Kryesore

Kriza/ PS mbledh sot kryesinë, surpriza në kongres

10:20 - 18.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kulmin e tensionit dhe të një paqartësie politike për atë që mund të vijë nesër, Partia Socialiste do të mbledhë sot kryesinë e saj. Burime nga selia rozë kanë bërë me dije se mbledhja e kryesisë pritet të fillojë rreth orës 9:00 të mëngjesit me një rend të gjerë pikash për diskutim. Natyrisht që pika kryesore mësohet se do jetë aktualiteti politik dhe sjellja që duhet të ketë Partia Socialiste në vijim, në kushtet kur opozita ka braktisur institucionet dhe ka dalë në rrugë për të protestuar. Burime nga PS kanë bërë me dije se nuk pritet të ketë ndryshim nga strategjia e ndjekur deri më tani nga mazhoranca, për të vijuar plotësimin e vendeve vakante në Kuvend deri në shterimin e listave shumëemërore të partive për të krijuar një Kuvend sa më funksional me një opozitë të re. Gjithashtu, PS do të vijojë të mbajë një qëndrim të prerë për të ofruar dialog me opozitën, por edhe duke u përpjekur që të mos lëshojë pe sa i përket ndryshimit të mundshëm të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Socialistët në vazhdimësi janë përpjekur që të bëjnë të qartë se zgjedhjet do mbahen në datën e dekretuar nga presidenti më 30 qershor.




Kandidatët
Një tjetër pikë e diskutimeve të kryesisë së sotme është edhe rendi i ditës së Kongresit që do mbahet të shtunën në 23 mars. Kështu, mësohet se kryesia do të miratojë axhendën e diskutimeve, ku duket se do të mungojë pika për miratimin e listës së kandidatëve për kryetar bashkie siç edhe ishte përcaktuar më parë. Sipas burimeve nga PS në kongres do bëhet prezantim i disa kandidatëve si modele të suksesshme të qeverisjes lokale të PS-së, por nuk do ketë miratim të një liste të plotë kandidatësh. Kjo edhe për vetë faktin se Partia Socialiste nuk ka zhvilluar një proces propozimesh dhe përzgjedhës brenda strukturave të partisë për kandidatët që do konkurrojnë për kryetar bashkie. Të njëjtat burime bëjnë me dije se kjo shtyrje e miratimit të listës së plotë mund të vijë edhe për shkak të situatës politike në të cilën ndodhet vendi. Kështu, socialistët nuk duan që të bëjnë publik gjithë kandidatët e tyre në një kohë kur nuk është ende e qartë nëse zgjedhjet vendore do mbahen në 30 qershor ose jo.

Statuti
Një tjetër pikë e diskutimeve të sotme të kryesisë do jetë edhe miratimi i një drafti paraprak i ndryshimeve në statutin e partisë. Asambleja Kombëtare e muajit dhjetor ngriti një grup pune për hartimin e një statuti të ri që t’i përgjigjet zhvillimeve të kohës. Pjesë e diskutimeve të sotme në kryesi do jenë edhe organizimet elektorale të Partisë Socialiste. Kështu mësohet se do të ketë një raportim nga sekretarët dhe drejtuesit politikë të qarqeve për zbatimin e detyrave të lëna nga asambleja sa i përket organizimit elektoral.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.