KULTURË

Antigona si model kryengritjeje, të flesh a të flijohesh

18:00 - 17.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Ajo që duhet të diskutojmë ne, është nëse do ta bëjmë apo jo, por nëse do të bëjmë, do e bëjmë kështu.
– Pse?
– Sepse një mëngjes u zgjova dhe isha mbret i Tebës dhe një Zot e di, në ka një jetë tjetër për të qenë kaq i fuqishëm”.
Vetëm pak fraza nga dialogu mes Antigonës dhe mbretit Kreon, shpërfaqin konfliktin e madh të një shfaqjeje: transformimi që i bën pushteti njeriut. Skena është e zhveshur dhe metali (skenograf Beqo Nanaj) që kërcet përçon vetëm ftohtësinë e një tragjedie të kobshme. Ndonëse më herët u tha se shfaqja është sjellë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, përtej kostumeve (kostumografe: Sofi Kara) të dy rojeve, asgjë nuk e lidh me një kohë të caktuar, as xhupi lëkure i Hemonit, as fustani i bardhë i Antigonës që gjithaq të lidh sa me tragjeditë greke edhe me motivet shqiptare. Duket madje se krijohen kërcitje, nga veshja e Antigonës tek ajo e Hemonit, a nga veshja e Kreonit me këngën e Lady Gagës dhe Bradley Cooper “Shalloë”. Aktorët jo gjithnjë arrijnë të mbajnë mbi supe peshën e tekstit por rrëfimtari Romir Zalla me Laura Nezhën (Antigona), Ervin Bejlerin (Kreoni), Xhino Musollarin (Hemoni), Xhulia Musagalliun (motra e Antigonës), Adriana Tolkën (mendesha) Klejdi Metajn dhe Endri Çelën (dy rojet) krijojnë trupin lëvizës të një shfaqjeje ku tragjedia ngre krye. Sikundër ka skena ku pesha e tekstit shpërfillet nga tonaliteti i interpretimit dhe vrapi nëpër qoshet e skenës, ka edhe skena kur britmat a interpretimi ia dalin të mbërthejnë publikun. Zalla si rrëfimtar, Bejleri si mbret tiran, Antigona si heroinë, e motra si njeri që ka mposhtur frikën, ushtarët që zbatojnë urdhra dhe mendojnë për fëmijët e tyre, në 1 orë e 30 minuta, ia dalin ta përçojnë botën e personazhit që personifikojnë.
E shpesh peshën e tragjedisë, më shumë se askush, e përçon muzika e Stephan Zacharias “Hoffnung Am Ende Der Welt”.
Antigona që po vihet në skenë në Teatrin Eksperimental është bazuar në tekstin e Jean Anouilh, përkthim i Ekrem Bashës me regji të Andrea Brusque. I ka humbur disa prej elementëve dhe konflikteve të Sofokliut. Por lufta e një ‘heroine’ për të varrosur të vëllanë, lufta e një heroine që ‘ligjet hyjnore’ të dalin mbi ato shtetërore, përcillet. Është mbi të gjitha jeta e ndërmjetme e atij që ngre krye, nga çasti kur kupton në se beson, deri te dita kur para se të vdesë, e ndjen edhe njëherë ‘tundimin e fundit’.
Historia e shfaqjes është thjeshtëzuar: Mbreti Kreon ka dhënë urdhër që prej dy vëllezërve të vdekur në luftë, Etoklit dhe Polinikut, i pari do të përcillet për në banesën e fundit me ceremoni si hero, ndërsa i dyti, nuk meriton të varroset- ai do lihet mbi dhe, duke qenë i ekspozuar ndaj shpendëve grabitqarë- që erën rëndë të trupit që dekompozohet ta ndjejë si mbreti dhe qytetarët. Ata duhet të kujtojnë se çfarë ka ndodhur. Duhet të përcillet në Tebë, ligji dhe frika ndaj mbretit. Sepse mbreti ka vendosur të thotë po dhe prej asaj dite është bërë peng “po”-së dhe ka fshirë çdo gjë e çdo kënd për hir të ditës kur tha po.





Shumëçka tjetër nga tragjedia, si ‘kompleksi i Edipit’, incesti, a djali që vret babain e shkon me nënën, i luftës së dy vëllezërve për pushtet janë shkrirë për të nxjerrë krye vetëm një e vërtetë, që mbajtja e pushtetit nuk njeh limite, as nëse pushtetmbajtësi, mbetet i vetëm në majën e lartë, as nëse s’ka më me kë ta gëzojë pushtetit, as kur humb të tijtë, as kur i dënon të tijtë.
Kundër urdhrit del Antigona, motra e Polinikut e cila beson se i vëllai meriton të varroset. Kur rojet e Kreonit e zënë duke e mbuluar trupin e pajetë me dhe, me një dhe që gërryhet me thonj, mes mbretit dhe mbesës që është njëherësh e fejuara e djalit të mbretit vihen përballë dy botë: ajo e pushtetit dhe ajo e kryengritësit. Ajo e njeriut që bën çdo gjë për të mbajtur pushtetin dhe ajo e njeriut që dorëzon çdo gjë, rehatinë, luksin, dashurinë dhe vetë jetën për hir të asaj që beson. Vihen përballë dy besime, ai i burrit që mendon se për pushtetin vlen gjithçka e ai i njeriut që mendon se pa dinjitetin nuk vlen asgjë. Janç përballë mbreti Kreon dhe e bija e Edipit.
Shpesh është vetëm një vijë e hollë që e ndan heroin nga tradhtari, shpesh është pothuaj e padukshme ajo vijë e hollë që i ndan heroin nga antiteza e tij. Shpesh e bardha është vetëm një shtresë boje larg nga e zeza.
“Unë gjeta dy kufoma të përqafuara. Mbase është herë e parë që përqafoheshin pas kaq kohësh. Të dy donin ta rrëzonin nga froni të atin. Nëse njëri e arriti i pari është vetëm çështje kohe. Kur i gjeta, mezi njiheshin. I mora dy trupat dhe njërin e shpalla hero e tjetrin tradhtar”. Kur mbreti Kreon mbaron së shqiptuari këto fjalë secili mund të kërkojë në kujtesë, për të gjetur tradhtarët e heronjtë e shpallur të tillë për hir të kulisave të çastit. Sepse janë shfaqje si kjo, të cilat prej antikitetit deri sot, përsërisin vetveten dhe realitetet, si modele pushtetesh, si pretekste për emrin e drejtuesit. Sepse janë shfaqje si kjo që e heqin perden e kadifenjtë të ëndrrave të thurura mbi beze, për t’ju vënë gjërave emrin që kanë dhe për ta drejtuar gishtin nga fajtori. Ka shpesh një fabul të dyshimtë përtej emrave që na brohoriten me të madhe.
Ne mundemi të flemë gjatë, por pasi ta dimë të vërtetën. Dhe nëse flemë, nëse ndërgjegjja na lejon të flemë edhe pasi e dimë të vërtetën, ne e meritojmë gjumin. Sepse ka gjithnjë dy rrugë, të flesh ose të flijohesh. Nuk ka të mesme. Njerëzimi është i destinuar të zgjedhë pafundësisht.
“Unë, nuk dua që të vdesësh për një histori politike. Çfarë kujton ti moj, që nuk më vjen keq për atë trup që po kalbet në mes të diellit?”, – shqipton mbreti kur i lutet mbesës të heqë dorë nga varrimi i vëllait. Revolucionet janë të dhimbshme. Ato e hanë kokën e të bijve. Por ka gjithnjë një çast që zgjedh në atë që beson. Nëse vdekja nuk është zgjedhje, a do të ishte jeta? Dhe a është jetë ajo që pa dinjitet apo ajo kur i ke humbur të gjithë? Kjo është pyetja që secili i bën vetes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.