OPINION

Pedagogjia “inteligjente” dhe teknologjia dixhitale

07:30 - 20.03.19 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
  1. Argumenti. Dy dekadat e fundit, në sistemin tonë arsimor filloi të përdoret teknologjia digjitale (në vijim, TD). Trajektorja e procesit, formalisht mund të krahasohet me zhvillimet në vendet e tjera. Dekadën e parë, Ministria e Arsimit mbështeti dizenjimin e programeve kompjuterike për menaxhimin e arsimit. Në vitet 2007-2015, shkollat pajisen me kompjuterë, laptop, video-projektorë, tableta (në disa raste, edhe me tabela inteligjente) dhe lidhen me internetin. Krahas tyre u investua për familjarizimin e personelit pedagogjik me TD. Por, me gjithë përpjekjet vetjake apo institucionale, nuk u arrit sa e si duhet qëllimi, çka konsiderohet sfidë që duhet përballur. Nga Fakultete e Mësuesisë – më së pari – dhe agjencitë e trajnimit të personalit pedagogjik në detyrë. Që ata të ndërtojnë kompetencën digjitale, të aftësohen t’i kthejnë potencialet e TD në faktorë suksesi, të dinë të bashkëveprojnë me TD për të nxënë dhe gjetur zgjidhje novatore që të mbështetin mirëqenien dhe zhvillimin. Për arsimin, kjo nënkupton nxënien se si të përdoret TD nga të gjithë aktorët. Nxënie që lidhet me atë që quhet arsimi “inteligjent” (“smart” education), i zhvilluar në mjaft vende, si përgjigje ndaj trysnisë në rritje të botës së punës dhe TD.
  2. Konteksti historik. Dalja e ekraneve kompjuterike për të ndihmuar ndërveprimin “njeri-makinë” ndikoi dhe ndihmoi projektimin e një mjedisi të ri të nxëni dhe shndërroi marrëdhëniet “nxënës-makinë”. Kompjuteri fillimisht u identifikua më shumë si një hapësirë jashtëshkollore se sa një mjet. Nxënësve u kërkohej “të shkonin te kompjuteri”, në vend që të shkonin në bibliotekë, apo në dhomën e studimit. Gjithçka filloi të ndryshojë, kur kompjuteri nisi të “veprojë” dhe “ndërveprojë” me nxënësin. U prekën rolet e nxënësit dhe mësuesit dhe filloi të evoluoi kuptimin rreth nxënies. Popullariteti që fituan modelet e mësimit të gjuhës së huaj me ndihmën e kompjuterit hap pas hapi përmirësoi mjedisin digjital në shkolla.

Që në fillimet e shekullit, rritja e numrit të shkollave të lidhura me internetin zgjeroi vetë kuptimin e mjediseve të nxënies, duke përfshirë “kompjuterin” apo “ekranin” si pajisje të klasës mësimore. “Në shumë vende shkollat ndërtuan laboratorët e informatikës si simbole të pedagogjisë së shekullit 21, me mësuesin si lehtësues, drejtues strategjik, trajnues, më shumë se sa eksperti i lëndës mësimore” (Ellerani & Gentileb, 2013). Megjithatë, këto shkolla i përfshinë pajisjet digjitale si mjete plotësuese dhe u përpoqën t’i integronin ato, por pa ndryshuar sistemin arsimor të bazuar në mësimdhënien e planifikuar dhe të strukturuar. “Çka, zakonisht, e bënin me çdo risi arsimore që mendonin se cenonte rutinën në shkollat e tyre” (Florio, 1975).




Futja e internetit u shoqërua me idenë e hapjes së një “dritareje për të parë jashtë”. Përdorimi i tij filloi të decentralizojë dhe zgjerojë mësimdhënien si dhe të transferojë kompetencën nëpërmjet mjediseve eksperimentale mësimore. Gjatë orës së mësimit, interneti i çoi nxënësit të vizitonin muze, monumente, kopshte zoologjike, biblioteka etj. Gjatë 15 viteve të fundit, shumë shkolla u pasuruan me mjedise dixhitale dhe përvoja e tyre tregoi që nxënësit i menaxhonin shpejt e me cilësi përmbajtje lëndore dhe të dhënat, kur mësuesit e tyre kishin kompetencën e duhur digjitale.

Me gjithë përparimin e shpejtë teknologjik dhe trysninë e fortë mbi shkollat për t’u pajisur me mjete digjitale, qëndrimi i personelit pedagogjik ndaj TD mund të karakterizohet ose si “frikësim”, ose si “magjepsje”. Ka njerëz që besojnë se TD në arsim krijon kaos, pasi nxënësit nuk angazhohen plotësisht dhe nuk marrin përgjegjësi për ndërtimin e njohurive, sepse angazhohen me pajisje digjitale, që mundësojnë arritjen e shpejtë informacionit. TD fajësohet për një numër të madh problemesh, me të cilat po përballemi ose do të përballemi në të ardhmen e afërt: TD do të marrë përsipër të gjitha punët, ajo do të zvogëlojë aftësinë dhe dëshirën për të nxënë. Përdorimi i saj zvogëlon hapësirën e vëmendjes e kështu me radhë. Nga ana tjetër, ekziston efekti i “magjepsjes”, ku TD supozohet të jetë mjeti që do të zgjidhë të gjitha problemet e mundshme, do ta bëjë procesin e të nxënit interesant, nxënësit do të jenë më të motivuar, ata do të zgjerojnë me shpejtësi njohuritë, do të mbështetin zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e shoqërisë. Si në përralla, ku fundi gjithmonë është i lumtur. E njëjta besohet edhe për progresin teknologjik.

  1. Pedagogjia “inteligjente”. TD nuk mund të zhvillojë risi dhe të marrë vendime, nëse nuk zhvillohet nga njerëzit (të paktën, për momentin); ajo nuk ofron vetvetiu ndërtimin e njohurive, por mund të jetë mjet për t’i ndihmuar nxënësit, nëse përdoren në mënyrën e duhur. “Është pedagogjia, ajo që mund ta riorientojë fokusin nga përdorimi i TD si ndihmës të procesit të nxënies, drejt krijimit të zgjidhjeve të reja” (Kinshuk, Chen, Cheng & Chew 2016). Sot ka studime e përvoja mbi aspektet pedagogjike të përdorimit të TD në arsim. Reagimet padyshim shprehin interesin e fortë të mësuesve dhe të studiuesve. Çka duket të jetë temë thelbësore e hulumtimit, në 5-10 vitet e ardhshme. Studiuesit dhe pedagogët shqiptarë mund të gjejnë këtu një drejtim të ri kërkimi – pedagogjinë ‘inteligjente’ (‘smart’ pedagogy). Fokusi i kërkimeve mund të përfshijë transformimet e shkencës pedagogjike, rolin e edukatorit, metodat e zbatueshme mësimore, rezultatet e të nxënit, si dhe vlerësimin e arritjeve të fituara nga përdorimi i TD. Për ta bërë arsimin “inteligjent” të kuptueshëm për audiencën e mësuesve, administratorëve, pedagogëve dhe studiuesve.

Përparimi i TD shndërron mjediset mësimore, por ky proces ndodh më shpejt se sa studimet të ofrojnë zgjidhje si duhet punuar në këto mjedise. Është kjo arsyeja, që sjell në fokusin e kërkimit rolin e pedagogjisë në kushtet e ndryshimit të këtij mjedisi. Rol që bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për të gjetur mënyrat me të cilat do të jetësohet TD në arsim. Sa i takon pedagogjisë “inteligjente”, studiuesit pranojnë se ajo duhet zhvilluar sipas logjikës së Teorisë së Bazuar (Grounded Theory), ku është përcaktuar drejtimi, por mungojnë metodat dhe mjetet e duhura, pasi përparimi teknologjik është proces i vazhduar. Studiuesit konsiderojnë se pedagogjia “inteligjente” duhet të integrojë tre komponentë bazalë: zhvillimin njerëzor, logjikën e nxënies dhe përparimin teknologjik, me karakteristikat e secilit komponent.

Pse vlen kjo pedagogji? Me përparimin teknologjik, TD dhe zgjidhjet alternative, gjithnjë e më shumë po futen në mjedisin mësimor. Mund të mendohet se potencialet e saj, që e lejojnë nxënësin të mësojë me ritmin e tij dhe të përzgjedhë atë që i nevojitet, në çdo moment e zvogëlojnë rolin e pedagogjisë. Në realitet, e kundërta është e vërtetë. “Roli i pedagogjisë bëhet më i rëndësishëm, sepse ekziston nevoja urgjente për të gjetur mënyra për të nxënë në mjedisin e transformuar mësimor. Për të mbështetur këto ndryshime, vetë pedagogjia duhet të ndryshojë, për t’u bërë pedagogji ‘inteligjente’, që të qartësojë: 1. rregullat për zhvillimin e proceseve njohëse, kushtet për zhvillimin ndijor dhe socio-emocional të subjekteve. 2. logjikën e procesit mësimor që përfshin qëllimet dhe rregullat e procesit, të nevojshme për të arritur qëllimet. 3. përparimin teknologjik që, së pari nënkupton nevojën për ndryshime në kompetencat e mësuesve” (L. Daniela, 2019). Pedagogjia “inteligjente” mund të ndihmojë gjetjen e përgjigjeve për pyetjet: Si të ndihmohet nxënia në procesin e transformimit të arsimit? Si të integrohet në mësim TD për zhvillimin e personalitetit? Si të mbështet ndërtimi nga subjektet i njohurive dhe kompetencave, në veçanti ajo digjitale? Kompetencë e cila integron gradualisht “kërkimin e informacionit në mjedisin digjital dhe përdorimin i tij në rrjetet sociale; kërkimin e informacionit të synuar, klasifikimin, plotësimi i tij me komente dhe përdorimin e blogut; përgatitjen dhe mirëmbajtjen e një faqeje digjitale; fitimin e aftësisë për të kuptuar si funksionojnë mjete të caktuara digjitale; krijimin e rrjeteve të ndërsjella, bashkëpunimin me mjete të tjera digjitale si dhe testimin e tyre; programimin, krijimin e produkteve të reja, testimin e tyre, ndërveprimin me produkte të tjera digjitale etj.”. (Churches, 2017). E gjitha kjo identifikon nevojën për drejtimin e ri të pedagogjisë, për të siguruar përdorimin me mençuri të TD.

Në aspektin njerëzor na kërkohet t’i përgatitim fëmijët të jetojnë në një botë të ndërlidhjeve tejet të përziera. Atëherë, t’i ndihmojmë ata të zhvillojnë inteligjencën emocionale, mendimin krijues dhe kritik dhe aftësi të tjera për të punuar bashkërisht. TD, që pasuron mjediset e nxënies, është mjet për këtë. Por, a dimë ta shfrytëzojmë si duhet atë?

 

Tiranë, më 19.03.2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.