Rajoni

Ivanov nuk dekreton ligjet me emrin Maqedonia e Veriut

09:17 - 12.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, refuzoi të dekretojë 11 ligje që janë miratuar me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.




Siç bënë të ditur shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për ligje në sfera të ndryshme në ekonomi, marrëveshje për bashkëpunim mes shteteve, marrëveshje për shërbimet e sigurisë, për shërbime në armatë, ligjin për komunikime elektronike, për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik e të tjera.

Ivanov, nuk i dekretoi ligjet me arsyetimin se “gjatë ushtrimit të funksionit, gjithmonë ka vepruar në bazë të betimit të dhënë se do të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Kuvendi bëri të ditur se kreu i shtetit nuk i ka dekretuar as ligjet që ishin miratuar me dy të tretat e votave, që kryesisht kanë të bëjë me reformat në gjyqësor, e që konsiderohen si kyçe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ligjet janë miratuar pas 11 janarit, kur edhe ishin miratuar ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ivanov e ka kundërshtuar Marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit, të arritur më 17 qershor, 2018, duke thënë se ajo nuk është në interes të shtetit.

Edhe më parë ai ka refuzuar të dekretojë ligje, si atë për përdorimin e gjuhëve dhe ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë.

Ivanov e ka arsyetuar me vlerësimin se “ligjet bien ndesh me Kushtetutën dhe rrezikojnë identitetin dhe gjuhën maqedonase”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.