OPINION

Boll i bëmë mirë qeverisë të na bëjë keq!

07:16 - 12.03.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Po na ndodh si me atë hajdutin e fshatit që nuk kapej kurrë. Të gjithë e dinin që ai i vidhte pulat dhe madje edhe qengjat e njomë dhe që i shiste nuk merrej vesh ku. Por asnjëherë nuk u kap me presh në duar. Gjithnjë, sa herë ndodhte një vjedhje e re, në klub të fshatit shumë syresh e akuzonin fshatçe, me zë të lartë dhe përballë. Por nuk arrinin dot të faktonin vjedhjen. Prandaj dhe, me kalimin e kohës njerëzit në fshat nuk habiteshin më, madje nisën të mërziten me këto akuza. U qëllonte të bezdiseshin duke dëgjuar të njëjtin lakim emri, edhe pse vjedhjet nuk pushonin. Kur më në fund, një prej tyre e kapi hajdutin duke vjedhur në një nga kotecet e tij, me pulë në dorë dhe përhapi lajmin, askush nuk e besoi. Madje edhe shkuan dhe e zgjidhën hajdutin aty ku e mbante lidhur bashkëfshatari që e kapi, duke i dhënë mundësinë të largohej përgjithmonë nga fshati. Në qershor 2017, u zhvilluan zgjedhjet më të qeta të përgjithshme që kemi patur ndonjëherë. Në dy ditët e para, kur ende nuk dihej fituesi, nuk u kundërshtuan nga asnjë prej të treja palëve partiake në garë. Më vonë, nisi baleti i akuzave dhe kundërakuzave, kur u pa qartë kush ishte fituesi. Pastaj erdhi breshëri i akuzave për narko-shtetin dhe për lidhje të pazgjidhshme me trafikantët e drogës dhe krimin. Dhe sa më shumë dendësohej ky breshër dhe i mbante njerëzit të mbërthyer pas ekraneve me këto pseudolajme(ishte ushqimi i përditshëm i yni gjatë periudhës tetor 2017-janar 2019, praktikisht fandaksja jonë), pa asgjë të faktuar realisht, aq më shumë merrnin zemër hajdutët e mirëfilltë brenda qeverisë. Pse çdo qeveri ka hajdutët e vet. I korruptuari më i rrezikshëm është ai që harrohet. Të mbrojtur nga përqëndrimi i vëmendjes vetëm në hartimet-denoncime të deputetëve të papjekur të dy partive kryesore në opozitë, lidhur me të pabërat aspak të provuara të kësaj qeverie për lidhjet me trafikun e lëndëve narkotike dhe me kriminelët që mbronin këtë trafik, këta hajdutë me çizme të qeverise menduan të vidhnin rehat përmes tenderëve. Dhe e realizuan me sukses! Ka shumë të drejtë një përfaqësues i Partisë Demokratike (sot ende deputet dhe i mohuar nga të vetët), kur shprehet se janë vetëm 13 kompani që kanë marrë tenderët më të rëndësishëm qeveritarë në këto dhjetë vitet e fundit(2009-2018). Dhe që opozita i quan oligarkë dhe bën gjoja luftë shtrigash sot me ta(me shumicën e tyre ka bërë flërt dhe është mbushur me para prej tyre, kur ka qenë në pushtet), për të kanalizuar revoltën e njerëzve. Mirëpo sot  nuk kemi asnjë përfaqësues kompanish të huaja dhe me emër ndërtimi apo investimesh më në tenderët tanë më të rëndësishëm shtetërore. Pra, në ekonominë tonë kombëtare. Sikurse ndodhte në vitet 2002-2008. Kjo është një humbje e madhe, e shkaktuar nga një politikë kriminale ekonomike. Mos vallë tregu shqiptar dhe paraja akoma dhe më e shtuar për investime e taksave të qytetarëve të këtij vendi nuk ishte më tërheqëse për kompanitë e huaja? Jo! E vërteta qëndron se ato thjesht kuptuan lojën e trukuar të tenderëve tona qeveritare dhe nuk pranuan më të humbnin kohën e tyre, duke garuar për objekte investimi që ishin të paracaktuara kush do t’i ndërtonte. Dhe kështu u dhanë gjatë viteve 2009-2018 koncesione(si dhe në katër vitet e fundit, edhe kontrata të partneritetit publik-privat) me vlerë deri 4.8 miliardë euro! Dhe i morën këto 13 kompani vendase që përmend përfaqësuesi i sotëm kurajoz i Partisë Demokratike, ende në Kuvend(edhe i vetëm trim në luftë). Në tetor 2018, nga një zbulim gazetaresk, i erdhi radha hajdutit të fshatit tonë Shqipëri të kapej me presh ndër duar. Ata që vendosnin për tenderët kryesorë në ndërtimin e rrugëve i thanë oligarkut të radhës “Boll, nuk t’i japim më ty direkt këto 30 milionë euro tenderë, se ke marrë shumë dhe je bërë bozë! Shko gjej një kompani të huaj, mundësisht nga përtej oqeanit, në SHBA, se aty edhe nderohemi dhe bëjmë gjoja sikur po ia japim asaj, kur në fakt je prapë ti”. Dhe kështu u veprua. Vetëm se oligarku, i bindur që shtetin e kishte ndër duar(dhe e kishte vërtet), nuk u lodh të gjente një kompani prej vërteti nga shteti Delaware(shteti i dytë më i vogël i SHBA-ve, i vetmi shtet parajsë fiskale e biznesit vendas), për ta bërë ortak, ose të paktën t’i paguante një shumë simbolike përfaqësimi. Jo, oligarku thjesht e pa më të udhës ta “shpikte” atë. Kështu kishte më pak shpenzime. Pra, prodhoi letra false për një kompani po false. Dhe në pak ditë, kjo kompani fantazmë bëhet fituese e një gare tenderimi në Shqipëri me vlerë 20 milionë euro! Dhe më vonë fiton edhe 10 milionë euro të tjera nga një garë e dytë. Këtu hajduti me çizme u kap i lidhur tek gardhi i fshatarit. Këtu opozita e vendit kishte material boll ta bënte kauzë dhe të bindte shqiptarët se realisht i dhimbseshin paratë e taksapaguesve të shpërdoruara dhe tallura në këtë farë feje. Por jo. Opozita heshti. Heshti pse oligarku i lidhur me kompaninë e huaj false kapur ishte mik për kokë i saj. Dhe ndërsa qeveria, nën presionin edhe të protestës së studentëve në dhjetor 2018, në ditët e para të janarit 2019 ndërronte më shumë se gjysmën e ministrave të saj, hajduti i kapur, i ndihmuar edhe nga heshtja e opozitës, u largua nga gardhi. Pushoi së qeni më i lidhur. Prandaj dhe me tërë këtë tallovi të sotme të pseudoakuzave për narkoshtet dhe lëvizjeve politike jashtë sistemit, nuk kemi bërë gjë tjetër vetëm se vijojmë t’i “bëjmë mirë” kësaj qeverie, t’ia betonojmë të ardhmen e saj në pushtet, duke mos e mbajtur të përgjegjshme për shpërdorimin e parave të shqiptarëve. Dhe në këtë mënyrë, duke e lejuar të na bëjë keq. Beteja e sotme e opozitës, duke pritur pas 5 ditëve, më 16 mars protestën e madhe të radhës, është e pabukë për interesat tona reale si qytetarë. Kjo protestë nuk bëhet për hajdutin me çizme që u kap në tetor 2018. Jo. Bëhet thjesht pse opozita do pushtetin dhe rrit presionin mbi qeverinë për lëshime. Kurse ne si qytetarë duam mbrojtjen e parave tona.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.