SHËNDET

Rozana Aleksi: Mënyrat e trajtimit të gurit në tëmth, kur duhen operuar

18:30 - 18.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kur lëngu i grumbulluar në fshikëzën e tëmthit mpikset mund të formohen gurët në tëmth, që jo në pak raste sjellin një sërë shqetësimesh te pacienti. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’, mjekja gastrohepatologe dr. Rozana Aleksi tregon të gjitha simptomat që nuk duhen neglizhuar, llojet e gurëve në tëmth si dhe mënyrat e diagnostikimit të saktë. Ajo shton se kategoritë më të riskuara janë gratë, njerëzit mbi 60 vjeç, burrat dhe gratë mbipeshe, rënia e menjëhershme në peshë, gratë shtatzëna, gratë që marrin terapi zëvendësuese hormonale, si dhe gratë që përdorin kontraceptive orale. Aleksi më tej tregon edhe të gjitha mënyrat e trajtimit për pacientët e prekur nga gurët në tëmth.
Çfarë janë gurët e tëmthit?
Gurët e tëmthit formohen kur lëngu i grumbulluar në fshikëzën e tëmthit mpikset ose ngurtësohet në copa të vogla materiali të ngjashme me gurët. Lëngu, i quajtur bile (lëngu i tëmthit) ndihmon në tretjen e yndyrave të ushqimit. Bila prodhohet në mëlçi, pastaj depozitohet në fshikëzën e tëmthit derisa trupit t’i nevojitet për tretjen e yndyrave. Në ketë kohe fshikëza bën kontraksione, të cilat shtyjnë bilen në një tub të quajtur duktusi biliar i përbashkët prej te cilit tëmthi kalon në zorrën e hollë duke ndihmuar në tretjen e ushqimeve. Bila përmban ujë, kolesterol, yndyra, kripëra biliare, proteina dhe bilirubine. Kripërat biliare shpërbejnë yndyrat, ndërsa bilirubina i jep feçeve (jashtëqitjes) ngjyrën e verdhe. Në qoftë se lëngjet biliare përmbajnë shumë kolesterol, kripëra biliare ose bilirubine, në situate të caktuara formohen gurët.




Cilat janë llojet e gurëve në tëmth?
Ka dy tipe gurësh në tëmth: gurë kolesteroli dhe gurë pigmenti. Gurët e kolesterolit zakonisht janë me ngjyrë të verdhe në jeshile dhe përbehen kryesisht nga kolesterol i ngurtësuar. 80% e gurëve të tëmthit janë të kësaj natyre. Gurët e pigmentit janë të vegjël, me ngjyre të errët, të përbërë nga bilirubine. Gurët e tëmthit mund të jenë sa kokrrizat e rërës deri në madhësinë e topit të golfit. Fshikëza e tëmthit mund të formojë një gurë të vetëm të madh, qindra gurë të vegjël, ose çdo kombinim të mundshëm të tyre. Gurët mund të bllokojnë rrjedhjen normale të biles (lëngut të tëmthit) n.q.s. ato vendosen në ndonjë nga duktuset prej nga rrjedh bila nga mëlçia në zorrën e holle. Këto vende mund të jenë: duktuset hepatike, duktusi cistik. Lëngu i tëmthit ngelet në këto duktuse duke shkaktuar infeksion të fshikëzës së tëmthit, të vetë duktusit dhe rrallë të mëlçisë. Duktus tjetër që derdhet në duktusin biliar hepatik është dhe duktusi pankreatik i cili nxjerr enzimat tretëse pankreatike prej pankreasit. Në qoftë se gurët bllokojnë daljen e këtij duktusi, enzimat tretëse pankreatike ngelin në pankreas duke shkaktuar inflamacion shumë të dhimbshëm të quajtur pankreatik nga gurët e tëmthit. Në qoftë se ndonjëri prej këtyre duktuesve qëndron i bllokuar për një kohë të caktuar, dëmtime të mëdha ose fatale, apo infeksioni mund të prekin fshikëzën e tëmthit, mëlçinë ose pankreasin.

Cilat janë simptomat që nuk duhen neglizhuar?
Simptomatologjia e gurëve të tëmthit shpesh quhet “ataku” i gurëve, sepse ato ndodhin krejt papritur. Një atak tipik shkakton: dhimbje të qëndrueshme në pjesën e sipërme të barkut, që shtohet menjëherë dhe që zgjat nga 30 min në disa orë, dhimbje në shpinë midis dy shpatullave, dhimbje nën shpatullën e djathtë, të përziera dhe të vjella. Shpesh ataku i gurëve vjen pas një vakti të pasur me yndyra dhe mund të ndodhë gjatë natës. Shenja të tjera mund të jenë: fryrje barku, intolerancë e përsëritur ndaj ushqimeve yndyrore, dhimbje në forme kolikash, gromësira, gazra, mostretje. Shumë njerëz me gurë në tëmth nuk kanë simptoma. Këta quhen paciente asimptomatike dhe gurët e tyre quhen “gurë të heshtur”. Ata nuk ndërhyjnë në funksionin e fshikëzës së tëmthit, mëlçisë dhe pankreasit dhe nuk kanë nevoje për trajtim.

Nga se shkaktohen gurët e tëmthit?
Janë zbuluar faktorë që ndikojnë në formimin e gurëve të tëmthit, në veçanti të gurëve kolesterolike. Disa prej tyre janë obeziteti, estrogjeni (hormon femëror), etnia, gjinia, mjekimet për të ulur nivelin e kolesterolit, diabeti. Gratë e moshës 20 deri 60 vjeç janë dy herë më shumë të favorizuara për të bërë gurë në tëmth sesa burrat. Njerëzit mbi moshën 60 vjeç janë më të favorizuar për të bërë gurë në tëmth sesa të rinjtë.
Kush janë të rrezikuar të kenë gurë në tëmth?
Më të rrezikuar janë gratë, njerëzit mbi 60 vjeç, burrat dhe gratë mbipeshe, rënia e menjëhershme në peshë, gratë shtatzëna, gratë që marrin terapi zëvendësuese hormonale, gratë që përdorin kontraceptive orale.

Kur lind nevoja e një konsulte me specialistin?
Njerëzit të cilët kanë njëkohësisht dhe ndonjë nga simptomat e mëposhtme duhet të takojnë menjëherë mjekun: të dridhura, temperature e lehtë, zverdhje të lëkurës dhe të syve, feçe të zbardhura.
Si diagnostikohen gurët e tëmthit?
Shume gurë e tëmthit, në veçanti ata të heshturit zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve për probleme të tjera. Por, kur mendohet se gurët e tëmthit mund të jenë shkaktaret e simptomave, kërkohet kryerja e ekografisë së barkut. Teste të tjera diagnostikuese që mund të përdoren janë: Tomografia e kompjuterizuar (CT) skaneri i cili tregon praninë e gurëve ose komplikacionet e mundshme; Rezonanaca magnetike kolangiografike; Koleshintigrafia (HIDA skaner); Kolangiografia endoskopike retrograde (ERCP). Testet e gjakut përdoren për të parë:
shenjat e infeksionit, obstruksionit (bllokimit), pankreatitit (inksionit te pankreasit) ose të verdhëzës.
Cili është trajtimi për heqjen e gurëve në tëmth?
Heqja me kirurgji e fshikëzës së tëmthit është mënyra më e shpeshtë e trajtimit të gurëve simptomatike. Kirurgjia në këtë rast quhet kolecistektomi. Metoda më e shpeshtë dhe më e mirë e heqjes kirurgjikale të fshikëzës së tëmthit është kolecistektomia laparoskopike. Fatmirësisht njerëzit mund të jetojnë pa fshikëzën e tëmthit. Heqja e saj nuk kërkon ndryshime në dietë. Ndërsa trajtimi jo kirurgjikal përdoret vetëm në raste të veçanta, p.sh.: pacienti ka situatë serioze mjekësore që nuk lejon kryerjen e kirurgjisë dhe vetëm në rastet e gurëve kolesterolike. Terapia me tretës orale apo ajo me tretje direkte janë mënyra të tjera trajtimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.