MILOSAO

Romani, si dëshmi e forcës përbashkuese të artit

18:00 - 17.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. As. Dr. Monika Hasani – Romani i Fate Velaj, “Nilkon” është një rrëfim mbresëlënës në vetën e parë, ku autobiografia mbushet me rrethana tejet interesante nga vendet ku autori udhëton, ravgimet e piktorit në kërkim të frymëzimit, por edhe të njohjes së botës dhe vetes. Romani autobiografik qëndron mes dy zhanreve, duke marrë më të mirën prej tyre, prej romanit ai ka stilin, rrëfimin e gjatë, arkitekturën e tekstit, kompozicionin dhe syzhetin; prej autobiografisë ai ka Faten (dhe fatin) që si artist, rrëfen nga një pozicion mjaft i afërt ngjarjen e mbushur me detaje, rrethana, fakte reale nga jeta e tij. Çfarë e bën të veçantë një autobiografi? Natyrisht perspektiva e rrëfimtarit, i cili duke qenë brenda ngjarjeve, na përshkruan me besnikëri, sinqeritet dhe pasuri të pazakontë detajesh çdo skenë të përfshirë në roman. Duke u bashkuar me unin që rrëfen në vetën e parë, për ne si receptues bëhet shumë e gjallë dhe e prekshme çdo skenë. Për lexuesin përjetimi bëhet gjithnjë e më i fortë prej rrëfimit në vetën e parë, që e trajton ngjarjen si diçka tepër të afërt, si një bisedë mbi rrugëtimin e artistit nëpër botë.
Fati i artistit të arteve figurative, pra i piktorit dhe i fotografit, është krejt i ndryshëm prej atij të artit të të shkruarit, pasi gjuha e imazhit është universale, ndaj piktura e tij përcjell në formë emocione të ndryshme, madje mund të themi qartësisht se në të ka edhe kontekst kulturor dhe antropologjik, në rast se do t’i besonim faktit se artisti sublimon në artë realitetet konkrete në të cilat haset. Vendosja e veprave artistike në kontekst, përforcon kuptimin e tyre fillestar, por udhëtimi i tyre nëpër galeri të vendeve të ndryshme të botës, është shprehja me e lartë e ndërkomunikimit kulturor, përmes gjuhës universale të artit. Bota e kësaj pikture, përmes shumë përshkrimeve, del tepër e qartë. Por autori dhe njëherësh rrëfimtari i romanit, nuk flet shumë për vetë pikturën e tij, ai në lidhje me të merr një rol disi më të distancuar, si për të lënë të tjerët të gjykojnë për të. Më shumë ai ndalet në rrugëtimin e veprave të tij, që herë pas here shihen prej të tjerëve si “kutia”, apo në formën e ekspozitave nëpër qytete nga më të ndryshmet. Arti udhëton, çon pak Shqipëri, etnografi dhe antropologji kudo ku shkon, merr nga çdo vend ku shkon, duke sendërtuar përvojat e pasura të artistit.




Romani është i mbushur me qytete dhe perceptime unike që vijnë prej secilit pre tyre. Gjetja më interesante e autorit është ajo e shpirtëzimit të qytetit, sikur të ishte një njeri me ndjesitë e veta, me gjendjet e humorit. Një personifikim kaq i gjallë, që përmbledh shpirtin e qyteteve në përshkrime mjaft lakonike, plot detaje mbresëlënëse dhe kuptimplota. I tillë është një prej përshkrimeve të Vienës, në kapitullin e njëzetë. “Viena nuk ankohej më nga dhimbjet e reumatizmit. Qytetin, që deri përpara pak kohëve e kishte mbërthyer dhembja, tashmë, nën diellin pranveror, e shihje të ecte me atë elegancën e tij aristokratike, me atë ndriçimin e tij vezullues, përplasur fort fasadave të godinave, skulpturave në parqet plot lule, kravatave të zotërinjve…” Imazhet janë vizualizime që veç një piktor dhe fotograf mund t’i shndërrojë në fjalë, gjithçka merr trajtë, fjala bëhet mjeti magjik përmes të cilit lexuesi përfytyron imazhe. Janë imazhe të forta, ku qyteti aristokratik dhe elegant i Vienës, ky kryeqytet kulture, përcjell përtej kohërave shpirtin e tij.
Qasja e njohjes së qytetit përmes komportimit të tij me artin dhe produktin artistik, është mbresëlënëse. Përmes saj, rrëfimtari njeh qytetin, Ballkanin, por edhe veten. Kështu ndodh përshembull teksa burokracia dhe parazitizmi tipik lindor del në pah në mes të Shkupit. “Shtrembëroi buzët dhe, duke mërmëritur Viena, Viena, Viena, u fut përsëri brenda me dokumentet dhe pasaportën në dorë, ku mbas një kohe të gjatë humbur zyrave, që më la përshtypjen se vazhdonte të pinte kafe, u kthye përsëri me dikë, i cili, nga rrudhat e fytyrës dhe struktura e flokëve, më la përshtypjen se ishte shqiptar. – A prej Shqipnie jeni? – Po, por vij nga Viena. – Çfarë keni futur në arkë? – Piktura.” Konkretësia me të cilën paraqitet një mentalitet i tërë, komportimi i ballkanasit kundrejt artit dhe artistit, jepet pa stërhollime teorike, por përmes situatave të tilla të gjalla, që i japin veprës edhe një ton argëtues, që mëson duke luajtur edhe me humorin. Përplasja e kulturave të ndryshme është poaq e rëndësishme sa duhet nënvizuar në këtë prozë autobiografike, e cila siç duket, kalon kufijtë e personales, bëhet pasqyrë e kohës së saj, merr tiparet e përjetshme të marrëdhënieve të artistit me kohën e tij, njerëzit dhe publikun.

Përshkrimet ikonike të Vienës, vijojnë me pamje nga Shkupi, Gostivari dhe së fundmi Vlora, qyteti i parë, më i rëndësishmi, arketipi i qyteteve për artistin. Vlora mbart ngjyrat më subjektive në përshkrimin e saj, nuk ka asnjë ndjesi inferioriteti apo superioriteti të kulturës tënde mbi atë të tjetrit, por Vlora vjen me natyrshmërinë e personales, intimes, qytetit tënd, qytetit të parë, poaq të rëndësishëm sa dashuria e parë, malli i parë, vera e parë, deti i parë. Romani ka edhe disa tipare të romanit të udhëtimit, brenda lojës me biografinë dhe nxitur prej këtij tipari, ne ndalemi dhe analizojme edhe tiparin e romanit në udhëtim, ku vendet zbulohen përmes përshtypjeve të udhëtarit, të përjetimeve të tij, që mund të jenë subjektive herë pas here. “Me të dalë në qafën e ullinjve në Bestrovë u shfaq Vlora. Ndalova makinën dhe dola jashtë. Fillova ta fotografoja. Një e kuqerremtë e ngrohtë, që vinte nga dielli që po perëndontë mbi Sazan, godiste qytetin. Më ishte bërë si ritual, që sa herë vija këtu, do nxirrja aparatin fotografik nga çanta.”
Nili dhe Egjipti, vijnë të pandarë, si nga fillimet e qytetërimit botëror. Edhe pse mes mermerit, pallateve luksoze dhe veshjeve të shtrenjta, narratorit këto i shërbejnë si sfond në të cilin ai ndërton mesazhin e tij më të rëndësishëm. Fytyrat ovale të grave, të bëjnë përshtypje edhe si lexues, mbeten të pashlyeshme nga kujtesa, ky tipar i përsëritur bashkë me diskutimet mbi mbulesën. Por, çka kulmon në këtë pjesë, është mesazhi më i rëndësishëm i romanit, një mesazh ky që tregon natyrën e fortë qytetare dhe rolin e pashlyeshëm të artit në mbarëvajtjen me tjetrin, me të huajin, i cili pasi njihet me artin dhe kulturën tënde, bëhet i afërt, nuk mbetet më i huaj, i largët dhe i pakuptuar. Kjo është forca e pashlyer e artit. Në mënyrë simbolike, kjo vjen përmes lumenjve, Danubit dhe Nilit.
”Sapo më erdhi kërkesa nga ministria, e pranova hapjen e kësaj ekspozite. Ideja e dialogut të kulturave, veçanërisht ajo e transmetimit të tyre si në lashtësi, me anën e lumenjve, ma fitoi zemrën edhe më shumë, nga fakti se bëhej fjalë për dy lumenj nga më të bukurit dhe të famshmit e globit, Danubin dhe Nilin.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.