OPINION

Rama nuk ra, por u fsheh pas gazit lotsjellës

07:25 - 17.03.19 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse opozita dështoi në premtimin e gënjeshtërt që u bëri ndjekësve të saj, se 16 marsi do të ishte dita e fundit e Edi Ramës, ajo është në rrugë të mbarë për të shpërfaqur fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës.




Si kurrë ndonjëherë në këto gjashtë vite të pushtetit të rilindjes, në rrugët e kryeqytetit nuk ishte parë kaq mbipopullim me trupa sigurie dhe kamera spiune, nuk kishin marshuar kaq makina të blinduara dhe nuk ishte përdorur ajo sasi e paimagjinueshme breshërie me ujë dhe gaz lotsjellës.

Po të bësh një krahasim imazhesh me 16 shkurtin e një muaji më parë, uniformat blu nuk qenë më ato që u hapnin rrugën protestuesve të inatosur për të kapërcyer shkallët e Kryeministrisë, por ato kishin marrë urdhrin e prerë, për të mos u tërhequr asnjë centim nga mbrojtja e pushtetit.

Në fakt, ndryshimi nuk është vetëm në imazh.

Në këto 30 ditë, që nga protesta që i parapriu vendimit të djegies së mandateve, imazhi i një vendi normal demokratik është krisur ndjeshëm.

Parlamenti pothuajse mblidhet në mënyrë ilegale, pa shpallur as ditën dhe as orën e seancave plenare. Kryeministri është rikthyer të bëjë rolin e shefit të partisë-shtet, që në vend të punëve të përditshme, detyrohet të luajë klounin endacak të grave socialiste. Opozita e re po identifikohet me fytyrat e heronjve të porsalindur, Ylli Shehu dhe Kujtim Gjuzi. Televizionet kombëtare kanë degraduar në ditët më të zeza të propagandës, ndërkohë që shqiptarëve po u shfaqet si gogol rreziku i armikut të jashtëm, që herë merr formën e ariut rus dhe herë vesh rrobën e mullahëve iranianë.

Dilema që shtrohet është: A do të qe i mundur ky degradim kaq i shpejtë, ky precipitim marramendës, nëse opozita nuk do të kishte vënë bast për rrugën radikale?

Natyrisht, që kjo pyetje retorike është e vlefshme edhe për këtë 16 mars.

Sepse nuk ka rrugë tjetër veçse mbajtjes nën presion të këtij regjimi që ka promovuar kriminelët në parlament, oligarkët në ekonomi, ndërtuesit me paratë e drogës në Tiranë dhe banditët që vjedhin vota në Durrës apo në Dibër.

Kjo ndodhi edhe këtë të shtunë.

Në rrugët e Tiranës, në mediat vendëse dhe ndërkombëtare, mbetën të skalituara pamjet e tymnajës së një pushteti, që fshihet pas gazit lotsjellës. Tani jemi larg, shumë larg imazhit të liderit shpresëdhënës, që shkulte gardhin e Kryeministrisë, që hapte hollin e saj për qytetarët, që i dekoronte oborrin me punime të artistëve bashkëkohorë.

Tani, për të qeverisur, Edi Rama ka nevojë për trupat speciale dhe për rendjen e autoblindave nëpër bulevard. Kjo është ajo që i shkon për shtat pushtetit të tij.

Dhe në një muaj, opozita e arriti këtë.

Ajo i veshi kryeministrit me forcë, kostumin real të autokratit, pavarësisht se nuk ia doli ta rrëzonte këtë 16 mars, ashtu siç u premtoi ithtarëve të saj.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Paske harruar ne kete shkrim,te thoje shprehjen tende te famshme dhe te kudoperdorur:”Por edhe ne kohen e Saliut,opozita e atehereshme “,.,.,.,.e te tjera si keto.”Kjo proteste,te ka mbyllur gojen jo vetem ty,por edhe te gjitheve te ngjashmeve me ty,bile edhe te gjitha ambasadave qe ndodhen ne Tirane,qe per ndonje lloj “dhune”,te protestuesve,ata e shikojne me lupe,ndersa dhunen e pa precedente te perdorur nga policia,e cila pa shkak,e tejkaloi tej mase.Bile edhe ne shume raste,sikunder shikohet edhe pa lupen,qe perdorin ambasadat ,edha pa shkak,kur protestuesit ndodhen shume larg policise,kjo e fundit vijon te hedhe uje dhe gaz ndaj tyre.Shikoni si i jane turrur nje te moshuari,me zorren e ujit me presion,qe pa nderprerje,i derdin,jo me pa meshire,por edhe pa asnje aresye.Ambasadat,nuk po i degjojme te denojne kete lloj dhune te pa pare te policise,por edhe ti,Bushat,behesh si memec,kur ta kerkon padroni,por ne disa raste edhe bytha jote.Turp per te gjithe qe nuk ndihen.

    Përgjigju ↓