SHËNDET

Altin Çekodhima: Polipet në tëmth, rrezikshmëria që paraqesin

16:00 - 11.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Përveç gurëve, në tëmth mund të formohen edhe lezione që projektohen në brendësi të fshikëzës së kolecistës të quajtura polipe. Shumica e këtyre polipeve kanë natyrë beninje, por nuk mungojnë edhe rastet e polipeve malinje. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, mjeku gastroenterolog dhe endoskopisti, Altin Çekodhima tregon simptomat kryesore që shfaqin pacientët e prekur, llojet e polipeve të tëmthit si dhe rrezikshmërinë që mund të paraqitet për të sëmurët. Sipas mjekut, çdo polip i fshikëzës se tëmthit i shoqëruar me simptoma duhet hequr dhe shton se tek pacientët 60 vjeç e sipër, me polip sesil të madhësisë 10 mm ose më shumë, nëse gjatë ekzaminit të ekos endoskopike EUS ka indikime për malinjitet, rekomandohet kolecistectomia.




Çfarë janë polipet e kolecistës dhe si mund të zbulohet prania e tyre?
Lezionet që shfaqen prej murit të fshikëzës së tëmthit dhe projektohen në brendësi të saj quhen polipe të tëmthit. Në pjesën më të madhe të pacientëve ato diagnostikohen (zbulohen) rastësisht gjatë kryerjes së ekos abdominale ose pas heqjes së fshikëzës së tëmthit për shkak të gurëve ose kolikave biliare (dhimbjeve). Edhe pse shumica e polipeve të fshikëzës janë me natyrë beninje, në disa raste shfaqen edhe polipet malinje. Zbulimi i hershëm dhe marrja e masave të përshtatshme janë të rëndësishme për trajtimin kurativ dhe jetëgjatësinë.

Si klasifikohen këto polipe?
Qëllimi kryesor për menaxhimin e polipeve të fshikëzës se tëmthit është parandalimi i zhvillimit të tumoreve të tëmthit. Polipet e fshikëzës së tëmthit klasifikohen në beninj dhe malinje. Polipet beninje ndahen në: pseudotumore (polipe kolesterolinik, polipe inflamatore dhe hiperplastik); tumore epiteliale (adenoma); tumore mezenkimal (fibroma, lipoma dhe hemangioma); si dhe polipet malinje të fshikëzës së tëmthit që janë karcinoma (kancer). Ecuria jo e mirë e pacientëve me kancer të fshikëzës së tëmthit do të thotë që është e rëndësishme të bëhet dallimi i polipeve beninje, malinje dhe premalinje.

Mund të na shpjegoni në mënyrë më të detajuar rrezikshmërinë që paraqesin llojet e polipeve të sipërpërmendura?
Studimet e fundit kanë treguar se shumica e polipeve të fshikëzës së tëmthit janë me natyrë beninje (jokanceroze) dhe se 60-90% e tyre janë polipe kolesterolinik. Këto lloj polipesh zakonisht janë më të vegjël se 10 mm. Ndërkohë, polipet inflamatore janë të rralla. Ato kanë një incidencë prej 10% të rasteve dhe formohen si rezultat i ashpërsimit të mukozës nga një inflamacion kronik (i zgjatur në kohë). Ato janë më të vogla se 10mm dhe janë me natyre beninje (jo kanceroze). Adenomat gjithashtu janë polipe beninje, por mund të shfaqin natyrë premalinje me kalimin e kohës. Këto lezione zakonisht janë të pedunkuluar (me bisht). Shfaqen të vetme dhe mund të shoqërohen me gurë në fshikëzën e tëmthit ose kolecistit kronik (infeksion i zgjatur në kohë i tëmthit). Ato variojnë në përmasa nga 5-20mm dhe zakonisht janë të vetme. Adenoma e fshikëzës së tëmthit është e rrallë, por e mirëdokumentuar si tumor beninj epidelial. Adenomiomatosis ose polipet joinflamatore të fshikëzës së tëmthit mund të shfaqen tek pacientë të moshës së mesme. Incidenca rritet me rritjen e moshës. Përshkruar fillimisht si gjetje beninje, mbetet si lesion prekanceroz.

Cilat janë simptomat kryesore që nuk duhen neglizhuar nga pacientët?
Paraqitja e shenjave prej polipeve të fshikëzës së tëmthit janë jospecifike dhe të paqarta ose në disa raste nuk ka shenja fare. Për shumë arsye, shpesh polipet e tëmthit zbulohen rastësisht. Megjithatë, disa pacientë mund të kenë nauzea, të vjella dhe dhimbje në anën e djathtë, të sipërme të barkut. Ndonjëherë polipet zbulohen gjatë bërjes së ekos abdominale. Në mungesë të gjetjeve të tjera ato mund të konsiderohen burim i kolikave biliare, (dhimbjeve). Shenja të tjera të polipeve të fshikëzës së tëmthit janë dispepsia dhe ikteri (zverdhja). Shenjat që lidhen me pseudopolipet siç janë polipet kolesterolike, inflamatore ose hiperplastike përfshijnë: dispepsinë, dhimbje në anën e djathtë të barkut, diskomfort (ndjenje parehatie), kolecistit (infeksion i tëmthit) dhe gurë të tëmthit. Pacientët që riskojnë për polipe malinje të fshikëzës së tëmthit janë personat mbi 60 vjeç të cilët kanë gurë në tëmth dhe kolangit sklerozant primar. Polipet me risk të lartë janë ata më të mëdhenj se 6mm, të vetëm dhe sesilë (me bazë të gjerë).

Mund të përmendni disa prej testeve imazherike që përdoren për diagnostikim?
Ekoja abdominale është parë si ekzaminimi më i mirë i mundshëm për diagnostikimin e polipeve të fshikëzës së tëmthit, jo vetëm për koston më të ulët, por edhe sepse ka ndjeshmëri të mirë dhe është më specifike. Endosonografia (EUS) është konsideruar si metoda diagnostikuese më sensitive për polipet e fshikëzës së tëmthit. Gjithashtu, diagnostikimi me ultratinguj me rezolucion të lartë gjatë EUS për përcaktimin e diagnozës diferenciale të polipeve të fshikëzës, është shumë i saktë.

Kur lind nevoja për ndërhyrje kirurgjikale?
Çdo polip i fshikëzës se tëmthit i shoqëruar me simptoma (shenja) duhet hequr. Tek pacientët me faktor risku për malinjitet të cilët kanë polip më të madh se 6mm, ky polip duhet ta operohet patjetër. Pacientët pa faktorë risku janë kandidatë për eko endoskopike EUS për vlerësim të mëtejshëm. Ato polipe që gjatë EUS janë konsideruar me risk të lartë, duhen operuar. Heqja e fshikëzës së tëmthit duhet bërë vetëm në rastet kur kemi shenja klinike prej polipeve, prani të polipeve më të mëdhenj se 10mm, polipe që rriten shpejt, polipe sesile (me baze të gjerë), polipe me pedunkul të gjatë, pacientë mbi 50 vjeç, polipe në fshikëzën e tëmthit të pozicionuar në infundibulum, ose mure jo normale të fshikëzës së tëmthit.

Cilat polipe mund të kthehen në kancer dhe si veprohet në këto raste?
Ka shumë mundësi që polipe të fshikëzës së tëmthit më të mëdhenj se 18mm të kthehen në kancer. Polipe të fshikëzës që nuk mund të operohen duhet të ndiqen me eko periodike. Intervali i përsëritjes së çdo ekzaminimi është 6-12 muaj.

Mund të jepni disa rekomandime për pacientët e prekur nga polipet?
Tek pacientët 60 vjeç e sipër, me polip sesil të madhësisë 10 mm ose më shumë, nëse gjatë ekzaminimit të ekos endoskopike EUS ka indikime për malinjitet, rekomandohet kolecistectomia (heqja kirurgjikale e fshikëzës së tëmthit). Në qoftë se nuk ka shenja për malinjitet, duhet të bëhet ndjekja me të njëjtën metodë ekzaminuese pas 6 muajsh. Në qoftë se edhe pas 6 muajsh nuk kemi ndryshime në madhësi, konture dhe vaskularizim, ndjekja mund të individualizohet çdo 12 muaj. Për polipet me diametër 6-9 mm pa shenja malinjiteti, rekomandohet ekoja abdominale çdo 6-muaj. Nëse edhe pas 6 muajsh nuk ka ndryshime, ekoja rekomandohet çdo 12 muaj dhe më pas në qoftë se përsëri nuk shihen ndryshime bëhen ekzaminime të tjera vlerësuese. Polipet e fshikëzës së tëmthit më të vegjël se 6mm nuk ndiqen me eko nëse nuk tregojnë shenja për malinjitet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.