EKONOMI

Dominimi i tregut, Ahmetaj: 200 mln euro dëm për biletat e avionëve

15:30 - 20.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave i ka kër-kuar Autoritetit të Konkurrencës të nisë hetimet për disa tregje, të cilat po abuzojnë në kurriz të konsumatorëve, duke e vënë theksin tek ai i fluturimeve ajrore dhe medikamenteve. Kreu i komisionit, Arben Ahmetaj, bëri me dije se fatura që paguajnë qytetarët shqiptarë për biletat e shtrenjta është rreth 200 milionë euro, për shkak të dominimit të dy linjave ajrore. “Si ka mundësi që çmimet e biletave janë shumë të shtrenjta për linja të ngjashme si psh., brenda Italisë apo brenda Austrisë është dy herë më i lartë. Dëmi i konsumatorit shqiptar mund të shkojë deri në 200 milionë euro. Çfarë bëjmë ne, çfarë bën Autoriteti, çfarë bën administrata etj.?”, – tha Ahmetaj. Një treg tjetër ku kërkoi sërish më shumë vëmendje është edhe ai i kolaudimit, koncesion të cilin Arben Ahmetaj e cilësoi turp. Por, kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Juliana Latifi, theksoi se ky institucion nuk ka bashkëpunimin e nevojshëm me qeverinë dhe se rekomandimet e lëna për tregjet ku janë konstatuar abuzime nuk janë vënë në zbatim.




Raporti
Në raportimin e saj për vitin 2018 përballë deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, Latifi bëri me dije se gjatë vitit që lamë pas janë marrë 87 vendime si dhe janë ‘vjelë’ 269 milionë lekë gjoba. Komisioni i Ekonomisë i kërkoi Autoritetit propozime për ndryshime ligjore, që forcojnë peshën e tij kundrejt qeverisë. Kolaudimi i automjeteve në Shqipëri mbetet një monopol, i cili nuk përmbush standardet. Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur si shqetësim se Ministria e Infrastrukturës nuk ka zbatuar vendimet e dhëna nga ky institucion në lidhje me këtë treg. Ndërkohë që kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i kërkoi Autoritetit të Konkurrencës një hetim të thelluar në transportin ajror në këtë treg, pasi ka një kosto të shtuar në xhepat e qytetarëve. Nuk janë vetëm rrugët dhe aeroportet që janë lënë në harresë prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Belinda Balluku duket se nuk zbaton as rekomandimet e dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës përsa i përket kolaudimit të automjeteve.

Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë, kryetarja e këtij institucioni deklaroi se ministria nuk ka marrë parasysh asnjë rekomandim mbi liberalizimin e tregut. “Këto rekomandime nuk janë përmbushur. Në rastin e Ministrisë së Energjetikës. Kemi kërkuar si në rastin e koncesionit të SGS-së, kemi dhënë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e kuadrit ligjor, që u adresohen akteve ligjore apo nënligjore përkatëse, të cilat nuk janë marrë në konsideratë. Autoriteti i Konkurrencës i ka përsëritur shkresat kundrejt institucioneve përkatëse”, – tha Juliana Latifi. Madje, edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, është shprehur i shqetësuar për mungesën e reagimit. “Koncesioni i kolaudimit të makinave është turp, turp! Ju keni marrë një qëndrim, qëndrim i drejtë. Keni vendosur një gjobë, gjobë e drejtë. Praktika ka ndryshuar”, – deklaroi Ahmetaj. Në total gjatë 2018, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba që arrijnë në 269 mln lekë ndaj kompanive që kanë shkelur konkurrencën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.