk e ka lapidarin në cepin e oborrit tënd? Burri i kullës u trondit. Nuk po u besonte veshëve. Nuk po e mbanin këmbët. Çfarë po thoshte Kryetari i… shtetit? Si ishte mundur të përmbysej e vërteta aq papritur?

2
Kishte qenë mesi i tetorit ’44. Po vinte mesdita dhe një enë e madhe dheu ziente groshë me mish në kuzhinën që ishte në katin e parë të kullës. Befas kulla u drodh nga një predhë mortaje, si nga tërmeti. Komandanti thirri rojat që ishin jashtë dhe ata i thanë se po shtinin partizanët e batalionit të pestë nga ana tjetër e lumit, duke vrikuar për të kapur qendrën e Nënprefekturës. Komandanti vrau mendjen se si t’i bënte me dije ata të batalionit matanë (teksa ndërlidhja ishte ndërprerë papritur), se kishte ardhur më parë batalionit i tretë dhe ajo kullë kishte dy javë që nuk ishte më në duar të Reaksionit, por ishte kthyer në seli e shtabit partizan. Aty ishin vetëm një dorë partizanësh: vetë ai (komandanti), borizani, mjeku i batalionit, një partizan i plagosur, dy vajza partizane dhe dy rojet përjashta. Borizani ishte bërë i famshëm për borinë e tij, me të cilën jo vetëm ngrinte peshë batalionin e më pas Brigadën, sa herë lëshohej kushtrimi, por si njeri hokatar që ishte, improvizonte dhe pjesë muzikore duke argëtuar partizanët në kohën e pushimit. Njëra nga vajzat partizane, intendentja, nuk i ndahej dhe thurte ëndrra me të kur të vinte liria. Borizani do të mësonte në Konservator e do të bëhej muzikant, mendonte ajo. Sakaq, një tjetër predhë e gjuajti kullën dhe disa copa tjegullash ranë poshtë me rrapëllimë. Borizani nuk priti urdhër, por doli në oborr dhe i ra borisë, fort, gjatë… Por ata, andej matanë lumit, nuk donin t’ia dinin. Fundja bori kishin dhe të tjerët, kundërshtarët e tyre nacionalistë dhe mund të ishin ata duke i rënë. Në atë kaos, kur një palë ikte në dëshpërim dhe një palë tjetër vinte me trumpetë, ec e merre vesh se e kujt ishte ajo bori, që për herë të parë po e tradhtonte të zotin. Predhat sa vinin e shtoheshin mbi qoshet, trarët dhe dritaret e kullës. Atëherë komandanti i kërkoi borizanit të dilte në katin e tretë të kullës, pasi atje me siguri zëri i borisë së tij do të jehonte më shumë dhe do të dëgjohej nga shokët e tyre partizanë atje tej.
Borizani ngjiti me të shpejtë shkallët e drunjta të kullës, që kërcisnin nën hapat e tij të rëndë, nxori borinë në njërën nga dritarët e kullës dhe zëri i saj buçiti vetëm njëherë… pasi trupi i tij u shemb përdhe mbi dërrasat e çardakut. Atë çast boria kishte fluturuar nga dritarja e kullës e drejt e në oborr, si një shpend që sapo kishte dhënë shpirt.
Komandanti dhe i zoti i shtëpisë qenë dy të parët që e morën trupin e pajetë të borizanit dhe e ulën në katin e parë. “I ka lufta këto”, tha një frazë si për të qetësuar atë, apo vetveten komandanti. Burri i kullës ishte tepër i tronditur. Nuk kishte bërë vaki me vdek ndonjë luftëtar në kullën e tij. I pari ishte ky partizan i ri që i kishte hyrë në zemër. Nëse ai do t’i dinte zakonet e vendit, nuk do të dilte në dritare, ballazi me ata që shtinin nga përtej lumit, por do të kishte vajtur te sheshemi, do ta nxirrte që aty grykën e borisë dhe me siguri plumbi nuk do ta kishte zënë…
3
Në anët e Trebeshinës, andej nga kishte qenë borizani, kishin dalë fjalë se atë e kishin vrarë shokët e tij partizanë. Pa dashje. Kur i ati mori udhën për të takuar Komandantin në Tiranë, shokët e Ministrisë së Brendshme vendosën t’i dilnin përpara situatës. Si mund të pranohej nga lavdimëdhenjtë se kishin gabuar në Luftë, duke vrarë një shokun e tyre!? Kjo nuk mund të hahej. Partizanët kishin vrarë vetëm gjermanë e tradhtarë, por kurrsesi partizanë. Si mund të venin veteranët në shkolla e të thoshin, po, ne kemi gabuar ndo-një-he-rë, kemi vrarë pa dashje një shokun tonë, borizanin e Brigadës X… Jo, jo, as që mund të shkohej nëpër mend. Dhe kështu iu poq kulaçi burrit të kullës në kodër, që më pas do të shpallej kulak me farë e me fis. Partia sakrifikoi jo vetëm nderin e një kulle malesh, por dhe një bazë të vetën të Luftës, vetëm e vetëm për të mos pranuar as atë që vetë marksizmi e thoshte, që dhe dielli kishte njolla…

Epilog
Kur punëtorët po bëheshin gati të shembnin katin e tretë të kullës, i zoti i saj u ngjit në tavan dhe mori pushkën, që e mbante fshehur që nga koha e Luftës. Por, sapo ai ra aty te sheshemi, u dëgjua një krismë e thatë. Mbase arma i plasi në dorë. Mbase?!…
Atë pranverë nuk u shemb vetëm kati i tretë i kullës së “Kulakut”, siç do të thirrej ai më vonë, por të gjithë katet e treta dhe të katërta të kullave të asaj krahine veriore të dëgjuar në histori. Nuk mund të vazhdonin të ishin ashtu të larta, ato, duke iu bërë hije shtëpive të shokëve të Luftës…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.