SPORT

Tirana dërrmon Laçin dhe sheh nga gjysmëfinalja

13:26 - 14.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Tirana kishte pritur plot tre vjet për të gjetur një fitore ndaj Laçit, me kurbinasit që i kishin dominuar në vitet e fundit bardheblutë, por rritja e skuadrës së Ardian Memës në muajt e fundit është e prekshme për këdo në ambientin kryeqytetas. Në Kupën e Shqipërisë, Tirana ka treguar dhe njëherë potencialin e saj, duke dominuar Laçin në lojë dhe në rezultat, për të shpërthyer me tre gola në fraksionin e dytë, që praktikisht u siguron bardhebluve një biletë në gjysmëfinale, ndonëse janë ende 90 minuta për t’u luajtur në Kurbin. Golin e parë për Tiranën do ta shënojë Majkëll Ngo, me anglezin që shfrytëzon në perfeksion harkimin e nga e majta të Imamit dhe me kokë thyen Selmanin në minutën e 53-të. Shtatlarti i sulmit bardheblu do të gjejë rrjetën sërish 12 minuta më pas, kur lëviz mirë në zonë dhe me të djathtën thyen Selmanin për herë të dytë në këtë takim. Laçi i dorëzohet furisë bardheblu, që shënon dhe golin e tretë me Edon Hasanin, që finalizon saktësisht një zbritje mjaft të mirë të Ngosë dhe Kobinas. Laçi do të përpiqen të shënojë një gol shprese, por aksionet e bardhezinjve janë të vakëta, me kurbinasit që do të kenë nevojë për një mrekulli për të përmbysur këtë Tiranë në sfidën e kthimit.




Mema: Nuk ka mbaruar asgjë
Ardian Mema është i kënaqur me fitoren, por pavarësisht kësaj, ai kërkon të shmangë në maksimum euforinë, ndonëse gjysmëfinalja është më pranë. “Nuk jam shumë i kënaqur, sepse kemi pasur edhe probleme. Gjithsesi rezultati të kënaq. E kishim përgatitur mirë ndeshjen me Laçin, në 2-3 mënyra. Ekipi u shpreh mirë në pjesën e dytë, zbatuan detyrat që u kisha dhënë. Është rezultat i mirë, na jep garanci. Laçi nuk është ekip i dobët, pavarësisht si e gjetëm sot (dje). Besoj se Tirana e ka kontingjentin për ta përballuar kampionatin. Lojtarët që nuk kanë luajtuar kanë uri për të luajtur. Në momente që nuk ke arsye të bësh ndërrime, s’ke pse t’i bësh. 2019-ta ka treguar se kemi qenë mirë. Ka pasur edhe zëvendësime, por nëse ka rezultate, nuk ka pse të bëhen ndryshime”.

Prenga: Nuk po luajmë fare mirë
“Nuk e kisha përgatitur ndeshje për ta pritur Tiranën. Ne kemi kohë që nuk luajmë hiç. Nuk kemi pësuar humbje të tilla. Kemi luftuar për topin e parë. Ndërsa sot (dje) nuk bëmë asgjë. Ishte fitore e merituar e Tiranës. Do jetë shumë e vështirë ta fitojmë Kupën. Luajtëm përballë një ekipi shumë më të mirë se ne. Ka kohë që ne nuk po luajmë hiç. Edhe ndeshjen me Partizanin nuk e di as unë si e morëm. Ndeshja u dominua nga Tirana, nga të gjitha anët. Unë nuk dorëzohem. Ne besojmë ose mendojmë që të ndodhë diçka tjetër. Po nuk ndryshuam, ne ngjajmë me ekip veteranësh, jo me ekip serioz. Është koha për të ndryshuar diçka. Nuk bëjmë asnjë gjë. Presim minutat të kalojnë. Nuk mund të dilnim më mirë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.