OPINION

Rreziku që vjen nga islamofobia

07:00 - 17.03.19 Rigels Lenja*
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pa diskutim që 11 shtatori është “festivali më i madh i terrorit”, që pati së paku dy pasoja direkte mbi mbarë njerëzimin. Së pari, superfuqia më e madhe e botës, SHBA-të u goditën në zemër të tyre nga disa ekstremistë, nga malet e largëta të Afganistanit. Sulme që nuk kishin ndodhur as nga Japonia dhe Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore. Së dyti, solli një valë në rritje të islamofobisë në mbarë Perëndimin. Myslimanët filluan të shikohen si një kolonë e tretë, e rrezikshme dhe që duhej mbajtur nën survejim.




Pjesë e kësaj vale duhen parë edhe sulmet e ndodhura në Zelandën e Re.

Në përgjithësi, edhe si pasojë e mediatizimit dhe vetëreklamimit, si burim i terrorizmit në kohët moderne, janë parë vetëm islamistët. Por, vrasja e ndodhur në Christchurch tregoi se si terrori i islamistëve, ashtu edhe ai i supermacistëve të bardhë, ka të njëjtën formë dhe pasoja.

Në këto dekadat e fundit ka pasur një mori sulmesh të ndërmarra nga organizatat terroriste me natyrë islamike, në drejtim të Perëndimit si në: Londër, Nju Jork, Madrid, Bruksel apo Paris. Kanë qenë vetë myslimanët që janë ndodhur shpeshherë nën të njëjtën valë terrori brenda vendit të tyre. Krimet e kryera nga islamistët në vendet me shumicë myslimane shpeshherë i tejkalojnë në përmasa dhe dhunë, krimet që këta të fundit kanë bërë në Perëndim. Ku mjafton të shikojmë atë se çfarë ka bërë ISIS në Irak dhe Siri.

Synimi kryesor i terrorizmit është të ndajë, “ne” dhe “ata”. Vetëm nëpërmjet ndarjes ata mund të fitojnë kredibilitete dhe mbi të gjitha, të mbijetojnë. E veçanta e kësaj masakre vjen prej faktit se akti i vrasjes së 49 besimtarëve myslimanë ndodhte në atë që presupozohet të jetë shtëpia e Zotit dhe e paqes. Por, kjo nuk është një ngjarje e shkëputur nga konteksti. Në vitet e fundit, në disa vende perëndimore ka një rritje të forcave islamofobe, të cilat rëndomtë e kanë përdorur gjuhën antiemigracion dhe anti-Islam për arsye populiste. Në së paku tri vende të rëndësishme në Perëndim, kjo është kthyer në doktrinë. Në SHBA pak ditë mbas inaugurimit, Presidenti Trump vendosi ndalimin e hyrjes në SHBA për shtetasit e së paku 5 vendeve me shumicë myslimane. Ndërsa pak ditë më parë u shpreh se do të kërkonte ndalimin e plotë të hyrjes së çdo personi që i përkiste besimit islam. Në Europë, ministri i Brendshëm i Italisë, Salvinin, i quan emigrantët që vijnë nga bota islame si rreziku më i madh që i kanoset Europës. Megjithëse, Salvini harron që shkak i asaj që po ndodh sot vendet e botës islamike është edhe pasojë direkte e politikave kolonializuese, pjesë e të cilave ishte edhe Italia. Pa harruar edhe më të rëndësishmin Viktor Orban e Hungarisë, në sytë e të cilit, myslimanët janë duke nxitur një kryqëzatë në Europë. Orban do të mbahet mend si kryeministri që i risolli në kujtesë Europës ndarjen me mure. Orban e ka kthyer antiislamizmin në një nga kuajt e tij të betejës në çdo proces zgjedhor. Madje, ka arritur sa edhe ta shpallë veten mbrojtës të Perëndimit të Krishterë, një titull i denjë për mbretërit dhe perandorët e periudhës së Mesjetës.

Përfituesit më të mëdhenj të kësaj konjukture janë supermacistët e bardhë në njërin kah dhe organizatat terroriste islamike në kahun tjetër, si ISIS apo Al-Kaeda. Këto të fundit do të kenë në duar tashmë një kartë të rëndësishme për të luajtur. Atë të shpalljes se vetëm ata mund t’i mbrojnë myslimanët.

Faktori internet

Teknologjia është sot më shumë se kurrë, pjesë e jetës së çdo njeriu. Me gjithë të mirat që ka sjellë, ka krijuar edhe një mori problemesh. Ndër të cilat edhe lehtësia për t’u vënë në kontakte më materiale, dokumente apo të dhëna që nxisin gjuhën e urrejtjes. Vrasjet e ndodhura në Zelandën e Re kishin edhe një anë tjetër negative, vrasësi e transmetoi të gjithë masakrën në një video “live” në profilin e tij, në “Facebook”. Kjo krijon një precedent të rrezikshëm, i cili mund të ndiqet nga të tjerët. Ky grup individësh, të cilët marrin përsipër të kryejnë këto veprime, zakonisht vuajnë nga probleme mendore, ose kanë një dëshirë për t’u vënë në qendër të vëmendjes. Ishin pikërisht këto platforma sociale, me anë të të cilave ISIS arriti të rekrutojë më shumë se 70% të militantëve të saj. Këta precedentë kanë çuar në një mori pyetjesh rreth mënyrës si funksionojnë rrjetet sociale. Një çështje që duket e vështirë për t’u gjetur një zgjidhje.

Të jesh sot islamofob do të thotë të urresh pa arsye gati ¼ e popullsisë botërore. Duhet pranuar që sot Islami ka një problem se si mund të reformohet. Por, nëse sheh në shifra, ekstremistët dhe radikalët janë të paktë në numër, të papërfillshëm krahasuar me 1.3 bilionë myslimanët që jetojnë sot në botë.

*Rigels Lenja, studiues, pranë Universitetit Ludwig Maximilian në Mynih.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.