BLUETOOTH

Rikthehet Bledi Strakosha: Nga restoranti në dhomën e gjumit, një ‘reality show’ për të njohur personazhet VIP

12:21 - 16.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj Vjen “Me Bledin”, flet gazetari: Edi Rama dhe Dua Lipa, ja personazhet që preferoj më shumë – “Ndjek instinktet e mija, shkoj pas asaj që më thotë trupi, mendja e zemra”




16 vite më parë, atëherë kur formatet e sotme të “showbiz”-it dhe intervistat me personazhet e njohur ishin thuajse inekzistente, spikati emisioni “Blue”, e cila nisi transmetimin në vitin 2003. Ndërkohë që pati një shkëputje disavjeçare, ditën e djeshme hapi siparin simotra e këtij emisioni, e drejtuar po nga i njëjti moderator, e njëkohësisht ideator i programit, Bledi Strakosha, i quajtur “Me Bledin”. Projekti më i ri u përshtatet modernizimit të viteve ku jetojmë dhe stili të jetës së personazheve, duke i sjellë më afër me publikun thuajse një “reality show”. Në bazë ky program ka bisedën me Bledin, ku personazhe të njohur do të rrëfejnë disa sekrete të jetës së tyre. Ndërkohë për të rrëfyer më tepër rreth kësaj risie, Bledi Strakosha, në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” rrëfen prapaskenat e “Me Bledin”, një “night show” mund të themi. Për të njohur më në intimitet personazhet e për t’i parë ata edhe të çliruar nga petku i personit publik, Bledi sjell në formatin më të ri të zhvilluar në ambientet luksoze të hotel “Plaza”. I gjithë emisioni është konceptuar të ndërtohet në ambiente të ndryshme: restorant, palestër, SPA, në dhomën e gjumit etj. “Në restorant do të jetë më e përgjithshme si bisedë, rreth karrierës, familjes, fëmijërisë. Në palestër do flasim për kujdesin estetik dhe shëndetin, ndërsa në dhomën e gjumit nuk do jemi domosdoshmërish në shtrat. Kjo varet nga sportiviteti i tyre dhe konfidencialiteti që kemi me ta. Shtrati është më tepër simbolik sesa real. Supozohet që biseda të jetë e fokusuar te zgjedhjet personale: dashuritë e para, mendimet që kanë rreth martesës etj.”, ka thënë Bledi.

 Pas një shkëputjeje 16-vjeçare, i riktheheni sërish ekranit me emisionin që hapi siparin e shumë të tjerëve në vijim, “Blue”, tashmë me një tjetër emër, “Me Bledin”. Pse pikërisht tani ky rikthim?

“Bluja” solli një risi, sepse ishte një format ku flitej për jetën me personazhet dhe flitej pa një kohë të kufizuar televizive. Ka pasur edhe emisione që kanë zgjatur 2 orë e gjysmë. Solli vëmendjen e parë ndaj jetës së personazhit në një hapësirë televizive. I rikthehem “Blusë” me titullin, “Me Bledin”, pas kaq vitesh në një format që ngjason me të në kuptimin që u dedikohet tërësisht të ftuarve, por mënyra se si zhvillohet është shumë më moderne, bashkëkohore dhe miqësore. Kur bëja “Blunë” isha 24 vjeç dhe këta personazhe ishin idhujt e mi. Ndërsa sot jam 40 vjeç, kështu që mund të them që shumë nga personazhet që ftohen në programin “Me Bledin”, unë tashmë i njoh prej vitesh, sepse kam bashkëpunuar prej kaq kohësh. S’do të jetë një intervistë, por një bisedë për jetën e tyre, do të ketë mendime brenda, reflektime që ka secili prej nesh. Një lloj empatie e përbashkët në këtë bisedë si dhe argëtim, në një ambient luksoz siç është “Plaza”.

Çfarë do të ketë ndryshe emisioni “Me Bledin” në krahasim me atë të disa viteve më parë?

Së pari, do të sjellë personazhe krejt të tjerë. Pra, shumë pak nga personazhet që kanë qenë të ftuar në “Blue” do të jenë të ftuar në programin “Me Bledin”. Gjithë këto vite sigurisht që kanë dalë edhe personalitete të reja në fusha të ndryshme. Do sjellim një vëmendje shumë të madhe ndaj Kosovës, çka mungon në mediat tona, sidomos në këtë lloj formati, për shkaqe teknike apo financiare. RTSH-ja më ka mbështetur të sjellim personazhe nga Kosova në Tiranë, t’i intervistojmë në këtë format. S’kam pyetje të parapërgatitura në këtë format, pavarësisht se gjatë gjithë javës e ndaj kohën me personazhet dhe informohem rreth çdo lloj hollësie për ta. Është një bisedë e lirë për jetën, si i kanë kaluar momentet kyçe të tyre, por jashtë tensionit televiziv. Biseda kalon nga restoranti në SPA dhe më pas në dhomën e gjumit, kalon më e çtensionuar dhe jo dhe aq televizive.

Keni thënë se ndër të tjera vendi i “rrëfimit” të personazheve tuaj do të jetë një “udhëtim” nga bari paradite deri tek dhoma hotelit në darkë për të rrëfyer sekretet e tyre. Pse pikërisht kjo zgjedhje njëditore e intervistimit të të ftuarit?

Biseda nis në mbrëmje në restorantin e hotel “Plazës” e pastaj kalon në ambiente të tjera, sipas preferencës dhe stilit të jetesës së të ftuarve. Personazhet që preferojnë sportin do më bashkohen në palestër, ndërkohë që ata që kujdesen për estetikën do më bashkohen në një masazh në spa. Do të jetë një udhëtim, sepse edhe biseda i përshtatet ambientit ku ne shkojmë. Në restorant do të jetë më e përgjithshme si bisedë rreth karrierës, familjes, fëmijërisë. Në palestër do flasim për kujdesin estetik dhe shëndetin, ndërsa në dhomën e gjumit nuk do jemi domosdoshmërish në shtrat. Kjo varet nga sportiviteti i tyre dhe konfidencialiteti që kemi me ta. Shtrati është më tepër simbolik sesa real. Supozohet që biseda të jetë e fokusuar te zgjedhjet personale: dashuritë e para, mendimet që kanë rreth martesës etj.

Çfarë ju ka frymëzuar për të riardhur sërish dhe pse pikërisht në këtë lloj formati?

Prej vitesh kam gjetur kënaqësinë duke xhiruar pas kamerave me dron dhe në shumë formate të tjera. Unë e kam nisur si gazetar dhe prezantues, është një pasion që nuk vdes kurrë. Kisha shumë kohë që mendoja të rikthehesha, por doja të rikthehesha me diçka që do ta doja shumë dhe në kushtet më të favorshme të mundshme, të cilat erdhën falë RTSH-së dhe hotel “Plazës”. Këto lloj formatesh kanë nevojë për pauzë dhe pas një shkëputjeje të “Blue”, ishte momenti për ta rikthyer sërish brenda kontekstit të 2019-ës.

Keni pasur ndonjë propozim tjetër, apo projekt tjetër përveç këtij që do të hapni siparin këtë të premte?

Propozimet për të bashkëpunuar me televizione kanë qenë të ndryshme, por RTSH-ja mbetet dashuria ime e parë profesionale. Kur kam nisur të punoj ka qenë aty para shumë vitesh dhe ishte media e vetme në Shqipëri radio-televizive. Jam fokusuar aty duke bërë punë të ndryshme si redaktor, autor programesh në radio e televizion. Kam pasur propozime nga televizione private. Më i fundit ka qenë nga “In TV”, për të realizuar një format ku një personazh ndiqej 24 orë nga kamerat dhe intervistohej gjatë ditës së tij. Mund të ishte një personazh nga më i thjeshti, deri tek më i rëndësishmi i vendit. Kemi bërë një projekt pilot, i cili edhe është publikuar edhe në ‘FB’ tim dhe është pritur shumë mirë. Por, erdhi propozimi nga RTSH-ja për të bërë këtë format dhe mu desh t’i përkushtohem për momentin formatit “Me Bledin”, ndërkohë që formati tjetër mund të vijë në një të afërme ose në “In TV”, ose në ndonjë ekran tjetër.

Me çfarë është marrë Bledi gjatë pauzës së bërë ndaj ekranit?

Kam investuar shumë në njohuritë teknologjike. Kam mësuar kamerën dhe montazhin e si përdoren ato. I kam dedikuar kohë kompanisë sime për të realizuar disa videoklipe që promovojnë Shqipërinë me dron, duke qenë se kam pasur kuriozitet e shumë audiencë, sidomos nga emigrantët dhe të huajt. Jam marrë me formate të ndryshme televizive herë pas here, ndërkohë që tani kthehemi me një format që do të zgjasë për një kohë të gjatë.

Ju zgjodhët “Plazën” apo “Plaza” ju? Pse pikërisht ambientet e një hoteli e jo në shtëpinë e personazhit për ta prekur më afër përditshmërinë e tij?

E zgjodha unë “Plazën” dhe për fat edhe pronarët zgjodhën këtë format, duke qenë se kanë propozime edhe nga të tjerë. U zgjodh ambienti i “Plazës”, sepse është i vetmi ambient luksoz, i rehatshëm që i ofron të gjitha ambientet. Është si një shtëpi e personazhit. Mund të bëhej edhe në shtëpinë e personazhit publik, por duhet theksuar që jo të gjithë i kanë kushtet ideale për të realizuar një format të tillë, disa të tjerë e kanë privatësinë shumë të shtrenjtë, kështu që do ngurronin të hapnin portat e shtëpisë së tyre. Do ishin më të lirshëm në një format që është konceptuar si dy miq që takohen në një vendtakim ideal dhe ndajnë mbrëmjen së bashku. Kështu që u menduan ambientet e hotel “Plazës”, që ndër të tjera janë shumë televizive, dalin vërtetë bukur.

Cili është personazhi politikan apo i “showbiz”-it që do të donit të kishit të ftuar special në emisionin tuaj?

Personazhi kryesor që unë do doja të kisha në emision dhe nuk e kam intervistuar asnjëherë është kryeministri Edi Rama. Por, për shkak të situatës politike nuk mund ta kem në program, por do të përpiqem që të jenë pjesë e saj. Ndërkohë, që përsa i përket “showbiz”-it, do të doja të bëja një intervistë me Dua Lipën. S’e di nëse do të jetë e mundur, megjithatë jam në kontakt me stafin e saj, shpresoj të realizohet.

A do të ftonit politikanë si Fatos Nano apo dikë tjetër “të larguar nga politika” në emisionin tuaj?

Patjetër që Fatos Nano do të ishte një i ftuar ideal, sepse ka dhënë shumë për këtë vend. Ka qenë pjesë aktive për shumë kohë plus dhe shumë i formuar. Sali Berisha gjithashtu, pra ka shumë personazhe të politikës dhe jo vetëm, që edhe pse s’janë shumë aktivë në moment, ngjallin interes për formatin “Me Bledin”.

Çfarë ka të veçantë dhe ndryshe “reality show” që ju keni dashur ta quani nga emisionet e tjera të “showbizz”-it?

“Me Bledin” është vërtet një “reality show”, sepse regjistrohet pa ndërprerje. Nuk ka një marrëveshje paraprake me personazhin, pra është një bisedë e çlirët dhe ndër të tjera i sheh personazhet në situata të ndryshme: si ushqehen, si bëjnë palestër, si kalojnë kohën në SPA apo në një dhomë gjumi. Ndryshe nga emisionet e tjera të “showbiz”-it, ne thellohemi në jetën e personazhit, ndërkaq që “showbiz”-i është sipërfaqësor si në temat, edhe në minutazhin për personazhin.

Nëse do të mundeshit, do të ftonit personazhe të huaja në emisionin tuaj?

Nëse do të mundesha, do të intervistoja edhe personazhe të huaja, por është e vështirë, sepse një personazh zgjedh të japë intervista për një audiencë që i intereson. Është një marrëdhënie interesi. Megjithatëm mbaj mend që kam intervistuar Paolo Cohelio dhe audienca ka qenë maksimale. Shpresoj të kemi raste, por nuk kam asgjë konkrete.

Po një ditë me Bledin si është?

Më pëlqen kjo pyetje, sepse një ditë me Bledin është ashtu siç është në program. Unë për të nxjerrë në pah një veçori apo moment të të ftuarit apo të ftuarës preferoj të rrëfej edhe një copëz edhe nga jeta ime. Pra, është vërtetë një ditë edhe me Bledin, prandaj edhe titulli është kështu. Është vërtetë një ditë edhe me mua. Në rastet kur kam mundësi të bëj një jetë kaq të qetë apo kaq luksi siç bëjmë ne në këto mbrëmje, bëj këtë gjë: shfrytëzoj ambientet më të mira dhe më të përshtatshme për të shijuar një darkë të mirë për të bërë pak palestër, por më pëlqejnë edhe SPA edhe hotelet me 5 yje, pra hotelet e mira.

Duke qenë se përqendroheni në të jetuarin e një dite, do të preferonit më tepër ta kalonit vetëm e midis luksit të një shtëpie, një hoteli, apo në rehatinë e një shtëpie të thjeshtë dhe personit të zemrës?

Nuk mendoj se duhen bërë dallime mes një ambienti luksi apo një ambienti të thjeshtë. Sepse është kjo që ju përmendi në pyetje: ka rëndësi që të jesh me personin e zemrës apo në rastin tim, me qenushët e mi. Ambienti ndihmon apo kufizon disa gjëra, por në thelb nuk ka rëndësi. Për t’u relaksuar apo për të kaluar një kohë sa më të mirë në vende si restoranti apo SPA, luksi ka rëndësi sepse përkthehet në cilësi të produktit që konsumon apo shërbimit që t’i merr.

Çfarë kushti do t’i vinit vajzës nëse do donte t’ju bënte për vete?

Nuk jam natyrë që vë kushte. Unë ndjek instinktet e mija. Shkoj pas asaj që më thotë trupi, mendja dhe zemra ime.

Po Bledi vetë kur ndihet komod dhe mund të shprehet lirshëm për veten: në një intervistë mbrëmjeje para një gote vere apo pranë dikujt që e njeh dhe ju interviston para prozhektorëve e kamerave të një studioje?

Nëse unë marr vendim për të dhënë një intervistë për veten time, gjë që e bëj shumë rrallë. Ndihem komod në çfarëdolloj rrethane, sepse edhe ambienti televiziv është një ambient ku unë jam rritur prej 27 vitesh tashmë. Por, natyrisht që përpara një gote vere dhe përpara një mikeshe apo një miku do ndihesha shumë më i çlirët, kështu që aty do të isha më komod, në një bisedë të ngjashme në këtë që po zhvillojmë në programin “Me Bledin”. Dhe prandaj e kam menduar kështu edhe për të ftuarit e mi, që t’ua lehtësoj këtë lloj komunikimi televiziv, duke i fshehur kamerat në maksimum. Pra në ambientin ku ne xhirojmë, kamerat janë pothuajse të padukshme dhe është vërtet një ambient ku jam unë me të ftuarin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.