MILOSAO

Pse nuk mundet arti jonë ta zbusë politikën?!

16:05 - 10.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Ben Andoni – Në këtë kohë krize të madhe politike dhe sociale të vendit duket se arti është krejt i tulatur. Ankohen dramaturgët dhe regjisorët se nuk ka pjesëmarrje në shfaqje, ankohen botuesit se nuk ka lexues të mjaftueshëm dhe gjithnjë e më pak, ankohen artistët se nuk ka frymë arti. Në fakt, jeta vazhdon dhe Tirana ka plot aktivitete kulturore. Ka ekspozita, shfaqje, filma, drama dhe aktivitete, por të gjitha kalojnë pa u ndjerë sepse peshën më të madhe e ka marrë politika dhe mjedisi i saj. Janë elementët e kësaj të fundit, që janë të ekspozuar më shumë se kushdo në televizor. Sërish janë këta që vendosin për fatet e vendit, këta që thirren për të dhënë mendime për gjithçka dhe më shumë akoma. Nëse do të kërkosh artistët ata janë strukur, në kërkim të frymëzimit, por edhe shpëtimit nga ky qerthull i frikshëm, ku të gjithë bërtasin dhe anatemojnë, por askush nuk di të kërkojë këtë stepje të artit dhe mesazheve të saj.
Pse tematikat në ekspozita dhe shfaqje nuk mund të penetrojnë tek njerëzit për t’i ushqyer me kategori estetike, që mund t’ua lirojnë shpirtrat?! Pse arti ynë nuk deklamon? Pse nuk apelon dot? Varfëria, mbijetesa, konjuktura i kanë tulatur paq artistët dhe kjo ndihet kudo. Njerëzit janë më të egër, fjalori publik është banal dhe krejt “i natyrshëm”, kurse gjërat sipërfaqësore i ndjen ngado.
Duket se e keqja ka zënë vend kudo por më shumë te politikanët, që pas kinse-staturave fshehin hone formimi dhe një mungesë totale të ushqimit kulturor. Dhe, kjo nuk duket vetëm nga leksiku i dobët i përdorur i tyre, shkrimi katastrofik përdorur në komunikim, lënë si dëshmi e mungesës së formimit por edhe nga mënyra e shprehjes. Më shumë akoma nga vizioni që kanë për kulturën.





Fakti është se sot libri po vuan taksa të rënda, publiku e ka të vështirë të tërheqë botimet, kurse shfaqjet po bëhen gjithnjë e më shumë me vështirësi. Ankesat vijojnë që nga projektet dhe vazhdojnë te mundësitë që i jepen artit.
A do mundej arti ta zbuste politikën?! Duket se të dyja janë anët e një mekanizmi që e ka lënë vendin tonë kaq pas. A ndodh ndryshe në vende të tjera? Në vetëm pak vende është në përpjestim të zhdrejtë ky fakt. Një shoqëri e shëndoshë dhe me kërkesa të larta prodhon art të shëndoshë sepse i duhet të ruajë mirëqenien e saj shpirtërore, ashtu si një vend i mbarsur me egërsi dhe inat dhe drejtuar nga një politikë inatçore është i destinuar të ketë ngërçe dhe një art me probleme. Paçka se këtu ka edhe shumë përjashtime dhe këtë e bëjnë individë me personalitet të lartë, që vetëdijen e tyre e vendosin në interes të shoqërisë për të emancipuar.
Cili nga artistët shqiptarë, megjithë përpjekjet e pakta që nuk mungojnë, mundohet t’i thërrasë shoqërisë, pa u përfshirë në politikë? Kush mundohet që artin e vet ta vendosë në funksion të ndriçimit të shoqërisë, pa futur në mes koeficientët politikë? Megjithë dëshirën e mirë dhe çfarë flasin nëpër emisione, ku më shumë nxjerrin kamjen dhe njohjen e tyre, shumë nga artistët tanë thjesht ia bëjnë me sy politikës. Për fat të keq, arti ynë nuk e ndihmon vendin sepse më shumë individi-artist do të duket sesa t’i shërbejë ushqimit estetik të shoqërisë. Shqipëria (lexo politikanët), nga ana tjetër, e tregon respektin ndaj artit me egërsinë e saj, por edhe varfërinë e madhe ku e ka lënë artistin e zakonshëm shteti shqiptar. Pakkush e do ushqimin shpirtëror të këtij vendi, atë që frymëzon dhe ndryshon, sepse pakkush do të ndryshojë realisht Shqipërinë. Arti ynë ka mbetur jetim në një shoqëri të mbushur me helm dhe plot agresivitet. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.