EKONOMI

BSH: Do të ketë kosto zero ose të papërfillshme

15:01 - 21.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria do të adoptojë direktivën e Bashkimit Europian, që u mundëson të gjithë shtetasve në moshë madhore një llogari bankare pa kosto, ose me kosto simbolike. Ledia Bregu, drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë thotë se brenda vitit 2020 do të punohet për hartimin e një ligji, ku të adoptohet direktiva komunitare mbi llogaritë e pagesave, që do t’i ofrojë çdo personi të drejtën për një llogari bankare bazike. Banka e Shqipërisë vlerëson se sot vetëm 40% e shqiptarëve të rritur kanë një llogari bankare, ndërsa synon që në tri vitet e ardhshme ky tregues të arrijë në 70%. Ndërkohë, këtë vit Kuvendit do t’i paraqitet për miratim edhe projektligji për sistemet e pagesave, ku veç të tjerash, reflektohet edhe direktiva më e re e Bashkimit Europian, PSD 2. Adoptimi i kësaj direktive në ligjin e ri do të nxisë rritje të konkurrencës në tregun e pagesave, duke u dhënë më shumë akses edhe institucioneve jo banka. Kjo pritet të ulë kostot dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve të pagesave për shqiptarët.




Një objektiv tjetër i rëndësishëm i strategjisë kombëtare për reformimin e tregut të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël është rritja e pagesave jo ‘cash’ me 130% deri në vitin 2022. Zonja Bregu thotë për “Tv Scan” se kjo synohet të arrihet pikërisht përmes masave që do të nxisin konkurrencën dhe do të ulin kostot, por edhe përmes përpjekjeve të shtuara për një edukim më të mirë financiar. Masat e mësipërme pritet të kenë një ndikim edhe në një formalizim më të madh të transfertave hyrëse në formën e remitancave. Studimet kanë treguar se pjesa dërrmuese e remitancave dërgohen në Shqipëri jashtë kanaleve bankare për shkak të kostove të larta, por edhe mungesës së një edukimi të mjaftueshëm financiar. Një tjetër risi shumë e rëndësishme për të cilën do të punohet që këtë vit është ngritja e një sistemi kombëtar të pagesave në monedhën euro. Ky sistem do të mundësojë shlyerjen e pagesave kombëtare të individëve brenda territorit të Shqipërisë, duke shmangur bankat korrespondente jashtë vendit. Kjo do të sjellë një ulje drastike të kostove dhe transfertat në euro do të jenë në nivele të përafërta me ato në lekë. Shlyerja e pagesave në euro do të bëhet, duke shfrytëzuar sistemet ekzistuese që Banka e Shqipërisë përdor për lekun. Për transfertat në lekë që kryhen përmes këtyre sistemeve, banka qendrore ka vendosur në rregullim tarifat që bankat tregtare mund t’iu ngarkojnë klientëve. Kështu, një transfertë kombëtare në lekë, pavarësisht nga shuma, nuk mund të ngarkohet me komision më të lartë se 1500 lekë të reja. Një rregullim i ngjashëm pritet të vendoset edhe për transfertat në euro, kur ato të kryhen përmes sistemeve të bankës qendrore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.