BLUETOOTH

Ilda Mërkuri: Kur dhimbja kthehet në art

14:31 - 12.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ilda Mërkuri është vajza që ju rrëmbeu zemrat shqiptarëve nga radioja dhe televizioni. E diplomuar për gazetari ajo e ushtroi për shumë vite këtë profesion, por publiku më shumë e njeh si “Ilda e Super Starit”. Pasioni për muzikën ka bërë që gjithmonë të jetë në kontakt me të. Pas daljeve të shumta në “Top Fest”, realizimit të klipeve të ndryshme, Ilda Mërkuri solli hitin “Super Star”, që u shndërrua në një nga këngët më të dëgjuara dhe të dashura të shqiptarëve. Asnjëherë nuk e shkëputi marrëdhënien me radion dhe televizionin ku ishte një nga gazetaret e para që i bëri pjesë të emisionit ndjekësit me anë të sms-ve. Vitet e fundit ajo pati një shkëputje, duke iu dedikuar familjes. Ilda sot është martuar dhe është shumë e lumtur pranë bashkëshortit. Por, nëse menduat se gazetarja hoqi dorë nga jeta publike, e keni gabim. Ditët e fundit, ajo është rikthyer më në formë se asnjëherë, me një baladë të ndjerë, dedikuar dikujt që nuk jeton më. Mësojmë se Ilda ka humbur nipin në një aksident automobilistik dhe gjithë marrëdhënien me të e ka sjellë në këngën e lançuar së fundmi.




Si ka qenë rruga jote çdo mëngjes drejt studios së radios?
Rruga ime çdo mëngjes drejt radios ka qenë pa ndonjë gjë interesante, një kafe në mëngjes dhe në radio.

Çfarë e bën Ildën të veçantë nga gazetaret e tjera?
Nga gazetaret e tjera të veçantë më bën thjeshtësia e tepërt. Unë jam një njeri me këmbë në tokë dhe qëllim kam pasur argëtimin e të tjerëve, jo t’ju çaja dërrasat me marketing për veten.

Eksperiencat në “Top fest” sa kanë lënë gjurmë tek ty?
Ka lënë shumë gjurmë, sepse ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe ndër hapat e mia të para drejt muzikës. Më lidhi më shumë me publikun dhe me muzikën. Sigurisht, ishte shumë e mirë për kohën.

Projekti yt i fundit ka të bëj me humbjen e një njeriu të shtrenjtë. Sa e vështirë ka qenë të këndoje për të?
Ka qenë shumë e vështirë të këndoj për një engjëll që nuk e imagjinoja dot mos të ishte më mes nesh. Më shumë se e vështirë ka qenë e dhimbshme t’i këndosh dhimbjes. Janë një mori ndjenjash të përfshira bashkë, të cilat e bëjnë njeriun të mendojë se do të eksplodojë në moment. Por, ja që jo. Edhe dhimbja u kthyeka në art.

Mënyra më e mirë për të fshehur një dhimbje?
Mënyra më e mirë për të fshehur një dhimbje është të vazhdosh përpara dhe pse do të dhembë gjithnjë brenda vetes. Është mirë që edhe nga dhimbja të nxjerrësh diçka, të japësh një mesazh, ti tregosh dikujt që nuk është vetëm, të bindësh të tjerët që janë gjëra të jetës. Dhimbja nuk fshihet, thjeshtë njeriu mësohet të jetoj me të.

Si ia bën me njerëzit “mbytës”?
Me njerëzit mbytës, fare e thjeshtë’ mundohem t’i mbaj sa më larg kur i kuptoj. Ndoshta i lë pak kohë që ti kuptoj pse janë të tillë. Ama jam aq e fortë sa mos t’i lë të kenë ndikim tek unë apo jeta ime. Kështu që larg tyre.

Gjëja që të tërheq më shumë te bashkëshorti?
Gjëja që më tërheq më shumë te bashkëshorti, hmmm nuk veçoj dot asgjë sepse është perfekt ndaj është bashkëshorti im. Nuk kursehem kurrë për të treguar sa i mirë është dhe sa femër me fat jam. Ai është pjesa ime plotësuese, mendimi i parë dhe i fundit, gjithçka e bukur që kam. Ndaj të gjitha gjërat më tërheqin tek ai.

Për çfarë nuk kursehesh kurrë?
Mund të kursehem ndaj kritikave për dikë që të mos e lëndoj. Për sa i përket gjërave materiale nuk kursehem aspak, jam shumë dorëlëshuar dhe besoj se kjo gjë ka të bëjë me llojin e njeriut që je. Unë jam shumë bujare dhe zemërmirë ndaj nuk do te kurseja asgjë për askënd. Nëse mund të bëj diçka pse jo, do e bëja me shumë kënaqësi.

Cila ngjyrë e dominon tablonë e jetës tënde?
Tablonë e jetës sime e dominon e bardha. Unë mundohem të kem pranë vetes njerëz të mirë, të përjetoj situata të mira. Të jem e qetë. Prandaj them që është e bardha, sepse simbolizon paqe, mirësi, lumturi dhe janë gjendja ime shpirtërore.

Përveç muzikës, ku do e shohim Ildën?
Një gjë është e sigurt, që nuk do të mungoj më kaq shumë se ma kanë bërë vërejte këtë gjë. Veç projekteve muzikore kam edhe disa projekte të tjera që momentalisht nuk po i bëj publike, por do t’ia lë kohës. Për sa i përket gazetarisë, mbetet për tu parë në vazhdim nëse do t’i rikthehem përsëri televizionit apo jo. Shumë shpejt do të ketë të reja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.