OPINION

Zgjedhjet evropiane, sondazhet dhe negociatat

07:40 - 14.03.19 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vetëm 70 ditë na ndajnë nga 23/26 maji, kur në të 27 vendet anëtare të BE-së do të zhvillohen zgjedhjet e reja për 700 vende në Parlamentin Evropian. Kjo ndodh në 40-vjetorin e zgjedhjeve të tij të para të drejtpërdrejta dhe përvjetorin e 30-të të shembjes së Murit të Berlinit.




Por, vështirë të ishte menduar se për shkak të krizave, konflikteve, Brexit dhe dukurive të tjera serioze të njohura tashmë, këta dy jubile historikë do ta gjenin BE-në dhe vetë Parlamentin Evropian në  gjendjen më të nderë.

Ndërkohë, pavarësisht nga premtimet dhe thirrjet për mobilizim në vende të ndryshme, ende shumë pak lëvizje politike efektive dhe frymëzuese po bëhen nga forcat e moderuara politike përballë ofensivës agresive të partive populiste dhe ekstremiste antievropiane. Dhe projekti i Evropës së Re, që presidenti francez Macron lançoi më 5 mars ka hasur në shumë kundërshtime, duke përfshirë edhe “binjaken”  e tij evropiane, Gjermaninë.

Këtë gjendje të amullt e konfirmojnë edhe disa  sondazhe, të cilat nuk të “ngrohin” aspak dhe tani kur këto zgjedhje po trokasin te portat e BE-së.

Sot po ndalemi me disa komente të shkurtra në  sondazhin e fund javës së kaluar të institutit të specializuar gjerman “INSA” në bashkëpunim me homologë të tij në gjashtë vende kryesore të BE-së. E reja tronditëse që pritet të ndodhë sipas këtij sondazhi më 26 maj, është rritja e ndjeshme e numrit të eurodeputetëve nga forcat populiste, ekstremiste dhe euroskeptike, që po grupohen së bashku në Europarlamentin e ri. Vendin e parë e zë “Lëvizja Evropiane e Kombeve dhe Lirisë”, që pritet të sigurojë 65 ose 37 vende më shumë se në 2014-ën, kur u themelua. Liderja tradicionale këtu është “Bashkimi Kombëtar” i Le Penit, që në zgjedhjet presidenciale 2017 në Francë fitoi 23 për qind të votave.

Po kështu mund të thuhet për pritshmëritë e “Lega  Nord”, që në zgjedhjet një vit më parë në Itali fitoi 33,4 për qind, duke “përzënë” nga qeveria social-demokratët bashkë me Lëvizjen e Majtë “5 Yjet”. Aleatë të tjerë të këtij koalicioni janë FPO-ja austriake me 24 për qind, e cila qeveris prej mbi një viti me konservatorët. Po ashtu, PiS në pushtet në Poloni ka 42 për qind të votave si dhe tri vendet e tjera të Visegradit.

Kjo Aleancë e ekstremit të djathtë ka fituar në vendet e ndryshme, kryesisht për shkak të gabimeve dhe dështimeve të partive tradicionale në përballimin e krizave të mëdha financiare si në Itali, Spanjë, Greqi, Portugali dhe gjetkë. Duke qenë për një periudhë të gjatë në opozitë, ato e kanë fare të lehtë të bëjnë kritika, denoncime, protesta, ankesa. Ndërkohë, në vend të alternativave bindëse nxitojnë me deklarime dhe premtime joshëse të parealizueshme, por që tingëllojnë “muzikë” në veshët e elektoratit të zhgënjyer me partitë tradicionale.

Por, objektivi i tyre është që në aleancë me grupime të tjera të bëjnë të mundur të fitojnë 1/3 e vendeve në Europarlament, duke ua vështirësuar jo pak jetën dhe punën dy partive tradicionale dhe institucioneve evropiane.

Fituesit e dytë të mëdhenj pritet të jenë liberalë/demokratët evropianë (ALDE), të cilët sipas sondazhit do të sigurojnë 101 eurodeputetë nga 68 që kanë aktualisht. Kjo shpjegohet kryesisht me rolin e partisë centriste “En Marche” të presidentit Macron; gjithsesi, duke pasur parasysh protestat e dhunshme të muajve të fundit në Francë ka vend për dyshime në rezultatin e tyre të pritshëm.

Efekt tjetër pozitiv japin liberalët në Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe në vende të tjera, që kanë kapur kuotat 20 për qind. Nisur nga roli dhe profili i tyre i theksuar evropian, ky përbën lajm të mirë për të djathtën e moderuar.

Të Majtët (komunistët e reformuar) parashihet të kenë 29 ose vetëm një eurodeputet më shumë se më 2014, duke pasqyruar “vendnumëro-në” e tyre politike pothuajse kudo ku janë aktivë. Madje, ata kanë humbur pozitat drejtuese edhe në ish-lindjen gjermane, duke ua lënë vendin ekstremistëve të “Aleanca për Gjermaninë” (AfD), që me mbi 10 për qind, parvjet u fut për herë të parë me 93 deputetë edhe në Bundestagun gjerman. Atyre u kanë “hyrë në pjesë” dhe forca të tjera të majta ekstremiste si “5 Yjet” italianë, ata spanjollë, belgë, grekë etj.. Dy javë më parë, këto të fundit vendosën krijimin e një aleance të re majtiste, që do të konkurrojë më 26 maj.

Sipas sondazhit të lartpërmendur, dy humbësit më të mëdhenj do të jenë Grupi i Partive Popullore (EPP) dhe i Social-Demokratëve Evropianë (S&D).

EPP do të humbasë minimumi 43 vende në Europarlament nga 217 që ka tani. Kjo, si pasojë e mungesës së Britanisë së Madhe, konservatorët e së cilës zinin një peshë të madhe, rënies së ndjeshme të CDU/CSU-së gjermane, që gjithsesi është në pushtet e sidomos të atyre italianë, francezë, spanjollë etj.. Qenia për një kohë të gjatë në pushtet dhe mospërballimi efektiv i krizave të njohura dhe skandaleve të ndryshme kanë çuar në gërryerjen e ndjeshme të terrenit të së djathtës tradicionale në politikën e tanishme. Shkak tjetër është largimi i partisë “Fidesz” të Viktor Orban nga EPP, që mund t’i shkaktojë EPP-së humbjen e 13 vendeve të tjera në Europarlament.

24 vende pritet të humbasë edhe Partia e Konservatorëve Reformatore (ECR) nga 75 që ka, kryesisht për shkak të largimit të Britanisë së Madhe.

Edhe Të Gjelbërit do të humbasin 8 nga 52 që kanë aktualisht. Kështu, rritja e tyre në Gjermani dhe në Belgjikë nuk sjell ndonjë ndikim të madh përballë vendeve të tjera ku ata janë në rënie.

Gjithsesi, gjasat më të shumta janë që humbësi më i madh të jetë Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) që mund të humbasin mbi 45 vende, nga 195 që mbajnë aktualisht dhe me vështirësi do ta mbajnë vendin e dytë, nëse nuk do të ketë surpriza edhe më të pakëndshme për ta.

Kjo, për shkak të mungesës së social-demokratëve britanikë dhe gjendjes së tyre katastrofike pa rrugëdalje. As “me gisht nuk numërohen” partitë social-demokrate në pushtet, me përjashtim të Gjermanisë, ku janë prej vitesh në koalicion, por kur kanë rënë në nivelin më të ulët historik me 15 për qind; në Rumani mes skandalesh të shumta, në Suedi me koalicion dhe në ndonjë vend tjetër. Edhe në Spanjë ku ishin për disa muaj në qeveri, pritet të bien në zgjedhjet e reja të parakohshme.

Kurse në Francë, Itali, Poloni, Portugali, Holandë, Greqi dhe gjetkë social-demokratët janë në kufijtë e mbijetesës politike, duke humbur kështu edhe karakterin si “parti popullore” dmth., masive. Dhe forumet e tyre drejtuese evropiane dhe botërore, PSE dhe IS nuk mund të ndihmojnë dot, sepse liderët e tyre të panjohur përfaqësojnë vende humbëse si Bullgaria, Greqia, Holanda, etj.

Ky dështim spektakolar është pasojë e largimit të tyre të skajshëm nga mbrojtja e shtresave sociale tradicionale që përfaqësojnë, rinia dhe studentët, pensionistët dhe të papunët. Ato kanë bërë kauzë të përbashkët me të djathtët kryesisht reformat, shkurtimet dhe kursimet, rritjen ekonomike, por me pabarazi në rritje; për pasojë, barra e krizës ka goditur sa nuk mban më elektoratet dhe simpatizantët e tyre. Së fundi, mungesa e liderëve karizmatikë, vizionarë dhe të besueshëm është dhe më dekurajues për të ardhmen e këtyre partive. Schrőder, Blair, Gonzales, D’Alema, Jospin, Kvansnievski, Rasmussen, A.Papandreu kanë mbetur kujtime të largëta dhe pa pasardhës të denjë si asnjëherë më parë.

Për pasojë, dy partitë e mëdha që tradicionalisht kanë siguruar shumicën e votave me një konsensus të përhershëm rrezikohet të humbasin “hegjemoninë” e tyre. Kështu, ata do të detyrohen t’u luten për ndihmë forcave të tjera, sidomos Liberalëve ose të Gjelbërve, për të vijuar këtë traditë vendimmarrëse. Mirëpo kjo do të ketë pasojat e veta në procedurat e gjata të miratimit të Presidentit të Komisionit Evropian, të Këshillit dhe të Shërbimit të Jashtëm si dhe në gjithë vendimet e tjera.

Në këto kushte, gjatë këtyre 70 ditëve të mbetura, vëmendja e 27 vendeve anëtare të BE-së do të përqendrohet tërësisht në betejën jetike zgjedhore, programet, emrat e kandidatëve, logot, me një katalog tematik të superngarkuar si asnjëherë.

Aty mungon zgjerimi evropian, sepse kjo temë tashmë nuk është “sexy”, nuk frymëzon kënd dhe kryesorja nuk jep vota, por vetëm “dhimbje koke”.

Ndaj, dhe gjasat për vendimin për çeljen e negociatave në qershor janë natyrshëm në minimumin e vet, por jo të pamundura, sidomos nëse më 26 maj do të ketë surpriza të favorshme për partitë tradicionale pro-evropiane dhe mbi të gjitha, të dyja krahët e politikës te ne do të bëjnë ndonjë “mrekulli” për qartësimin dhe qetësimin e gjendjes së brendshme, pa i bërë kurrsesi “kurban” negociatat. Ndryshe, “namin” të bëjë Komisioni dhe Parlamenti Evropian, pa “Po”-në e secilit vend anëtar dhe performancën tonë nuk mund të ketë çelje  negociatash.

Ndonëse në MPJ-në në Tiranë ka stafe të specializuara dhe me përvojë për negociatat, kurse në Bruksel kemi një përfaqësi diplomatike model, tejet e aftë dhe të përkushtuar, me një ambasadore të kudondodhur dhe 100 për qind e stafit diplomatë karriere, që gëzojnë respekt në institucionet evropiane, në Belgjikë dhe Luksemburg, sërish kjo nuk mjafton.

Gjithsesi, edhe nëse na ikën qershori, janë të gjitha gjasat që ky vendim të merret në vjeshtë dhe negociatat të çelen në fund të vitit. Ndaj, me të drejtë, krahas MPJ-së, edhe Kuvendi, Presidenca, edhe dikasteret e linjës po punojnë intensivisht në këtë drejtim; kjo do të bëjë të mundur që kur gjithçka të jetë qartësuar dhe të kenë filluar nga puna institucionet e reja evropiane në vjeshtë, Shqipëria të pohojë me gojën plot “jemi gati” dhe Këshilli i BE-së të na thotë “Mirë se vini”. Aq më tepër që më 1 janar 2020, Shqipëria do të marrë edhe kryesimin e OSBE-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.