AKTUALITET

Buzëqeshja, “magjia” që shëron

14:37 - 18.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatos Baxhaku – Në fillim është një lapidar, një yll i madh, i lyer më gëlqere, që përkujton një betejë që është bërë në këto anë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Një tabelë në anë të rrugës na e kujton edhe më mirë se ku po shkojmë. Ajo shënon Pishkash.
Eshtë një ditë pranvere, plot diell. Bashkë me ne udhëtojnë edhe Eva Buzra dhe Mimoza Polisi, vajza të reja. E para ka një zanat fort të vyer, është logopede, me një fjalë u mëson të pamundurve se si mendimet e tyre t’i hedhin në fjalë, një gjë që të kujton diçka nga njerëzit e fesë dhe misioni i tyre. E dyta është psikologe, edhe kjo një punë fort e dobishme në kohë egoizmi e inatesh.




Ndërsa makina 4X4 çapitet në xhadenë e vjetër e të dëmtuar, vajzat janë krejt të hareshme, do takojnë pacientët e tyre të vegjël. Të dyja janë aktivistë të projektit ‘Tungjatjeta Jetë’ të World Vision, një projekt që ka nisur afër një vit më parë. Bashkitë Përrenjas dhe Librazhd kanë një numër të lartë fëmijësh të pamundur, autizëm, sëmundje të trashëguara që nga lindja, kanë mbërthyer shumë fëmijë në shtëpi dhe, sigurisht bashkë ta edhe prindërit e tyre. Një fëmijë me problem të rënda është një telash i rëndë për secilën familje, por në këto anë, hallit i shtohet edhe varfëria. Deri në vitet ’90 e ca më pas, vendasit jetonin me minierën e Pishkashit, por kur ajo u mbyll burrat e këtyre anëve nuk ishin më as fshatarë dhe as minatorë, ishin thjesht të varfër dhe, shumë herë, të harruar në fatin e tyre. Puna kryesore tani është të jesh çoban sezonal në Greqi. Krahina ka pak tokë të punueshme dhe blegtoria e paktë është sa për të mbajtur frymën gjallë.

Eva dhe Moza na thonë se, bashkë me kolegët e tyre, kanë nën mbikëqyrje, 41 fëmijë në dy bashki që kanë një shtrirje të gjerë, ndër zona malore, shumë herë ndër shtëpi e fshatra ku është vështirë të mbërrish edhe në mijëvjeçarin e tretë. Deri më tani askush nuk ka ditur të shpjegojë shkencërisht numrin shumë të lartë të fëmijëve të pamundur në raport me numrin e popullsisë në këto anë. Ca nga buzëqeshja e vajzave, ca nga që bagazhin e makinës ato e kanë stërmbushur me lodra shumëngjyrëshe, dhe ca nga që dielli i pranverës së parë ka nisur të shkëlqejë mbi dheun e kuq – shenjë e hekurit – në këto anë, udhëtimin na duket sikur e bëjmë vetëm për pak minuta.
Laurel Polisi, 9 vjeç duket i lumturuar kur në shtëpinë e tij hyjnë dy vajzat me tufën e lodrave. Duket sheshit se marrëdhëniet mes tyre tashmë janë bërë një burim shprese edhe për prindërit e Laurelit. Djali është diagnostikuar me autizëm. Rrëfen Shpresa, e ëma: “Andej nga viti i tretë i jetës, djali na bëri merak. Kishte problem me ushqimin. Nuk po arrinte të fliste. Bashkë me tim shoq vrapuam në Librazhd. Doktorët atje na çuan në Tiranë. Këtu na thanë se çfarë problemi të rëndë kishte. As që ia kishim idenë se çfarë ishte autizmi dhe në fillim e humbëm shpresën, por pastaj erdhën vajzat e ‘Tungjatjeta’ dhe tani ka raste që as edhe vetë nuk u besoj syve.

Djali, brenda një vit ka pasur përmirësime të mëdha…”. Babai i Aurelit, sapo është kthyer nga Greqia ku punon sa herë gjen punë. “Unë, ngaqë e rri disa kohë pa e parë – na thotë – e kam edhe më të qartë përmirësimin. Kujt ia priste mendja se djali do të shkonte në shkollë në Përrenjas, në klasë të parë vërtet, por ama në mënyrën e tij ai tani ka shokë, atje e duan, e quajnë njërin prej tyre, sado që ky i yni nuk flet, por ama sytë i shndrisin sa herë e motra e bën gati për t’u nisur për në shkollë. Tani ka mësuar edhe ushtrimet e para të shkrimit, bashkon pika, shënon viza. Kujt ia priste mendja!?”. Babai këmbëngul që të shënojmë edhe një gjë të fundit në blloqet tona. “Kjo gjë nuk do të ndodhte sikur të mos ekzistonte mirësia. Eva dhe Moza ma kanë ndryshuar djalin. Po ashtu edhe mësuesit dhe nxënësit atje poshtë në Përrenjas. Po të mos ishte kjo mirësi, këto buzëqeshje që sheh sot te ne apo te djali, nuk do t’i kishit parë dot…”. Biseda me prindërit zhvillohet teksa vajzat vazhdojnë me durim të kryejnë terapinë e tyre, ndërsa ne ndërkohë mësojmë të reja të tjera mbi përmirësimin e Laurelit. Ai tani arrin që të përqendrohet përballë televizorit sa herë që ka filma vizatimorë. Madje ka shkuar aq larg sa të ketë edhe këngëtaren e tij të preferuar, një vlonjate që këndon këngë folk. Prindërit e quajnë fitore të madhe faktin që ai tani arrin të marrë vetë shishen e ujit, një gjë që nuk e dinte një vit më parë. Eva dhe Moza e kanë mbaruar terapinë, na duhet të përshëndetemi. Laureli i vogël, qëndron një copë herë te pragu i derës, teksa vajzat vazhdojnë të ngjiten drejt një rrëpire që të çon në xhade. Do të kishte dashur që ato të qëndronin edhe ca në shtëpinë e tij.

Dielli ka nisur të ulet dhe nga lugina e Shkumbinit ka filluar të fryjë një erë e thëllimtë. Po shkojmë drejt fshatit Babje, në të dalë të Librazhdit. Evën dhe Mozën i shikojmë më të shqetësuara. “Ky rast, ku po shkojmë tani, është i vështirë, vërtet i vështirë”, na thotë njëra prej tyre si për të na përgatitur. Brenda pak minutash jemi në familjen Muraçi. Këtu jetojnë tre vetë, mamaja, Emanueli, 6-vjeçar, dhe e motra dy vjet më e vogël. Babai është në emigracion. Punon çoban në Greqi. Emanueli është autist, që ekspertet tona e vlerësojnë si të shkallës së mesme. Në kuzhinën e thjeshtë, të ngrohur mirë nga soba me dru, në fillim mbizotëron heshtja, më pas dëgjohet vetëm komunikimi i vajzave me Emanuelin, pastaj një potere dhe zëri i mekur i së ëmës që mundohet të qetësojë djalin. Kuptohet qartë se dikush ka gabuar. Jemi ne vetë, me aparatet, me blloqet, me stilolapsat, mbase me vetë qëndrimin tonë, që kemi ndërhyrë befas në botën e trazuar të të voglit, mes marrëdhënies që vajzat kanë krijuar që prej një viti me durim. Gabimi “paguhet” duke dalë jashtë e duke pritur në vetmi që Eva dhe Moza të kryejnë detyrën që kanë marrë përsipër. Kemi kohë boll kështu që, duke na bërë përshtypje, godina krejt e veçantë, ku jeton familja Muraçi e Babjes, shfletojmë në një libër që kemi me vete. Godina në të vërtetë duket sikur vjen nga një kohë tjetër, fort e largët. Ja përse: “Në Librazhd – lexojmë në librin e Shaban Gjurës, Librazhdi dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare – italianët, që para pushtimit, por edhe më pas, kishin krijuar infrastrukturën e duhur për instalimin e ushtrisë. Ishin ndërtuar kazerma ushtarake në Babje… Kjo periudhë është si të thuash një ‘çudi historike’, pasi pushtimi italian në zonat rurale të trevës sonë duket i largët. Repartet ushtarake italiane në Librazhd, në vitet 1939-1940, shërbenin më shumë si reparte pune, e bashkë me to punonin me dhjetëra punëtorë të zonave përreth. Midis ushtarëve italianë e popullsisë vendase zhvilloheshin marrëdhënie këmbimi mallrash, bëhej tregti. Buka dhe makaronat italiane, ishin të preferuara nga fshatrat përreth, të cilat i këmbenin me produkte natyrale të zonës…”.

Dy protagonistet tona, kanë dalë në oborrin e ish-kazermës së vjetër, kështu që na duhet të shkëputemi nga kujtimet e atij “pushtimi të butë”. Janë të shqetësuara vërtet, porse krejtësisht të bindura se edhe në rastin e vështirë të Emanuelit, do arrijnë të kenë të njëjtin sukses që kanë arritur në rastet e tjera. Na duhet të ndahemi edhe me to. I presin punë të tjera. Në kthim bashkë me ne, mbi kroskot, ndër blloqe, ndër aparate udhëton bashkë me ne buzëqeshja e tyre e madhe, buzëqeshja që jo vetëm shëron, por i bën njerëzit më të mire.

Apeli
“Në prill të vitit të shkuar, për herë të parë 36 fëmijë në zonat e thella të Librazhdit kanë marrë shërbimet e specilizuara në shtëpi nga ekipi i specializuar i “Tungjatjeta…Jetë”. Sot, gati pas 1 viti, një pjesë e tyre kanë përmirësime të dukshme shëndetësore. Arta ka nisur të ecë, Selma të flasë dhe Flamuri të artikulojë disa fjali të shkurtra. Programi social “Tungjatjetja…Jetë”, këtë vit do të pilotohet edhe në Peshkopi, ku 36 fëmijë me aftësi të kufizuara do të marrin shërbimet e domosdoshme. Këto shërbime të integruara janë të munguara, ndaj është me rëndësi që në këtë udhëtim humanitar të na bashkohen sa më shumë partnerë, apo donatorë pasi çdo kontribut i tyre kthehet në shërbim dhe cilësi jete më të mirë për këta fëmijë”- shprehet Eljona Boçe Elmazi Drejtoreshë e World Vision për Ballkanin Perëndimor.

(Ky reportazh u mundësua nga World Vision, Albania & Kossovo).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.