MILOSAO

HISTORIANËT POLAKË/ Ju rrëfejmë NDRE MJEDËN në Krakov

18:00 - 17.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Tadeusz Czekalski* – Vitin e kaluar u botua në shqip libri me autor historianin polak, teologun dhe filozofin, profesorin e Akademisë IGNATIANUM të Krakovit, Stanislsaw Cieslak SJ (Stanisllav Çieshlak) me titull “Ndre Mjeda dhe jezuitët e tjerë të Provincës së Venecies në Krakov”.
Historiani i njohur polak Tadeusz Czekalski (Tadeush Çekalski), autor i shumë librave për
Historinë e Shqipërisë, profesor në Universitetin e Krakovit, ka shkruar Recenzën e mëposhtme për këtë libër, botuar në fund të vitit 2018 në BALCANICA POSNANIENSA, nr. XXV, botim i Akteve Shkencore të Universitetit “Adam Mickeviç” të Poznanit.




RECENSË e librit me autor Stanissaw Cieslak me titull: “Ndre Mjeda dhe jezuitët e tjerë
të Provicës së Vencies në Krakov”, përkthyer në shqip nga Leonard Zissi,
botuar në Tiranë në vitin 2018.

Kohët e fundit, në sajë të një pune intensive të bashkëpunimit kulturor polako-shqiptar, në raftet e librarive shqiptare kanë dalë shumë publikime që u krijuan me iniciativën e mjedisit të shqiptarëve që në të kaluarën kanë qenë absolventë të Universiteteve polake, të cilët vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuar në promovimin e gjuhës dhe literaturës polake në Atdheun e tyre. Shumica e këtyre publikimeve janë iniciativa personale të përkthyesve shqiptarë, të cilat rrallë janë publikime të reja që do të ishin rrjedhojë e një bashkëpunimi të autorëve bashkëkohorë polakë dhe atyre shqiptarë. Një shembull i veçantë i një sipërmarrje të tillë të suksesshme polako-shqiptare është publikimi i ri i priftit jezuit Stanisaw Cieslak, historian, teolog dhe filozof, profesor i Akademisë Ignatianum të Krakovit, veprimtaria shkencore e të cilit përmbledh një sërë publikimesh kushtuar historisë së jezuitëve, me theks kryesor veprimtarinë fetare të tyre lidhur me mjedisin e Krakovit.
Punimi i tij për pelegrinët jezuitë të Provincës së Venecies në Krakov, në periudhën 1881-1894, i cili për herë të parë u botua në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese FLESH, është njëherësh edhe një shembull tjetër i bashkëpunimit të jezuitëve të Krakovit me përkthyesin Leonard Zissi. Në sajë të përpjekjeve të tij, tematika polake prej shumë vitesh është e pranishme vazhdimisht në shtypin dhe në raftet e librarive të Tiranës. Bashkëpunimi i jezuitëve të Krakovit me përkthyesin shqiptar e ka fillesën nga viti 2014, vit në të cilin u bë e mundur që lexuesi shqiptar të njihej me punimet e misionarit katolik polak Marcin Czermisski (Marçin Çerminjski), që pak njihej jashtë Polonisë, i cili në vitin 1893 botoi një nga publikimet e tij të para kushtuar Shqipërisë.

Ky libër, ashtu si edhe botime të tjera të këtij autori që ishin relacione të tij nga udhëtimet në Dalmaci, Mal të Zi dhe Bosnjë Hercegovinë, në përkthimin e Leonard Zissit, u bënë bestsellerë të tregut shqiptar të botimeve, duke konfirmuar njëkohësisht edhe origjinalitetin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare që la pas vetes jezuiti i Krakovit 1).
Padyshim, inspirimi për botimin e këtij libri për të cilin po bëjmë këtë recenzë, është publikimi në shtypin shqiptar nga L.Zissi i dokumenteve të Arkivit të Kolegjit Jezuit të Krakovit kushtuar Ndre Mjedës (1866-1937)2). Ky klerik, politikan dhe poet ishte një nga figurat më të spikatura të skenës politike shqiptare të viteve 20 të shekullit XX. Edukimin e tij e filloi në një familje shkodrane, për t’i vazhduar ato në shkollat dhe kolegjet jezuite në Valencë, Romë dhe Chieri në rrethinat e Torinos. Në vitin 1891, pas katër viteve të studimeve në Kremona, Ndre Mjeda erdhi në Krakov për të vazhduar në Kolegjin Jezuit të atyshëm dy vite studimesh për teologji. Pas largimit nga Krakovi, u emërua profesor në Kolegjin Jezuit të Kraljevicës të Kroacisë. Në vitin 1898, u largua nga Urdhri Jezuit dhe si klerik laik u përqendrua në shkallën më të lartë në veprimtarinë politike dhe pedagogjike3). Mjeda i përkiste grupit themeltar (bashkë me vëllain e tij, Llazarin) të Shoqatës “Agimi” që patrononte botimin e dispencave dhe teksteve letrare në gjuhën shqipe. Gjatë punimeve të Kongresit të Manastirit në vitin 1908, Mjeda bënte pjesë në grupin prej 11 vetëve të Komisionit të Gjuhës Shqipe që përgatiti projektin e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe4). Në vitet 1921-1925 Mjeda ishte deputet në Parlamentin Shqiptar, ku u angazhua në përgatitjen e akteve të reja juridike, përfshirë edhe Rregulloren e Punimeve të Parlamentit. Nga viti 1923, në sfondin e rritjes të krizës politike, u bë një nga figurat udhëheqëse të opozitës demokratike, të përqendruar rreth Fan Nolit. Në dhjetor të vitit 1924, pas rëzimit të qeverisë së Fan Nolit, Ndre Mjeda u tërhoq nga veprimtaria politike, duke iu përkushtuar veprimtarisë letrare fetare. Nga fundi i jetës dha leksione për seminaristët në Kolegjin Papnor në Shkodër. Në vlerësimin e prodhimshmërisë së tij jetësore, një vend të rëndësishëm zë plotësimi i boshllëkut letrar, veçanërisht vëllimthi i tij i parë poetik me titull “Juvenilia” që i referohet stilit të poezisë italiane të shekullit XIX. Më pas, në vitet 20 të shekullit XX, botoi vëllimthet me tituj emrat e qyteteve të lashtë të Shqipërisë (Lissus, Scodra, Dyrrachium, Apollonia)5).
Përshkrimi i periudhës të qëndrimit të Ndre Mjedës në Krakov në librin e Prof. S. Cie?lak , përbën një nga pjesët e biografisë së tij më të panjohur deri tani6). Pika hyrëse për botimin e këtij libri për Mjedën dhe jezuitët e tjerë të Provincës së Venecies, u bë historia e disa dhjetra klerikëve të cilët, në fund të shekullit XIX, nga Provinca e Venecies u arsimuan në Kolegjin Jezuit të Krakovit, ku mbi njëzet prej tyre u shuguruan si priftërinj nga kardinali Albin Dunajewski. Në bazë të dokumenteve dhe dorëshkrimeve të grumbulluara në Arkivin e Shoqatës Jezuite të Polonisë Juglindore në Krakov, mund të studiohet pjesëmarrja e secilit student në leksionet dhe debatet teologjike, si dhe formave të tjera të veprimtarisë të tyre si brenda mureve të Kolegjit, ashtu edhe në jetën publike.
Libri përbëhet nga Hyrja, shkruar nga përkthyesi, si edhe prej tri pjesëve të veçanta7). Pjesa e parë i kushtohet historisë të prezencës së jezuitëve në Krakov nga fundi i shekullit XIX, si dhe përmban informacione kushtuar qytetit dhe shoqërisë së tij. Pjesa e dytë paraqet historinë e kontakteve të jezuitëve të Krakovit me ata të Provincës së Venecies, përfshirë këtu edhe ato të dyzet jezuitëve nga kjo Provincë të cilët studiuan në Krakov8). Pjesa e tretë që është edhe pjesa më e madhe e librit, përqendrohet në situatën dhe zhvillimin e studimeve teologjike të Ndre Mjedës në Krakov. Kësaj i shërben paraqitja e programit të studimeve, ajo e siluetës së profesorëve të Kolegjit në formën e një fjalori biografik, si edhe veprimtaria e heroit të librit si pjesëmarrës në debatet teologjike. Në plotësim të panoramës të studimeve në Krakov, autori përshkruan gjithashtu programin e ekskursioneve për njohjen e rrethinave të Krakovit, që organizoheshin për klerikët gjatë kohës së lirë. Në libër nuk gjejnë konfirmim tezat e studimit të literaturës shqiptare të Robert Elsie-së se në Krakov Mjeda u njoh për herë të parë me veprat e filologëve dhe albanologëve Gustav Meyer-it dhe Holger Pedersen-it, të cilët patën një ndikim të theksuar në veprimtarinë e tij poetike dhe letrare9).
Një recenzë dinjitoze duhet të marrë parasysh edhe disa mangësi të një libri të botuar. Konceptin e këtij libri e përcakton masa e burimeve të të dhënave të grumbulluara, duke bërë prej tyre një fjalor biografik, shoqëruar këto me fotografitë e periudhës së shkollimit jezuit të Ndre Mjedës në Krakov. Një mungesë fotografish mund të jetë margjinalizimi i një pjese deklamative që do të kishte një ndikim të rëndësishëm në rritjen e vlerave njohëse të këtij libri. Zgjedhja e gjuhës bazë të këtij libri të krijon bindjen se konsumatorët kryesorë do të jenë lexuesit shqiptarë. Duke marrë parasysh mungesën në tregun shqiptar të librave të historisë së Polonisë, publikimi i këtij libri për studimet e Ndre Mjedës në Krakov, krijon një situatë të favorshme që, nëpërmjet figurës së studentit shqiptar t’u afrosh në një masë të madhe bashkëkombasve të tij konteksin shkencor polak të pelegrinëve, si dhe paraqitjen e shoqërisë polake në mbarim të shekullit XIX. Forma përmbledhëse që autori ka trajtuar konteksin e studimeve të Mjedës, mund të përbëjë një problem të qenësishëm për lexuesit që e njohin pak historinë e Polonisë. Specifika e Krakovit si një qendër intelektuale, veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhës së autonomisë që gëzonte në kuadër të Galicisë, të mundëson të gjykosh se studentët jezuitë, përveç debateve teologjike që bëheshin në një mjedis të mbyllur, u poqën njëkohësisht edhe në atmosferën specifike të “Atenasve polakë”. Libri i priftit profesor Stanis?aw Cie?lak, ashtu si edhe përkthimi i veprave të Marcin Czermi?ski-t në gjuhën shqipe, hap perspektiva të reja kërkimore për të dy popujt tanë, të cilët ndonëse larg gjeografikisht nga njeri tjetri, nuk i ndërprenë kontaktet midis tyre, rrënjët e të cilave i kanë që nga shekulli XIV dhe luftës së përbashkët kundër Turqisë Osmane.

*Përktheu: Leonard Zissi

R e f e r e n c a t:
1. M.Czermi?ski, Shqipëria. Përshkrime historike, etnografike, kulturore dhe fetare, Tiranë 2014;
I njëjti autor, Në Dalmaci dhe në Malin e ZI, Tiranë 2016; I njëjti autor, Nga udhëtimi nëpër Bosnjë
dhe Hercegovinë, Tiranë 2017.
2. L.Zissi, Dokumentet e panjohura për Ndre Mjedën, “Gazeta Shqiptare”, 2.VIII.2017, http://www.g.sh.
al/2017/08/02/dokumentet-e-panjohura-për-ndre-mjedën[data 12 I 2019].
3. R.Elsie, A Biographical Dictionarof Albanian History, I.B. Tauris 2013, faqe 315.
4. F.Trix. Alfabeti i Stambollit i Shemsedin Sami Beut: pararendës i reformës turke të shkronjave, “Përpjekja”
25: 2008, faqe 266.
5. Sh.Islamaj, Ndre Mjeda-mjeshtër i gjuhës dhe i stilit, “Gjurmime Albanologjike-Seria e shkencave filologjike” 2011/41-42, faqe 119-132.
6. Në gjuhën shqipe deri tani është botuar vetëm një biografi e Mjedës-shih R.Idrizi, Ndre Mjeda, Tiranë 1980 (botim i dytë i plotësuar në vitin 2017).
7. Autori i Hyrjes është përkthyesi i librit Leonard Zissi, ndërsa Parathënia është përgatitur nga historiani i Kishës-
Prifti Dom Nik Ukgjini. Përveç bibliografisë së gjërë, në libër janë publikuar gjithashtu edhe faksimilet më të rëndësishme të dokumenteve kushtuar personazhit kryesor.
8. Në biogramat e paraqitur në libër, përveç emrit të Ndre Mjedës del edhe emri i një personi tjetër, i cili më pas u lidh me Shqipërinë – Antonio Maria Zannoni (1863-1915), i cili u shugurua si prift në Krakov nga kardinali A.Dunajewski. Ai vazhdoi veprimtarinë e tij shpirtërore baritore në Shkodër, aty ku botoi edhe gramatikën e gjuhës shqipe.
9. R.Elsie, Albanian Literature: A Short History, I.B. Tauris 2005, faqe 99.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.