Kryesore

Beskida Aliaj: Si të llogarisni saktë pensionet e pleqërisë

13:20 - 14.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Për llogaritjen e pensionit të pleqërisë sipas ligjit 104/2014, neni 18, i cili ndryshon nenin 32 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet si më poshtë: Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Ndërkohë shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. “Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 31 të ligjit 104/2014 ( i cili ndryshon nenin 59 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 ). Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.”,-thekson Aliaj për ‘GSH’. Kjo e fundit bën me dije për të gjithë të interesuarit se për ta pasur sa më të qartë këtë përllogaritje, është e nevojshme të dihet se çfarë përfaqëson pensioni social. Ndërkohë, sipas ligjit 104/2014, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e këtij pensioni social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Ndërsa masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumëzuar)BV ( baza e vlerësuar)




Baza e vlerësuar
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. “Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave”,-bën me dije Aliaj. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Ekspertja thekson se për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59.

Shembuj konkretë
“Për ta konkretizuar këtë problem po të marrim një pagë referuese për një specialist të lartë në ndërmarrje ekonomike, që aktualisht është e miratuar në masën 4.192 lekë, duke e shumëzuar me koeficientin 8,59, e indeksuar deri në periudhën aktuale jep një pagë prej 36.009 lekë. Ndërsa mbas vitit 1994, merren pagat respektive sipas viteve, të cilat duke u shumëzuar me koeficientët përkatës, japin pagën për efekt të llogaritjes së pensionit. Po të marrim një rast konkret; në vitin 2008, paga minimale ka qenë 14 830 lekë, duke u shumëzuar me koeficientin e indeksimit (i cili miratohet çdo vit me VKM), që është 1,48 jep pagën minimale prej 22.000 lekë. Po kështu dhe paga maksimale e cila ka qenë 74.150, kur shumëzohet me po këtë koeficient indeksimi jep pagën maksimale aktuale 97.030. Sigurisht pagat e ndërmjetme, me indeksimin sipas koeficientëve përkatës, do të na japin paga aktuale ndërmjet minimales e maksimales”,-thekson drejtoresha e patronatit INAS Albania.

Kjo e fundit konkretizon më tej duke treguar se në rast se marrim në mënyrë hipotetike që një punonjës para vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 15 vitesh dhe paga mesatare e indeksuar rezulton në një shumë prej 25 000 lekë dhe mbas vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 22 vite me një pagë mesatare të indeksuar prej 30 000 lekësh, atëherë baza e vlerësuar do të llogaritet:
Baza e vlerësuar = (15*25.000 lekë + 22 * 30.000 lekë) : 37 (vite gjithsej ) = 28.000 lekë. Pensioni mujor = ( 6.750 *37/35,7 )+ (1/100 *37*28.000) = 6.996 + 10.360 = 17.356 lekë. Sipas nenit 33 të ligjit 104/2014, i siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie sipas nenit 43 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes. “Në rastin e mësipërm, në qoftë se, ky person ka punuar mbi moshë për një periudhë prej 1 viti e 6 muaj, shtesa mbi pension do të llogaritet, 18 muaj * 0,5 = 9% * 17.356 = 1.562 lekë. Në këto kushte pensioni që do të përfitonte aplikuesi do të ishte i barabartë me shumën: 17.356 + 1.562 = 18.918 lekë”,-thotë Aliaj.

Koeficientët e indeksimit të pagave

Për pagat referuese deri më 1.1.1994 8.76;
¨Për pagat e vitit 1994 8.76;
¨Për pagat e vitit 1995 7.05;
¨Për pagat e vitit 1996 5.47;
¨Për pagat e vitit 1997 5.47;
¨Për pagat e vitit 1998 4.57;
¨Për pagat e vitit 1999 3.71;
¨Për pagat e vitit 2000 3.38;
¨Për pagat e vitit 2001 2.89;
¨Për pagat e vitit 2002 2.67;
¨Për pagat e vitit 2003 2.39;
¨Për pagat e vitit 2004 2.17;
¨Për pagat e vitit 2005 1.97;
¨Për pagat e vitit 2006 1.79;
¨Për pagat e vitit 2007 1.71;
¨Për pagat e vitit 2008 1.51;
¨Për pagat e vitit 2009 1.39;
¨Për pagat e vitit 2010 1.33;
¨Për pagat e vitit 2011 1.28;
¨Për pagat e vitit 2012 1.23;
¨Për pagat e vitit 2013 1.18;
¨Për pagat e vitit 2014 1.18;
¨Për pagat e vitit 2015 1.02;
¨Për pagat e vitit 2016 1.02;
¨Për pagat e vitit 2017 1.00;
¨Për pagat e vitit 2018 1.00;
¨Për pagat e vitit 2019 1.00.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.