AKTUALITET

Kredia konsumatore arriti në 47.4 miliardë lekë në fund të 2018-ës

15:31 - 15.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kredia konsumatore u rrit me 8% gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë konsumatore dhënë nga sistemi financiar arriti në 47.4 miliardë lekë, ose rreth 380 milionë euro. Sipas të dhënave të Bakës së Shqipërisë, mësohet se rritja më e lartë ka ardhur në segmentin e kredisë së mirëfilltë konsumatore, të akorduar për blerjen e mallrave jo të qëndrueshëm. Në fundin e vitit të kaluar, portofoli i kredisë bankare për këtë qëllim arriti në 27.8 miliardë lekë, me një rritje prej afro 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në rritje, por me ritëm më të ngadaltë është kredia për mallra të qëndrueshëm, që arriti në 19.6 miliardë lekë, 3.7% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2017. Kredia për blerjen e mallrave të qëndrueshëm u referohet kryesisht blerjeve në vlera të mëdha, siç mund të jenë automjetet, pajisjet elektronike dhe elektroshtëpiake apo mobiliet. Analizat e Bankës së Shqipërisë vendosin përtëritjen e konsumit të sektorit privat, si faktori më përcaktues për rritjen ekonomike. Sipas INSTAT, norma e rritjes vjetore të konsumit për 9-mujorin 2018 ishte 3.4%, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia konsumatore është një nga faktorët që po mbështesin gjallërimin e konsumit privat në vend.




Çlirimi i kreditimit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i bëri thirrje sistemit bankar të gjejë rrugë për të rritur kreditimin e ekonomisë. Pak kohë më parë, Sejko tha se, edhe duke mirëkuptuar problemet nga ana e kërkesës, huadhënia është shumë larg potencialeve. Në fund të muajit tetor të vitit të shkuar, portofoli i kredisë për ekonominë ishte në rënie me mbi 20 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, rritja e qëndrueshme ekonomike e vendit nuk është e mundur pa rigjallërimin e kredisë bankare. Sipas tij, sektori bankar ruan kursimet e shqiptarëve dhe ka për detyrë që këto kursime t’i vendosë në dispozicion të rritjes dhe të zhvillimit të vendit. Ai kërkoi nga bankat propozime konkrete për masa që do të mund të kontribuonin në rritjen e kreditimit dhe shtoi se Banka e Shqipërisë do të jetë gjithmonë mbështetëse e këtyre nismave. Sipas bankës qendrore, rritja e konsumit është mbështetur gjithashtu nga rritja e punësimit dhe të ardhurave nga puna, si edhe përmirësimi i besimit të konsumatorëve.

Strategjia
Banka e Shqipërisë ka renditur si një ndër projektet afatmesme reduktimin e mëtejshëm i stokut të kredive me probleme. Gjatë periudhës afatmesme në vijim, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë do të konsistojë në drejtim të: zbatimit të plotë të masave të parashikuara në Planin Kombëtar për Kreditë e Këqija, monitorimit të kujdesshëm të praktikave të bankave për krijimin e fondeve rezervë për humbjet nga kreditë, zhvillimit të tregut për shitjen e kredive me probleme, nxitjes së bankave drejt zbatimit të planeve të rimëkëmbjes së kredimarrësve të mëdhenj dhe orientimit të kredisë së re në sektorë të shëndetshëm të ekonomisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.