MILOSAO

Si duhej të ishin funksionet e Shqipërisë sonë?!

18:00 - 17.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kostandin Ristani* – (Vijon nga numri i kaluar) – Krahasimi i disa nga funksioneve më kryesore të shtetit shqiptar me funksionet respektive të shtetit modern e ligjor
Sipas mendimit tim, për kushtet, rrethanat, mungesën dhe historinë specifike të zhvillimit të shtetit shqiptar, funksioni ekonomik është më i rëndësishmi. Këtë opinion e mbështes në arsyetimin, përshkrimet dhe analizën e mëposhtme.
Së pari po e filloj nga një vëzhgim, mendim e pohim personal se, historikisht shoqëria dhe shteti shqiptar, që nga krijimi i tij, në çdo vit financiar asnjëherë nuk ka përballuar plotësisht shpenzimet dhe detyrimet me të ardhurat kombëtare të grumbulluara nga burimet brenda vendit. Kush e kundërshton këtë pohim le të tregojë bilancet e shtetit shqiptar të kontrolluara nga financierë ose organizma financiarë kontrollues me autoritet të besueshëm dhe të pavarur, jashtë strukturave të administratës dhe të kastës drejtuese të shtetit shqiptar. Shteti shqiptar gjithmonë i ka mbështetur shpenzimet pjesërisht mbi borxhe të jashtme, ndihma vëllazërore apo internacionaliste, ndihma të huaja, “çeqe të bardha”, kreditorë/donatorë dhe përsëri kredi, borxhe, donacione (lexo: lëmosha), e financime nga struktura të huaja apo organizma e organizata ndërkombëtare (një lexues i mirëinformuar dhe i vëmendshëm e vëzhgon qartë këtu radhitjen sipas etapave të ndryshme që ka kaluar shteti shqiptar).
Pra shteti shqiptar e ka mbështetur historikisht zhvillimin e shoqërisë shqiptare mbi borxhe, ndihma, kredi, hua, donacione (lëmosha) etj. Shpenzimet dhe pagesat detyrimore të shtetit asnjëherë dhe për asnjë vit financiar nuk janë mbuluar me të ardhurat kombëtare 100% dhe asnjëherë nuk ka pasur një plan, objektiv dhe angazhim konkret afatgjatë se kur apo në ç’vit shteti do t’i përballojë ato 100%. Kjo është hija e dyshimit të parë mbi kompentencën, aftësinë, seriozitetin bile edhe atdhetarinë e grupimeve politiko-shoqërore që e kanë drejtuar e drejtojnë shtetin shqiptar.
Nga ana tjetër shteti shqiptar historikisht nuk ka sanksionuar, zbatuar, respektuar dhe mbrojtur të drejtën universale të pronës dhe pronësisë. Shembujt nuk janë objekt i këtij shkrimi sepse duhen mijëra faqe për të përshkruar atë masakrim barbar që shteti shqiptar i ka bërë sistematikisht pronës me përkushtim kusari, brigandi e krimineli. Po ashtu shteti shqiptar historikisht si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar nuk i ka trajtuar me seriozitet dhe me përkushtim detyrimet kontraktuale që kanë rrjedhur nga marrëdhëniet e shkëmbimit të pranuara nga po ai vetë.




Shteti shqiptar historikisht nuk ka respektuar kontratat dhe nuk ka qenë serioz në shlyerjen e borxheve, kredive dhe huave. Shteti gjithmonë ka parë si rrugëdalje karshi detyrimeve financiare faljen “vëllazërore” apo të imponuar të detyrimeve ose prishje marrëdhëniesh me palën financuese kur nuk i ka ardhur sipas oreksit. Opinioni im personal është se propaganda demagogjike, neveritëse dhe e shfrenuar zyrtare shqiptare mbi armiqësinë e jashtme kundrejt vijës politike “të drejtë e parimore” të shtetit shqiptar, ose kundërvënia e shtetit shqiptar ndaj politikave të shteteve të tjera që e furnizonin me burime financimi ose të mirash materiale shtetin shqiptar, është një falsitet e pandershmëri ekstreme. Kjo tendencë ka qenë e pavarur nga ngjyra politike të shtetit shqiptar. Nuk e di se sa është i informuar opinioni publik shqiptar mbi treguesin e besueshmërisë financiare të shtetit shqiptar në botën e biznesit ndërkombëtar që merret me këshillimet e investimeve në vende të ndryshme. Po ashtu edhe mbi treguesin e situatës politike të shoqërisë dhe shtetit shqiptar i matur sipas standarteve ndërkombëtare që masin zhvillimet politike në një vend. Kam bindjen se në vlerat e këtyre treguesve mund të gjendet përgjigja e vërtetë për thithjen e investimeve të bollshme e serioze në Shqipëri. Ç’marrëdhënie ekonomike të qëndrueshme e të besueshme mund të krijojë një shtet me një “biografi” marrëdhëniesh ekonomike e kontraktuale të tilla? S’duket e vështirë përgjigja e kësaj pyetje.
Në planin administrative e të shërbimit publik, shteti shqiptar, me gjithë ndryshimet e mëdha politike në vend e rreth e rrotull, akoma funksionon me mendësinë e kohës së diktaturës famëkeqe d.m.th. shtetarët dhe qeveritarët në mënyrë hierarkike i kuptojnë dhe zbatojnë funksionet e shtetit si vetëm urdhërues, komandues, arbitrar, të plotfuqishëm e të pakontrollueshëm, arrogant dhe abuziv. Vlen të përmendet një fakt absurd urdhërues e administrativ i veprimtarisë së qeverisë shqiptare: qysh pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot qeveria shqiptare vepron me VKM (Vendime Këshilli Ministrash) për mbarë shoqërinë shqiptare dhe subjektet që kanë veprimtari në Shqipëri. Në një demokraci me parlament ligjvënës, Këshilli i Minstrave nuk mund të ketë mandat zgjedhor për të nxjerrë akte vendimorë të detyrueshëm për të gjithë subjektet e objektet e vendit. Kjo është një praktikë qeverisje Musoliniane e imponuar gjatë pushtimit fashist në Shqipëri e huazuar nga qeveria dhe diktatura monisto-punise dhe e përdorur po ashtu gjerësisht në sistemin Sovjetik. Pra një praktikë që ushqen dhe mbështet diktaturën e individit mbi gjithë vendin e shoqërinë d.m.th. të Kryetarit të Këshillit të Ministrave ose të Kryeministrit. Qeveria nxjerr akte vendimore vetëm për administratën shtetërore dhe veten e vet që janë të detyrueshme e me jetëgjatësi që kushtëzohet nga pranimi ose abrogimi nga qeveria pasardhëse.
Në një demokraci me parlament ligjvënës aktet ligjore të detyrueshme për të gjitha objektet e subjektet e vendit propozohen e aprovohen ne parlament nga subjekte të caktuara me kushtetutë duke përfshirë si qeverinë ashtu edhe një minister të veçantë të qeverisë.
Një mangësi thelbësore e procedurave të parlamentit shqiptar është mungesa e mekanizmit të filibuster i cili i jep mundësi pakicës në parlament të rrëzojë një projekt ligj edhe kur shumica ka numrin e votave të mjaftueshme për ta kaluar atë projekt ligj në ligj. Në rrethanat e një të kaluare me qeverisje diktatoriale absolute ky mekanizëm do të krijonte në vite kulturën e një qeverisje të emancipuar dhe jo despotike arbitrare të shumicës. Ky mekanizëm, ndërmjet dy zgjedhjeve parlamentare, ndërton edhe “biografinë” e suksesit ose të dështimit të qeverisjes së forcave politike që përbën shumicën gjatë kësaj periudhe.

Me një vështrim të përciptë dallohet lehtë se në shërbimet ndaj individit dhe anëtarëve të shoqërisë që e voton dhe e zgjedh, shteti nuk e sheh kurrë veten si palë në kontratën politiko-sociale të lidhur dhe sanksionuar në procesin zgjedhor. Arbitrarizmi qeverisës e korruptiv mbizotëron i pa sfiduar nga ligjet, politikat, direktivat e procedurat përkatëse. Mendësia feudalo-bajraktare, primitivo-patriarkale dhe bizantine e përdorimit dhe funksioneve të shtetit do përkushtim brezash që të ndryshohet dhe të zhduket.
E dyta është se përsëri historikisht asnjë drejtues i shtetit shqiptar, asnjë grup politik apo i ashtuquajtur politik i shoqërisë shqiptare si edhe asnjë klasë drejtuese a grupim politik apo ekonomik (në qoftë se ka ekzistuar ndonjëherë) i shoqërisë shqiptare dhe shtetit shqiptar s’ka shtruar pyetjen më themelore të një shoqërie: Me se do të mbijetojë, do të mbështesë ekzistencën dhe do të përparojë shoqeria dhe shteti që neve kemi marrë përsipër ta drejtojmë? Të gjithë i janë shmangur dhe po i shmangen kësaj pyetje, me qëllim apo nga injoranca politiko-ekonomike ose mungesa e atdhetarisë, kjo është çështje tjetër.
Nga ana tjetër këta drejtues shteti dhe të ashtuquajtur politikanë nuk kursehen aspak me shprehje çoroditëse dhe pa asnjë vlerë praktike për individin e shoqërisë shqiptare, kur tërthorazi në mënyrë hileqare, të papërgjegjëshme e të pandershme (për të mos thënë poshtëruese dhe skllavëruese për breza të tërë të shoqërisë shqiptare) trumbetojnë sllogane bajate nga më të ndryshmet si “ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”, “Shqipëria fener ndriçues në Evropë”, “ç’thonë të huajt për Shqipërinë”, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, “asocimi dhe antarësimi në BE”, “luftë korrupsionit”, “thithja e investimeve të huaja”, “vetingu” etj. etj. Këto parrulla janë krejtësisht të pamatshme dhe të pakontrollueshme në rast se ato nuk i paraprijnë objektiva ekonomikë dhe socialë për subjektet e individin e shoqërisë shqiptare në rradhë të parë dhe pastaj për tërë shoqërinë. Asnjë nga këto parrulla e slogane nuk i ka prurë e nuk po i bie mirëqenien, sigurinë, paqen, qetësinë dhe mbarëvajtjen individit apo subjekteve të shoqërisë shqiptare por, arritja e këtyre cilësive realisht me mund, sakrifica, djersë e përkushtim dhe me tregues të matshëm e çon shtetin shqiptar e shoqërinë shqiptare në Evropë e Perëndim si pika referimi të shkallës së emancipimit të saj.
Shteti shqiptar duhet ta vërë vath në vesh njëherë e përgjithmonë që shoqëria kapitaliste është një nga shoqëritë më racionale dhe më efikase që ka ndërtuar raca njerëzore deri më sot dhe si e tillë nuk të fal asgjë pa interesa të qarta ekonomike kryesisht dhe që nganjëherë çfaqen si interesa politike për naivët dhe mëndjeshkurtërit, dhe që rrallë herë manifestohen me antarësira, bamirësi e lëmosha të ndryshme. Në rastin e fundit arsyeja e vërtetë është se komunitetit të biznesit ndërkombëtar i kushton ekonomikisht shumë e shumë më tepër të merret me një shtet të falimentuar e dështuar se sa të ndihmojë me donacione (lëmosha) e kredi pa interes, apo me interes shumë të vogël, shtete si Shqipëria apo të tjera të kësaj kategorie.


Pra, parimi kryesor i solidaritetit kapitalist të zhvilluar perëndimor është “ndihmo veten që të të ndihmoj unë edhe më shumë” dhe në asnjëmënyrë e anasjellta d. m. th. “më ndihmo ti mua që unë të ndihmoj e të kurruptoj veten me ndihmat e tua përjetësisht”. Duke filluar nga çdo individ në çdo shoqëri që nga familja e thjeshtë e deri tek shteti një pyetje themelore shtrohet se ku do të mbështeten të ardhurat për të ndërtuar jetesën dhe gëzuar atë që duam ose ëndërojmë. Pas kësaj vjen pyetja se cilat janë burimet prej të cilave shoqëria shqiptare do të sigurojë të tashmen, do të ndërtojë të ardhmen e saj dhe do të shlyejë kreditë e borxhet e marra për këtë qëllim? Përgjigja e kësaj pyetje s’është publikuar dhe afishuar asnjëherë me shifra konkrete nga shteti shqiptar dhe drejtuesit e tij për të mos përmendur pastaj programet e partive politike apo grupimeve të ndryshme politiko-intelektuale. Kush nga këta drejtues të shtetit shqiptar që pretendon dhe aspiron për t’u quajtur udhëheqës ka dhënë një vizion të saktë dhe të pakorrigjueshëm se mbi çfarë burimesh e mbështet zhvillimin e vendit të tij dhe në ç’vit financiar e parashikon dhe projekton Shqipërinë të arrijë vetëfinancimin e plotë vetëm nga prodhimi e të ardhurat prej burimeve kombëtare dhe gjithashtu me kredi e borxhe të shlyera. Ç’reforma dhe ç’plane sociale do të mbështesin të ardhurat nga prodhimi kombëtar pa marrë borxhe dhe kredi? Cili do të jetë niveli i cilësisë së jetesës në Shqipëri dhe me ç’tregues të kapshëm do të matet? Në qoftë se një drejtues shteti nuk i bazon premtimet elektorale vetëm mbi të ardhurat kombëtare atëhere ai ose ajo si edhe grupi që ata përfaqësojnë ka projektuar që në fillim dështimin dhe falimentimin me mashtrim – gjë që sipas mendimit tim po ndodh qysh nga krijimi i shtetit shqiptar.

Së treti eksperienca e historisë botërore ka treguar në raste të rralla se drejtuesi i një shteti modern transformohet në udhëheqës kur brenda vetvetes ka të mpleksura me njera tjetrën tri cilësi kryesore: ka një objektiv të qartë dhe të saktë për të ardhmen e shoqërisë që drejton; e ka të qartë vetë, ose nëpërmjet shtabit drejtues që zgjedh për bashkëpunim e këshillim, të gjithë rrugën që do të përshkojë për të arritur këtë objektiv; ka besim të fuqishëm, të papërkulshëm dhe të palëkundshëm se do ta arrijë këtë objektiv. Sipas mendimit tim, të gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore nuk i kanë pasur asnjëherë së bashku këto cilësi.
Së katërti në rast se shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar ka marrë përsipër që të ndërtojë dhe mbështesë një ekonomi tregu atij i mungon serioziteti dhe përkushtimi me të cilën kjo lloj ekonomie dhe këto lloj marrëdhëniesh trajtohen dhe mbrohen nga shoqëritë dhe shtetet e konsoliduara me këtë lloj ekonomie. Shoqëria dhe shteti i ekonomisë së tregut ka dy shtylla bazë mbi të cilat funksionon: marrëdhëniet e pronës dhe marrëdhëniet e shkëmbimit d.m.th. kontraktuale. Këto dy struktura shumë të rëndësishme dhe jetike për shtetin e ekonomisë së tregut trajtohen nga administrata shtetërore akoma me mendësinë leniniste të “pronës së të gjithëve dhe të askujt” ose me mendësinë e pronës së “shtetit” absurd e të padukshëm dhe me papërgjegjshmërinë ligjore e të pasanksionuar të kontratës që është trashëguar nga paaftësia komunisto-socialiste. Po të funksionojnë këto dy struktura si duhet s’ka nevojë që shteti shqiptar të lutet për anëtarësim në BE por do të jetë kjo e fundit që do t’i lutet për t’u antarësuar për nga vlerat e shoqërisë e shtetit shqiptar në familjen Evropiane.
Shteti dhe shoqëria shqiptare për nga niveli i shërbimit qytetar, social dhe ekonomik është vetëm i krahasueshëm me shtetet dhe shoqëritë më të korruptuara të Globit. Me këto tregues nuk futemi në BE për të mos folur pastaj për thithje e investimeve serioze, të fuqishme e afatgjata të kapitalit të huaj. Kush investim i besueshëm vjen në këtë ambjent dhe me këtë platformë që ekziston në Shqipëri? Vetëm aventurierët dhe spekullatorët vijnë, të ndërgjegjëshëm se ka shumë rreziqe por ama nga ana tjetër përfitojnë nga korrupsioni i stimuluar po prej tyre në këtë terren jashtëzakonisht pjellor dhe primitiv duke e shndërruar atë (korrupsionin) në një sistem të organizuar që asfikson zhvillimin dhe më vonë shoqërinë deri në dështim e falimentim.
Kjo gjendje e përgjithëshme me prirje shumë regresive dhe pasoja katastrofike jo vetëm që s’mund të eliminohet gjatë një mandati qeverisës, por edhe për 50 vjet është shumë e dyshimtë në se do mund të kufizohet, në rast se nuk fillohet nga shteti një nismë strategjike me objektiva, masa e procedura shumë të qarta, të matëshme e të kontrollueshme dhe të mbështetura fuqimisht nga grupet e biznesit, grupet politike që qeverisin, brezi i intelektualëve më të emancipuar të shoqërisë shqiptare kudo qofshin, i politikanëve me pushtet dhe pa pushtet dhe së fundi i qeveritarëve të tanishëm që veprojnë në Shqipëri. Në rradhë të parë për këtë duhet argumentuar domosdoshmëria e një dëshire e vullneti politik e cila duhet të shndërohet në një zgjidhje e marrëveshje politike e pastaj të tjerat me rradhë.

Shumë angazhim të sinqertë apo të pasinqertë ka për korrupsionin por pak ose fare pak analiza ka për burimet e këtij fenomeni dhe parandalimin e tij. Bile edhe përcaktimi i tij si fenomen moral në shoqërinë shqiptare dhe si detyrim ligjor nga shteti shqiptar s’është i qartë. Tjetër është morali shoqëror mbizotërues dhe tjetër është ligji veprues ndaj një veprimi. Morali tradicional i shoqërisë dhe kulturës shqiptare ndaj korrupsionit është pak si i turbullut për vetë kushtet e zhvillimit historik të saj e në vartësi të bashkësisë së kulturave që e kanë imponuar e rrethuar në shekuj dhe që e rrethojnë e influencojnë akoma edhe sot. Sipas mendimit tim ky moral përmblidhet fare bukur e qartë në shprehjen kaq shumë të zbatuar nga të gjithë neve: “Një kafe e zezë mban dyzet ditë hatër”, që, gjithmonë sipas mendimit tim, do të thotë se favori shkëmbehet me favor. Kjo traditë mendoj se e ka zanafillën nga zakoni fisnik i shoqërisë së herëshme njerëzore të shkëmbimit të dhuratave por u shpërdorua, dhunua dhe abuzua në shkallën më të lartë dhe më të sofistikuar nga ana e pushtetarëve primitivë të regjimit famëkeq diktatorial dhe që u ngulitën në veset më të ulta të “njeriut të ri” e që fatkeqësisht kjo krijesë eksperimentale e laboratorit monstruoz “komunist” përbën në mënyrë masive klanin e pushtetarëve e politikanëve shqiptarë të periudhës postdiktatoriale të tanishme.
Korrupsioni është fenomen shoqëror dhe jo individual sepse për çdo akt korruptiv duhet një individ korruptues dhe një individ i gatshëm për t’u korruptuar. Ky fenomen është udhëtar i përhershëm i shoqërisë njerëzore në çdo stad apo orientim politik të saj. Unë pranoj dhe mbroj idenë që natyra njerëzore është e prirur drejt përfitimit personal dhe për të arritur këtë synim përdor të gjitha mjetet e mundëshme të pranueshme e të papranueshme (por të fshehëshme) nga shoqëria, etika, ligjet, morali dhe bindjet personale. Një shprehje e mençur thotë se “pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”. Një nga premisat fillestare për të mbajtur nën kontroll korrupsionin është jo vetëm zhdukja e pushtetit të pakufizuar të një personi po se po, por edhe të një grupi të caktuar dhe më tej kufizimi i pushtetit të një individi apo grupi në caqet më të mundëshme reale duke imponuar procedura kontrolli dhe verifikimi në çdo hap ku ka mundësi abuzimi. Kjo zgjidhet me dëshirë politike në rradhë të parë dhe pastaj me procedura ligjore e udhëzime të formuluara qartë e pa mëdyshje. Argumenti më logjik (për ata që nuk e kanë humbur) për luftimin e këtij fenomeni shumë negativ shoqëror është se edhe individët që duket se përfitojnë direkt nga ky ves, në të vërtetë po të analizohen të gjitha rrethanat afatshkurtra dhe afatgjata, dalin shumë më të humbur, por që kërkon shumë mençuri e guxim për ta kuptuar.
Korrupsioni në shoqëritë e emancipuara është i papranueshëm moralisht dhe i dënueshëm ligjërisht ndërsa në shoqëritë primitive është praktikisht i pamundshëm për ndëshkim ligjor. Ai ka një mbështetje të gjerë morale në ambjente të ngushta bile cilësohet edhe si aftësi tejet shkathtësore e një individi. Përndryshe s’ka se si të shpjegohet që në një shoqëri primitive me tradita tejet patriarkale siç është shoqëria shqiptare, dhe kur shpenzimet e disa individëve tejkalojnë në mënyrë hiperbolike të ardhurat dhe pagesat e deklaruara dhe të mbrojtura me ligj, nuk vihen në pikëpyetje nga anëtarët e tjerë të familjes apo të rrethit të ngushtë familjaro-shoqëror ku ky individ jeton, vepron dhe kontribon, por përkundrazi trumpetohen me mburrje si aftësi e individit për të qenë super i shkathët, biznesmen i lindur dhe i përkryer dhe zbatues shembullor i praktikës së ekonomisë së tregut. Më befasuesja është kur pothuajse në të gjitha ambjentet familjare e shoqërore të ngushta shqiptare rradhiten me mburrje pasuritë “e blera” në forma të patundëshme në pjesë të ndryshme të vendit nga “të ardhura” të deklaruara ose të taksuara tejet të pakrahasueshme me vlerën e pronësuar. Të gjitha këto shpjegime janë mijëra vjet larg së vërtetës dhe praktikës së ekonomisë së tregut dhe një shtrëmbërim primitiv e injorant i një prej zhvillimeve dhe arritjeve më të ndërlikuara të veprimtarisë së shoqërisë njerëzore që përcaktohet si ekonomi e tregut. Këta ish lakej të djeshëm dhe brohoritës histerikë të pronës së përgjithëshme mbi mjetet e prodhimit na paskan zbuluar se ekonomia e tregut është ajo marrëdhënie e përvehtësimit të paligjshëm (se për të pamoralshëme as që mund të përmendet) që ia jep si priviligj zyra, funksioni publik, pozicioni politik, lidhjet e dyshimta me qarqet e biznesit të paverifikuar e mungesa e transparencës e rreptësisë ligjore, e ndershmërisë qytetare e morale dhe, që fatkeqësisht kanë përkrahjen e besimin e një turme tjetër drejtuesish e mbështetësish primitivë dhe injorantë. Nga pikëpamja filozofike korruptuesi e meriton të korruptuarin plotësisht dhe pa ekuivok, por fatkeqësia më e madhe është për brezin që vjen pas tyre sepse brezi pasardhës s’ka mundësi që të veprojë në një ambjent që e zgjedh siç e do vetë ai dhe të pavarur nga trashëgimia e metastazave korruptive të ngulura thellë në trupin e shoqërisë shqiptare nga brezi parardhës.
Sipas standarteve të shoqërisë së emancipuar e taksapaguese perëndimore dhe të BE, absolutisht dhe pa përjashtim, asnjë person publik aktiv në Shqipëri (dhe të gjithë ata që jetojnë nën një strehë me të) nuk e kalon dot provën e ballafaqimit, krahasimit dhe shpjegimit të të gjitha pasurive të tundëshme dhe të pa tundëshme si edhe të shpenzimeve e mjeteve me vlera të mëdha që ka në përdorim nga njera anë, me të ardhurat jo vetëm vjetore por edhe dhjetravjeçare nga ana tjetër. Ky është “veting” i vërtetë ligjor, i qendrueshëm dhe pjellor për ardhmërinë e shoqërisë shqiptare dhe jo ai që llomotisin me hipokrizi e djallëzi të fshehur këshilltarët e dipllomatët e huaj në Shqipëri të mbështetur nga të rekrutuarit e tyre në pushtet. Vërtet i gënjen mendja këta persona publikë aktivë (politikanë, qeveritarë dhe personat që jetojnë në një strehë me ta) se po ja hedhin biznesit serioz ndërkombëtar dhe BE-së?!
Duke përcaktuar më tej boshllëqet e mangësitë e funksionit ekonomik të shtetit shqiptar mendimi im është se atij i kanë munguar dhe vazhdojnë t’i mungojnë objektivat afatgjatë ekonomikë prej nga do të sigurohet mbijetesa, të ardhurat dhe mirëqenia shoqërore. Marrëdhëniet e pronës e të shkëmbimit (kontraktuale) si bazë e garantimit të marrëdhënive ekonomike dhe investuese janë të pagarantuara dhe të pabesueshme në kushtet e krijuara nga shtetit shqiptar. Si rezultat i këtyre dy pohimeve të mësipërme të ardhurat dhe shlyerja e detyrimeve të shtetit shqiptar për një kohë shumë, shumë të gjatë mbeten të pacaktuara, në pikpyetje dhe pa të ardhme. Vjelja korrekte dhe pa firo e taksave, si burimi kryesor i të ardhurave të një shteti, rrezikohet seriozisht për shumë vjet, për të mos thënë dekada, për arrësyen e thjeshtë që inventarizimi dhe rregjistrimi rigoroz e i saktë i pronave, objekteve e subjekteve veprues nën juridiksionin e legjslacionin e shtetit shqiptar nuk mund të përballohet sepse s’ka të ardhura kombëtare të projektuara dhe të gatëshme për t’u shpenzuar për këtë domosdoshmëri, nga burimet e veprimtarisë ekonomike në teritorin e ushtrimit të këtij legjislacioni. Sipas mendimit tim identifikimi dhe rregjistrimi i objekteve dhe subjektve të territorit shqiptar është krejtësisht në amulli të plotë dhe si rrezultat prona është e pambrojtur në të gjitha nivelet duke filluar që nga individi e pronari më i vogël e mbaruar deri tek pronat e grupeve dhe të njësive të mëdha administrative apo ekonomike.
Përsa i përket doganave ato s’mund të konsiderohen në asnjë rrethanë si burim kryesor të ardhurash për një shtet – vetëm taksat e vjelura nga ushtrimi i veprimtarisë ekonomike kanë “pjesën e luanit” në krijimin e të ardhurave të shtetit. Nga ana tjetër strukturat e shteti shqiptar nuk po e përgatisin psikologjikisht dhe edukojnë realisht hap pas hapi individin dhe anëtarin e shoqërisë shqiptare se shteti i ekonomisë së tregut është shteti i pronës, kontratës dhe taksave për çdo gjë dhe kudo. Shteti i pakorruptuar i ekonomisë së tregut e kontrollon kaq besnikërisht dhe rreptësisht vjeljen e taksave sa që (sa për krahasim) punonjësi i sigurimit famëkeq të kohës së diktaturës “komuniste” mund të konsiderohet shumë i butë në krahasim me punonjësin e strukturës organizative të taksave të këtij shtetit dhe, në qoftë se cilidoqoftë tenton t’i shmanget taksave, e provon mbi lëkurën e vet tërë fuqinë vepruese dhe shkatërruese të detyrimit ligjor të këtij shteti.
Përshkrimi e analiza e mësipërme krahason në realitetin shqiptar, si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe të tërthortë, disa nga funksionet kryesore të shtetit të paraqitura në pjesëne e parë të këtij shkrimi. Kjo analizë në kushtet e shtetit shqiptar kishte për qëllim funksionin ekonomik kryesisht por që s’mundi t’i shmangej funksioneve publike dhe sociale për vetë mpleksjen e vartësinë e pashmangëshme e llogjike që ata kanë prej funksionit ekonomik.
Si përfundim i kësaj pjese të analizës, duke qenë i ndërgjegjshëm që po bëj një pohim tepër shqetësues, tronditës dhe aspak inkurajues, por ky është realiteti i parë nga këndvështrimi im i rrethanave dhe kushteve të zhvillimit historik të shtetit shqiptar: shteti shqiptar nuk ka dhe nuk përmban e tregon objektiva afatgjata të qarta ekonomikë për zhvillimet e vendit, të ardhurat dhe mbijetesën e shoqërisë shqiptare. Pasojë e rëndë e kësaj mungese është rreziku i falimentimit ekonomik dhe i dështimit politik e social.
Shteti shqiptar në pamundësi për të siguruar të ardhura të konsoliduara, pavarësisht nga grupimi politik që e qeveris, nuk mund të përballojë e mbështesi asnjë shërbim afatgjatë ose program social për publikun shqiptar e cila më mprehtë pasqyrohet në shërbimin shumë të varfër shëndetësor, arësimor, si edhe në të gjitha aspektet e shërbimeve ku publiku ballafaqohet me administratën shtetërore për një dokument, kontratë, proces gjyqësor, mbrojtje e siguri personale, mbrojtje ekonomike, mbrojtje sociale, trajtim dinjitoz publik, mbrojtje si konsumator, kredi, infrastructure, rrugë, rrjet inxhinierik, furnizim me burime që konsiderohen jetike dhe të detyrueshme për një shoqëri siç është uji dhe energjia, jurist të besueshëm, punonjës publik korrekt, ambjente publike cilësore, etj.
Po kështu shteti shqiptar pa të ardhura solide e rrjedhëse nuk mund të thithi në administratën e vet publike njerëzit më të talentuar e më me integritet pasi nuk është në gjendje për ti shpërblyer drejt, kështu krijon kushte për punësimin e më të paaftëve, në rastin më të mire, dhe të batakçinjve të korruptuar në rastin më ekstrem, në shërbimin publik të të gjitha shkallëve. Kjo gjendje i privon shtetarët shqiptarë nga pasja e një këshillimi e mbështetje të vazhdueshme profesionale, krijuese, dinjitoze, të motivuar e të përkushtuar, të zëshme e cilësore, të besueshme e politikisht të pavarur dhe rigoroze. Kjo mungesë krijon kushte për pakënaqësi dhe turbullira sociale të cilat janë të pavarura nga grupimet politike që janë në qeverisje për momentin e caktuar. Periudha post-diktatoriale moniste e tregon qartë këtë rrjedhim e pasojë. Ato (kushtet) janë mbrujtur e pjekur me dekada të tëra nga paaftësa, aventurizmi, sharlatanizmi, demagogjia, shtrembërimi, mashtrimi e paqartësia ekonomike e shtetarëve të ndryshëm që kanë qeverisur vendin. Në këto kushte as që bëhet fjalë për ndërtimin e një shërbimi publik dinjitoz e të zëshëm pasi atë e ka dhunuar, shtypur, dërmuar e thërmuar vetë shteti shqiptar që në embrion historikisht e sistematikisht me ndërhyrje e lëvizje politike, “parimore”, partizane e partiake absurde gjatë gjithë kohës e pa përjashtim sistemesh e forcash politike.
Absurditeti i shtetit shqiptar dhe i qeverisjes pa principe të tij duket fare qartë në rastin kur forcat politike të majta, kur kanë pushtetin, shkatërrojnë vetveten dhe elektoratin që e mbështet sinqerisht, duke eliminuar realisht e pa asnjë kriter mbështetjen ekonomike të të vetmeve programeve sociale që duheshin ruajtur e përkujdesur nga njera anë dhe kur nga ana tjetër, grupet e individët më të brishtë e më të pambrojtur të shoqërisë shqiptare përbuzen deri në dhembje nga monopoli i paskruppullt i atyre që mendohet se historikisht janë solidarizuar e kujdesur për ta dhe do të vazhdonin ti mbronin këta individë. Ndërsa e ashtuquajtura e djathtë politike vjen në pushtet me premtime elektorale që kanë platformë çuditërisht të majtë deri edhe komuniste (pavarësisht se komunizmin e përçmojnë dhe urrejnë si term) siç ishte rasti i rindarjes së tokës, ndarjes së vlerave të krijuara gjatë periudhës së sundimit primitiv të ashtuquajtur “komunist” apo lejimi i uzurpimeve e grabitjeve masive te tokave apo pasurive të patundëshme pa sistemin e shitblerjes së ekonomisë së tregut.
Mospasja e të ardhurave kryesore nga burimet kombëtare dhe ekonomike të vendit i tkurr dhe i ngurtëson funksionet e shtetit shqiptar në të gjitha veprimtaritë e tij si kundrejt publikut të tij nën juridiksion ashtu edhe në marrëdhëniet me të huajt, huadhënësit e donatorët veçanërisht, dhe të tjerët përgjithësisht. Shtetarët shqiptarë gjithmonë ndodhen në pozita inferiore bisedimi sepse nuk kanë besueshmëri dhe autoritet të mbështetur në perspektiva e projektime ekonomike bindëse të përgjithshme e të hollësishme afatgjata e afatshkurtëra. Në këto rrethana janë të detyruar të pranojnë këshillime e vendime që shpesh mund të mos jenë të favorshme dhe të zbatueshme për kushtet konkrete shqiptare pavarësisht nga suksesi i propaganduar me aq passion nga partneri huadhënës, donator ose përfaqësues i huaj. Këta shtetarë nuk kanë parasysh sa edhe ai që merr borxh e hua ka të drejtë që të negociojë me dinjitet e profesionalizëm kushtet dhe situatat konkrete dhe aspak të përulet para autoritetit të huaj negociator. Përfaqësuesit shqiptar i është eliminuar ky variant i ndërtimit të bisedimeve pasi vetë shteti i tij e ka asgjësuar me kohë këtë mënyrë bisedimi në favor të përfitimit personal.
Lista e boshllëqeve dhe mangësive mund të shtrihet pa fund në funksionet e shtetit shqiptar por qëllimi i kësaj pjese të shkrimit nuk është për të zbuluar dhe analizuar në mënyrë të fundme të gjitha boshllëqet e mangësitë e funksioneve të shtetit shqiptar – kjo gjë është e pamundur në një shkrim analitik të kësaj natyre. Përkundrazi, qëllimi këtu është për të zgjuar interesin e lexuesit për shkallën e madhe të ndërvartësisë së funksioneve të shtetit shqiptar dhe pasojat tronditëse që ajo ka në aspektet më kryesore të veprimtarisë së çdo individi dhe grupi të shoqërisë shqiptare.
Në përfundim kjo pjesë e këtij shkrimi analizoi gjendjen e funksioneve të shtetit shqiptar dhe boshllëqet e mangësitë e vëzhguara në krahasim me po të njëjtat funksione të një shteti modern e ligjor ashtu siç është perceptuar e njohur drejtpërdrejt nga eksperianca ime vetiake dhe e pa shtrembëruar. Vijon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.