POLITIKË

KQZ u jep mandatin 3 kandidatëve të LSI, Kuvendi shkon në 95 deputetë

12:00 - 20.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Arrin në 95 numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Pas 10 deputetëve të parë që morën mandatet e dorëzuara nga deputetët e opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të plotësojë edhe 3 vakanca të tjera duke e çuar në 16 numrin e deputetëve “opozitarë” në Kuvend. Bëhet fjalë për 3 kandidatë që vijnë sërish nga listat shumëemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe më konkretisht Ralf Gjoni që merr mandatin e deputetit në Qarkun e Tiranës duke zëvendësuar Klajda Gjoshën, Nimet Musai që merr mandatin e Petrit Vasilit në Qarkun Fier dhe Enada Koçiraj që zëvendëson Shezai Rrokajn në Qarkun e Vlorës. Të tre këta kandidatë kanë dorëzuar tashmë formularin e dekriminalizimit dhe gjatë mbledhjes së sotme KQZ pritet të bëjnë procedurën formale të kalimit të mandatit të deputetit. Ralf Gjoni e ka deklaruar edhe publikisht që do ta merrte mandatin, pasi sipas tij kështu i shërbente të ardhmes së vendit. Ndërkohë që dje ka reaguar edhe kandidati tjetër që merr mandatin e deputetit Nimet Musai.




Ai dorëzoi mandatin e këshilltarit në Këshillin Bashkia të Fierit për të marrë mandatin e deputetit. “Në Kuvend do punoj për të mirën e qytetit të Fierit dhe do jap kontributin tim për gjithçka që meriton vendi”- tha dje Musai. Ndërkohë që kandidatja tjetër e LSI që merr mandatin e deputetit është Enada Koçiraj. Ajo ka qenë e treta në listën e Qarkut Vlorë dhe zëvendësojë ish- deputetin Shezai Rrokaj. Ajo është vetëm 25 vjeç dhe deri më sot ka qenë kryetare e LRI-së për Vlorën. Ndërkohë që nga 13 deputetët e rinj që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit 10 prej tyre janë nga LSI dhe vetëm 3 nga PD. Gjithsesi burime nga KQZ bëjnë me dije se për momentin nuk ka kandidatë të tjerë që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit. Kjo për faktin se nuk janë shpallur mosmarrja e mandatit nga një numër i konsiderueshëm kandidatët që kanë refuzuar të futen në Kuvend dhe se në një pjesë të qarqeve listat kanë filluar të shterojnë. Gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së pritet të miratohen edhe vendimet për mospranimin e mandatit nga 18 kandidatë të tjerë të PD dhe LSI. Mes tyre janë edhe emra të njohur si Preç Zogaj, Dashamir Tahiri apo edhe Agron Duka.

Në rendin e ditës së KQZ-së janë edhe projektvendimet për regjistrimin e katër partive të reja për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. “Partia Personat me Aftësi të Kufizuar”, “Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë”, “Partia e të Drejtave të Mohuara” dhe “Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare”, këto janë katër partitë, të cilat priten të regjistrohen nesër nga KQZ. Këto nuk janë partitë e para që regjistrohen si subjekte zgjedhore për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Para tyre KQZ ka regjistruar edhe disa partitë tjera që janë aleate të PS-së. Gjithsesi partitë politike kanë ende edhe afro 1 muaj afat për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore. Deri atëherë duhet t’i jetë dhënë edhe zgjidhje krizës politike, në mënyrë që opozita të regjistrohet në zgjedhje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.