MILOSAO

Një roman mbi lirinë kaotike

18:00 - 17.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Orjela Stafasani – ...Vëllimi i tretë i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është një rrëfim për Shqipërinë e postkomunizmit e deri në vitin 1997, vit kur shpërtheu edhe lufta civile në Shqipëri. I ndarë në tri pjesë, ky vëllim, më shumë sesa rrëfim subjektiv mbi jetën e Stefan Çapalikut, është rrëfim objektiv mbi lirinë e keqkuptuar të shqiptarëve, pas rënies së komunizmit.




Një model autobiografik Stefan Çapaliku në vëllimin e tretë të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, për dallim nga dy vëllimet e para, nuk preokupohet për teoritë e ndryshme që e përjashtojnë fiksionin nga autobiografia, as për narratologjinë, që e përcakton se në rrëfimin autobiografik duhet të rrëfejë vetëm narratori autodiegjetik dhe homodiegjetik, duke inkorporuar kështu edhe narratorin heterodiegjetik.
Rrëfimi i pjesës së parë nis në vetën e tretë me një narrator heterodiegjetik që rrëfen historinë e Vaso Thanasit, histori kjo që supozohet se narratorit i është rrëfyer nga dikush tjetër. E njëjta gjë ndodh edhe me pjesën e dytë dhe me pjesën e tretë të romanit, ku autori Stefan Çapaliku distancohet nga rrëfimi autobiografik dhe i përdor këto inserte si prezantim i asaj çka ndodhi në Shqipërinë postkomuniste. Pra, historia e Vaso Thanasit dhe Marketin Saraçit, nuk janë histori në të cilat autori merr pjesë, prandaj edhe vendin e narratorit auto/homodiegjetik, ia liron narratorit të gjithëdijshëm, që pavarësisht mospranisë, e ka të drejtën ta rrëfejë ngjarjen.
Pjesa tjetër e rrëfimit, përveç stilit reflektiv që merr autori në ndarjen e nëntë të pjesës së tretë, është rrëfim autobiografik i jetës së tij, i motivuar edhe nga pozicionimi i narratorit që rrëfen në vetën e parë. Se ky rrëfim është autobiografik dëshmohet jo vetëm nga paraqitja e autorit me emër dhe mbiemër, por edhe nga përfshirja e familjarëve të tij, me emra realë dhe përfshirja e personazheve/njerëzve të njohur të kulturës shqiptare, si: Gjon Shllaku, Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Primo Shllaku, Ardian Marashi etj, por edhe nga deklarimet e autorit nëpër epitekste publike, për vërtetësinë e këtij rrëfimi.
Vëllimi i tretë paraqet martesën e autorit, lindjen e fëmijëve, punën si mësues, punën si profesor, specializimin e tij në Itali, nisjen e doktoratës në Shqipëri dhe shumë episode të tjera të motivuara nga zhvillimet sociale, që gjithmonë jepen përmes një stili ironizues.
Ky është një rrëfim, që vjen si ndërthurje e autobiografisë (në rastet kur jepet jeta e autorit dhe të vërteta tashmë të ditura) dhe e fiksionit (në rastet kur jepet historia e të tjerëve dhe ndryshohen emrat e personazheve Vaso Thanasi, Marketin Saraçi, Ana B etj.). Prishja e kufijve të tillë në roman nuk i përmbahet teorisë së Philippe Lejeune-it që përjashton çdo lloj fiksionaliteti nga rrëfimi autobiografik dhe, kështu, sjell një model të ri shkrimi në letërsinë shqipe.

Freedom doesn’t work
Duke qenë roman autobiografik, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është i privuar nga një temë bosht dhe përmes mbamendjes së autorit prezantohen personazhet, vendet, situatat dhe ngjarjet, sipas një rendi kronologjik. Shembja e diktaturës dhe ardhja e demokracisë, më shumë sesa si dëshmi, vijnë si filtrim ironik i shkrimtarit, që nuk preokupohet për çështjet politike, aq sa preokupohet për mënyrën sesi e pritën këtë ndërrim njerëzit. Prandaj edhe përfundimi i vëllimit të dytë të romanit, me fjalët: “Pjesa e tretë ose Sistemi ndërroi si të ishte një fletë libri, të cilën po e la të bardhë, për ta mbushë ata, që e dinë sesi ndodhi…” dhe fillimi i vëllimit të tretë me historinë tragjikomike të shtëpisë së “zhdukur” të Vaso Thanasit, përmes figurës së elipsës shmangin teprimet që prodhon diskursi i dokumentaritetit dhe japin më së miri gjendjen e mjerueshme që u prodhua pas shembjes së një sistemi të mjerueshëm.

Për dallim nga dy vëllimet e para të këtij romani, në vëllimin e tretë, historia e Vaso Thanasit, Marketin Saraçit, Aleksit, studentit të letërsisë që shet uthullën e profesorit, etj., bëhen përcaktuese për një rrëfim parabolik që tregon pikat kyçe të historisë së Shqipërisë pas viteve ’90: ardhja e një lirie të keqkuptuar, kaosi politik dhe shoqëror, sistemi piramidal dhe shpërthimi i luftës civile, që vjen si pasojë e tri të parave.
Nisja e vëllimit të tretë me shënimin “Pjesa e parë, ose Freedom works”, moto kjo që përsëritet vazhdimisht nga Vaso Thanasi, profesori që niset bashkë me gruan drejt shtëpisë së re në Tiranë dhe mosgjetja e shtëpisë, prodhojnë një situatë komike, por edhe tragjike për të ardhmen e këtij personazhi.
“- O ti shok, a zotëri, a çfarë je, ku është ai pallati me kontribut vullnetar i universitetit të Tiranës, se nuk po e gjejmë dot?
– Ja more burrë ku e ke, para syve. A s’e sheh?
– Ku?! – shqeu sytë Vaso.


– Ka qenë, ma mirë me thanë, se tash nuk asht ma, or ti dashamir. (…)
– E vodhën, more zotni. Ia vodhën tana tullat.”
Pra, e tillë është gjendja e krijuar në liri, demokraci. Situatat tragjikomike vijojnë edhe më tej, kur Vaso Thanasi, pa marrë askund leje për truallin e tij, vendos ta ndërtojë shtëpinë në oborrin e Institutit Albanologjik dhe merr si asistent një student letërsie, i cili si detyrë kryesore nuk ka studimin e letërsisë, por vjeljen e rrushit në oborrin e Thanasit dhe fermentimin e verës.
Historia e studentit të letërsisë, Landit, të cilit rrushi, në vend që t’i bëhej verë, i është bërë uthull dhe përpjekjet për ta shitur e më pas afrimi i tij te grumbulli me njerëz, ku trumbetohej se sot mund të investoje pak para dhe nesër të merrje dyfishin, çojnë kah elipsa e dytë e përdorur nga autori, që dëshmon ardhjen e sistemit piramidal në Shqipëri.
Zhgënjimi i radhës nga kjo liri shfaqet në historinë e Marketin Saraçit, i cili pas përpjekjeve të shumta për të shkuar në Itali, përfundon në Amerikë, ku asgjë nuk është siç e kishte paramenduar, dhe detyrohet të kthehet sërish në Shkodër.
Rrëfimi nuk ndalet me kaq, por shpërfaq edhe problemet në arsim, ku mësuesit duhet t’i mbledhin nxënësit për të nisur mësimin, shpërfaq problemin e ngujimit si pasojë e shtypjes së deleve nga shoferi i trenit, veprim ky që e legjitimon kanuni, thyerjen e embargos që ishte vendosur me vendet e ish-Jugosllavisë dhe, në fund, përmes një telefonate, shpërthimin e luftës civile.
“Dhe në të vërtetë nuk vonoi shumë dhe në qiellin e plumbtë të qytetit u dëgjuen disa krisma që të kujtonin asgjanë. Krisma fatale. Fishekzjarrë mbi një qiell që nuk kishte kurrfarë nevoje as të skuqej e as të ndriçohej. Ai ishte ashtu i dorëzuem në përhimjen e tij.”
Stefan Çapaliku në këtë vëllim, përmes një stili konciz, me fjali të shkurtra dhe shpesh herë me diskurs bisedor, jep të vërtetat e mëdha të shekullit XX, duke u shpëtuar kurtheve dhe animeve politike, dhe duke dëshmuar atë që thotë Sabato, se: “Shkrimtari duhet të jetë dëshmitar i pakorruptueshëm i kohës së tij, me kurajë për të thënë të vërtetën, dhe për t’u ngritur kundër çdo autoriteti zyrtar që, i verbuar nga interesat e tij, ka humbur nga sytë shenjtërinë e personit njerëzor. (…)Nëse nuk ndodh kështu, historia e kohëve që do të vijnë do ta ketë krejt të drejtën që ta akuzojë se ka tradhtuar më të çmueshmen e gjendjes njerëzore.”
Vëllimi i tretë i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është jo vetëm pasqyrë e jetës së autorit, por pasqyrë e të gjithë shqiptarëve ku mund ta shohin veten dhe fatkeqësitë që prodhoi izolimi i atdheut, që qe kthyer në një “shpellë që na mbronte nga të tjerët”.
Çapaliku, me romanet e tij, por më së shumti me vëllimin e tretë, historinë e jetës së tij e jep si pretekst për të zbuluar historinë e krejt popullit. Motoja “Freedom works” ironikisht na dëshmon se “Freedom doesn’t work” dhe se vetëm hapja ndaj botës, mund ta sjellë lirinë e vërtetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.