KULTURË

LETËRSIA SHQIPE NË LAJPCIG

14:49 - 19.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Letërsia shqipe do të jetë e pranishme në Panairin e Librit në Lajpcig nga data 21 deri 24 mars. Një program i pasur takimesh të organizuara në stendën e Ministrisë së Kulturës, në stendën e rrjetit ‘TRADUKI’, si dhe në hapësira të tjera të panairit dhe jashtë tij. Dy autorë të ftuar nga Ministria e Kulturës: Lisandri Kola dhe Saimir Muzhaka; dy autore dhe përkthyese të ftuara nga rrjeti ‘TRADUKI’ dhe rezidenca e përkthyesve në Berlin: Lindita Arapi dhe Anrila Spahia (Ana Kove). Është kthyer në traditë tashmë dhe paraqitja e katalogut në anglisht me veprat më të suksesshme të një viti më parë, të cilin Ministria e Kulturës e propozon për shtëpitë e huaja botuese. Në katalog janë përfshirë veprat dhe autorët që kanë fituar çmimet më të rëndësishme të vitit 2018. Henrik S.G. me “Sonatë për gruan e një tjetri” – Çmimi Kombëtar i Letërsisë, akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë;




Ardian Kyçyku me “Ati” – Çmimi i Autorit të Vitit nga Akademia “Kult”. Virgjil Muçi me “Piramida e shpirtrave” – Çmimi “Kadare” nga Fondacioni “MAPO”, Brajan Sukaj me “Ciklopi” – Çmimi për krijimtarinë më të mirë të vitit akorduar nga Shoqata e Botuesve shqiptarë. Mitrush Kuteli (in memoriam) me “Përralla të moçme shqiptare” – Çmimi i Bibliofilisë, akorduar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Janë përfshirë gjithashtu në këtë katalog shkrimtarët më të suksesshëm për vitin 2018 me botimet e tyre jashtë vendit: Ridvan Dibra, i nominuar për Çmimin Ballkanika me romanin “Legjenda e vetmisë”. Gjithashtu ky roman i përkthyer në frëngjisht nga përkthyesja Evelyne Noygues dhe i botuar nga shtëpia botuese “Le Ver à Soie” është përzgjedhur në 5 librat më të mirë për Çmimin e përkthimit të vitit në Francë. Luljeta Lleshanaku, libri i së cilës “Negative space”, i përkthyer në anglisht nga Ani Gjika, është botuar në Angli nga “Bloodaxe Books” dhe në Amerikë nga “New Direction”. Libri është ishte gjithashtu i përzgjedhur në 5 librat më të mirë për “PEN Literary Award for Poetry in Translation”. Për herë të parë në katalogun e autorëve janë përfshirë edhe dy përkthyeset më të suksesshme të vitit për përkthimet nga gjuha shqipe: Ani Gjika, përkthyesja e librit të Luljeta Lleshanakut “Negative space”, finaliste për “PEN Literary Award for Poetry in Translation”, Evelyne Noygues, gjithashtu finaliste për Çmimin e përkthimit më të mirë në Francë. Takimi më i rëndësishëm në stendën e Ministrisë së Kulturës do të jetë të premten më datë 22 mars, ora 16.30 me temë: “Përkthimi, thembra e Akilit e letërsisë shqipe”. Të ftuar për të diskutuar në panel Lisandri Kola, Anrila Spahia dhe Mimoza Hysa.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.