KULTURË

Letra e ndjerë e vajzës së Agollit për vëllain: Vuaje për babin, ishe hija e tij

15:00 - 14.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elona Agolli, vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli ka bërë dje një postim të ndjerë në “Facebook”. Dy vite pas ndarjes nga jeta të Dritëroit dhe pak ditë pas ndarjes nga jeta të nënës Sadije, ajo i kujton vëllait porositë që u kanë lënë prindërit. “Jeni bashkë, duajeni njëri-tjetrin, mos u ndani kurrë në dhimbje e në gëzim’, na thoshin. Vëllai im, motra të do fort. Bashkë do vijojmë të përmbushim ato pengje e amanete të prindërve. Bashkë do luftojmë që emri i prindërve tanë të kujtohet ngaherë”, shkruan Elona. Ajo nxjerr në pah edhe talentin e të vëllait në letërsi kur shkruan se, “frymëzoheshe i vogël duke parë babin e nise të shkruaje edhe ti. Fletoret i fshihje pasi kishe drojë nga babi autoritar. Poezitë e tua qarkullonin dorë më dorë e mësoheshin përmendësh nga shokët e tu”. Por, sjell në vëmendje edhe kohë të vështira që ka kaluar familja e tyre. “Rinia të erdhi e trazuar. Vite të dhunshme. Tronditje, shkundje sistemesh, shembje e kulturave dhe standardeve të komunikimit shoqëror. Vuaje deri natën vonë ulërimat dhe sharjet histerike ndaj babit. Prekeshe shumë, ishe i ndjeshëm dhe zgjodhe të largoheshe”. Djali i të ndjerit Agolli ka preferuar gjithnjë të qëndrojë në heshtje, duke ruajtur profil të ulët publik, ndonëse prindërit e tij kishin vëmendjen e mediave dhe botës intelektuale në vend.
Më poshtë, fjalët së motrës.





POSTIMI I PLOTË I ELONA AGOLLIT
13 Mars Tanit, vëllait tim, Babi të thërriste përherë Artan, nuk i pëlqente të shkurtonte emrin. Dhe emri yt i bukur e ka një histori, histori e lidhur me një miqësi te fortë të prindërve tanë me Xhaxhi Endrin (siç e thërrisnim fëmijë Endri Kekon) dhe teta Xhanon (Xhanfize Keko). Atë ditë që linde ti babi shkruante poezinë “Vëllai” (Një njeri të vockël mamit se kush ia dha të vockël sa s’qëndron dot në këmbë. Babi thotë se është tri pëllëmbë e ca, Po ç’ne! Nuk është as dy pëllëmbë!) Atë ditë, gjyshja ime e mençur, Xhexheja, fluturonte nga gëzimi dhe kurorëzim të këtij shendi kishte vënien e emrit. Dhe ajo duhej t’i paraprinte “dinastisë shkodrane”, siç e quante me të qeshur fisin e mamit. “Shpejt Endri, t’i vemë emrin djalit, se na takon neve, apo jo?”

-Epo ta gëzojë, Artani emrin. Xhaxhi Endri e kishte në mend dhe menjëherë ai nuk e bëri dysh fjalën e gjyshes sonë dinake e të mençur.
Kështu vëllai im, u rritëm fëmijë të gëzuar, me prindër të rrallë (disi edhe na mungonin pasi dashuria për ne kishte një konkurrent të madh, dashurinë për krijimin, poezinë letërsinë). Orët e pagjuma të babit i ndjenim përmes trak-trukut të makinës së shkrimit, përmes mjegullit të dendur të tymnajës së cigares (oxhaktore e madhe do duhej-thoje shpesh, që të thithte tërë këtë tym). Frymëzoheshe i vogël duke parë babin e nise të shkruaje dhe ti. Fletoret i fshihje pasi kishe drojë nga babi autoritar. Poezitë e tua qarkullonin dorë më dorë e mësoheshin përmendësh nga shokët e tu.

Ishe i talentuar vëllai im, por nuk të pëlqente asnjëherë të ishe hije e pemës së madhe e të harlisur, hije e babit tënd. Ishe edhe rebel, i thoje hapur pakënaqësitë e jo pak herë ke provuar qortime edhe të rënda nga babi. Duhej të rriteshe edhe më, që të flisje e mirëkuptoheshe hapur fare, me babin. U bëtë shokë më pas. Kur babi shkonte jashtë Tirane, në rastet kur mami nuk e shoqëronte, shkoje ti. I mban mend Dajtin, Shëngjinin, Velipojën, Dhërmiun, Vlorën, aty ku babi shkruante apo përfundonte veprat e nisura?
Rinia të erdhi e trazuar. Vite të dhunshme. Tronditje, shkundje sistemesh, shembje e kulturave dhe standardeve të komunikimit shoqëror. Vuaje deri natën vonë ulërimat dhe sharjet histerike ndaj babit. Prekeshe shumë, ishe i ndjeshëm dhe zgjodhe të largoheshe. Kalove si shumë të tjerë vite të vështira larg familjes. Letrat e mamit ishin të panumërta: poezitë e babit po ashtu (mbase kujtohet im bir arratisur në botë, dhe prish heshtjen e dhjamur mbi telefon! Ah, kjo cigare që pi është e fortë, e ndiej kur në gjoks më shtrëngon – poezia ‘Pritja’). Edhe motra vuante largësinë e vëllait. Kaluan vite, krijove familje, përjetove dhimbjen e humbjes së babit, e atë që nuk e kishe menduar kurrë, edhe largimin nga jeta të mamit.

Ishim përgatitur të festonim këtë 50-vjetor tëndin të gjithë së bashku, të gëzonim mamin e të ngrinim dolli. Por mami na la. Nuk priti dot, shkoi pranë babit. “Jeni bashkë, duajeni njëri-tjetrin, mos u ndani kurrë ne dhimbje e në gëzim” – kështu na këshillonte ngaherë. Vëllai im, motra të do fort. Bashkë do vijojmë të përmbushim ato pengje e amanete të prindërve. Bashkë do luftojmë që emri i prindërve tanë të kujtohet ngaherë. Gëzuar datëlindjen, vëllai im! Numri 13 për ne është fatsjellës, pasi festojmë dy data të shënuara, datëlindjen tënde në pranverë dhe datëlindjen e babit në vjeshtë. Rrofsh vëllai im.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.