KULTURË

Sokol Beqiri: Nuk mund të pikturoja lule kur njerëzit më vdisnin para syve

12:30 - 19.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Nuk kisha llogari të pikturoja lule e gjëra gazmore kur njerëzit po vdisnin para syve të mi”. Sokol Beqiri fliste për luftën në Kosovë në një intervistë për “Kosovo 2.0”. Është një ndër intervistat ku ka folur gjatë, për artin e tij si “politik”, për raportin me serbët, për t’u vënë çështjeve emrin që kanë, për projektet para dhe pas luftës dhe ndjeshmërinë ndaj shprehjes së filozofit gjerman, Theodor Adorno, i cili thoshte se pas Auschwitz-it, të shkruash poezi është veprim barbar. “Ky citat ka pasur ndikim në mua. Me gjasë, kjo vërehet nga fakti që për dhjetë vjet nuk kam dashur të merrem me art dhe nuk jam marrë me të. Para dhjetë vitesh deklarova se pas luftës të cilën e pashë duke ndodhur këtu, arti ka vdekur. Kush jam unë të moralizoj për atë se lopët nuk duhet të theren, e njerëzit nuk duhet të varen?”, ka thënë ai në “Kosovo 2.0”. Seria e Beqirit nga viti 2001, “Kur Engjujt Vonohen”, e shokoi publikun në ekspozitën e parë, me përzierjen e temave klasike dhe të dhunës së rëndë. Të gjitha këto punime kanë për synim të tregojnë se ekpsresionizmit i erdhi fundi për shkak të dhunës. Çlirimit të emocioneve të pakontrolluara i erdhi fundi me dhunë të tmerrshme. “Vazhdova të punoja deri në vitin 2006, kur vendosa të mos punoja më dhe këtë e deklarova në videon ‘Gjithçka që keni dashur gjithmonë të dini për artin, por keni pasur frikë të pyesni”, thotë ai në të njëjtën bisedë me Lorina Hoxhën. Në serinë, ‘Fundi i Ekspresionizmit’ ai bën krahasime mes skenave të tmerrshme të luftës në Kosovë dhe artit modern dhe përfshin disa pamje të dhimbshme nga lufta në Kosovë, ndonëse asnjëherë nuk e kishte për qëllim të bëjë akuza kundër autorëve të krimeve. Videoprojekti i tij më 1999, “Milka”, është parabolë që krahason masakrat e Luftës në Kosovë me therjen masive të lopëve në industrinë e ushqimit.





EKSPOZITA
Punët e tij do të vijnë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë këtë të premte, në ekspozitën me titull “As mik as armik”. Kuratorja Galit Eilat thotë se stili i drejtpërdrejtë dhe faktik që Sokol Beqiri përdor në punët e tij pas vitit 1999 nuk është i rastësishëm, kjo është një zgjedhje e vetëdijshme teknike. Tmerret e luftës na shfaqen krejt të zhveshura, nëpërmjet syrit të të mbijetuarit dhe zgjedhjet estetike të artistit nuk e lejojnë shikuesin ta largojë shikimin. “Jemi të privuar edhe nga ndjenja e katarsisit, këto ngjarje kanë ndodhur dhe nga to nuk ka ardhur asnjë e mirë. Nuk gjejmë as shëlbim dhe shikuesi nuk fshihet dot nga mesazhi i qartë i punëve. Nëse arti nuk mund të na shpëtojë, të paktën mund të përshkruajë dhe të raportojë. Roli që merr Beqiri është roli i dëshmitarit, i cili është këtu për të raportuar dhe për të na kujtuar tmerret që nuk mund t’i harrojmë”, thotë Eliat. Ajo shton se është kjo formë e teknikës, ky vështrim i palëkundur i artistit, që i kthen në jetë kujtimet e luftës në Kosovë. “Duket sikur Beqiri ka marrë përsipër sfidën e nënkuptuar në esenë aq të keqkuptuar të Adorno’s ‘Nach Auschwitz ein Gedicht zu schreiben ist barbarisch’ (‘Të shkruash poezi pas Auschwitz-it është barbare’). Nëse pyetja e Adorno’s është “si mundet dikush të shkruajë një poezi që përmbledhë barbarinë e Holokaustit?, atëherë Beqiri i përgjigjet: duke bërë atë që artistët kanë bërë përherë dhe duke gjetur mjetet e duhura teknike”, – nënvizon kuratorja përmes një teksti të shkurtër publikuar nga GKA. Ajo shënon se lufta gjithmonë ka kërkuar të jetë e përfaqësuar në art, në art të lavdit dhe të shenjtërimit.

“Dhuna portretizohet shpesh vetëm si dëshmi e uniformave të luftës dhe pozave të sovranit, që ushtron dhunë që supozohet të jetë legjitime dhe që duhet për rend politik, apo me fjalë të tjera, për vetë sovranitetin. Megjithatë, kur dhuna bëhet shprehja e përhershme e sovranit, kur të qenurit i përjashtuar kthehet në normë, kur sovrani nuk përfaqëson më pushtetin, por është vet pushteti i ushtruar, atëherë i shmanget përfaqësimit piktoresk përveç në banalitetet e jetës së përditshme. Hapësirat imagjinare të Beqirit reflektojnë përpjekjen paradoksale për t’i dhënë fund lëmshit materialist ndërkohë që i jepet formë hapësirës si përgjigje ndaj narrativës së krizës, duke mohuar kushtet e dhunshme raciste, gjinore e heteronormative që përcaktojnë kufijtë e saj të përditshëm”, ka shkruar Eliat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.