OPINION

Dialogu me Serbinë dhe mësimet nga pësimet e Palestinës

07:43 - 21.03.19 Adri Nurellari
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur fl itet për diplomaci e negociata, në mënyrë të pashmangshme mendja të shkon te Lindja e Mesme në përgjithësi dhe te konflikti mes Palestinës dhe Izraelit në veçanti.  Ky konflikt ka marrë aq shumë vëmendje dhe angazhim ndërkombëtar për dekada me radhë, sa një pjesë e mirë e teorive dhe teksteve mësimore të fushës janë shkruar mbështetur mbi përvojën e kësaj çështjeje ende të pazgjidhur. Rasti i Palestinës është shumë ndryshe në shumë aspekte nga rasti i Kosovës dhe kurrsesi s’mund të vendosim shenjën e barazimit mes tyre. Përpos kësaj, është histori aq e ndërlikuar dhe e ngarkuar sa kurrsesi një shkrim i thjeshtë nuk mund të paraqesë me saktësi dhe hollësi ngjarjet, faktet e rrethanat. Megjithatë, si një çështje që ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes për sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare dhe negociatave të paqes, ka disa elemente që mund t’i shërbejnë rastit të dialogut tonë me Serbinë.




Ajo që i ka ndodhur popullsisë civile palestineze është një tragjedi e mirëfilltë dhe populli ynë, që ka pësuar një histori të ngjashme traumatike, i kupton më së miri dhimbjet e përjetuara nga palestinezët. Si pasojë e luftës së koalicionit arab kundër Izraelit në 1948, pati mbi 700 000 palestinezë që u larguan nga vendlindja. Vuajtjet e tyre të kujtojnë muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit, çamët e dëbuar në 1923 dhe 1945, dëbimet masive të shqiptarëve për në Turqi gjatë kohës së të ashtuquajturës reformë agrare, operacionit të kërkimit të armëve, gjatë viteve ’50-të prej mizorisë se Rankoviçit apo gjatë luftës së Kosovës. Mirëpo rasti i Palestinës është një ndër shembujt më konkretë të kostos oportune, që sjell një qasje maksimaliste dhe pozicioneve kokëforta nëpër negociata. Po ashtu është një dëshmi për rrezikun që sjell mungesa e pragmatizmit dhe realizmit në negociata si dhe shpresa që viktimizimi apo kërkesa për shpagim për padrejtësitë e bëra të përmbushet. Pra, refuzimi për të pranuar marrëveshjen e mundshme me ëndrrat e një ujdie ideale ndëshkimore ndaj Izraelit ka bërë që palestinezët ende të mos kenë shtetin e tyre funksional të pavarur, edhe pse britanikët kanë 72 vite që janë larguar.

Një ndër shprehjet më të famshme për qasjen kokëforte dhe jo realistë të palestinezëve nëpër negociata është nxjerrë prej një diplomati izraelit në 1973, i cili ka thënë se “palestinezët nuk humbasin asnjë mundësi për të humbur një mundësi”. Duke dashur gjithçka ose asgjë, në njëfarë mënyre palestinezët kanë humbur disa mundësi historike për të krijuar një shtet të pavarur në një territor më të vogël sesa territori i pretenduar i Palestinës. Në shumë raste madje është krijuar përshtypja se palestinezët më shumë kanë pasur dëshirë të shkatërrojnë e hakmerren ndaj Izraelit sesa të ndërtojnë një shtet të tyrin të pavarur. Shpesh në arenën ndërkombëtare, angazhimi në negociata i palestinezëve është parë si fitim kohe për t’u rigrupuar e për të rritur kapacitetet e për ta rinisur mandej konfliktin sërish nga pozita të tjera të përmirësuara. Për këtë arsye kanë shpresuar që mosmarrëveshjet me hebrenjtë t’i zgjidhin nëpërmjet forcës, mirëpo këta të fundit ia kanë dalë të korrin fitore të njëpasnjëshme kundër koalicioneve arabe. Historia e çështjes së Palestinës mund të konsiderohet tashmë e karakterizuar me liderë jolargpamës, që kanë humbur shumë shanse historike për të ndërtuar një shtet të pavarur palestinez.
Fillimisht mundësia e parë e humbur ka qenë ajo e raportit të Komisionit ‘Peel’ e nxjerrë prej Britanisë në 1937, e cila asokohe kishte mandatin e Lidhjes së Kombeve për të qeverisur Palestinën. Raporti i nxjerrë nga ky komision deklaronte se mandati i protektoratit nuk po funksiononte më, e po ashtu një shtet i bashkuar qoftë edhe me kantone i Palestinës nuk do kishte mundësi për të mbijetuar, prandaj propozoi ndarjen e Palestinën dhe krijimin e dy shteteve, ku shumica e territorit u takonte arabëve. Ky propozim u refuzua nga arabët, ashtu sikurse u refuzua edhe propozimi më i avancuar, që erdhi dy vjet më vonë në formën e “Letrës së Bardhë” apo “Raportit të MacDonald”.
Në 1939, në kushtet kur Lufta e Dytë Botërore dukej e pashmangshme, Çambërleni bëri një propozim të ri edhe më të favorshëm për arabët, sepse donte të shmangte armiqësinë e tyre të mundshme gjatë luftës. Ky propozim konsistonte në krijimin brenda 10 vitesh të një shtetit unitar arab të Palestinës, që të konsiderohej gjithashtu atdhe për hebrenjtë e kua ta të kishin statusin e pakicës. Po ashtu, përcaktonte se imigrimi i hebrenjve do të kufizohej në 75 000 për 5 vjetët e mëpasshme, sikurse do të kufizohej edhe blerja e tokave prej arabëve nga hebrenjtë. Mirëpo çuditërisht përfaqësuesit e arabëve e kundërshtuan këtë propozim, duke kërkuar në mënyrë të menjëhershme krijimin e një shteti arab dhe ndalimin e imigrimit të hebrenjve që vinin nga Evropa. Madje, gjatë Luftës së Dytë Botërore, lideri i palestinezëve Amin al-Husseini u aleancua me boshtin fashist, duke u transferuar në Gjermani e Itali e duke u bërë pjesë e propagandës nazi-fashiste.

Lufta e Dytë Botërore solli tragjedinë e Holokaustit dhe një ndërgjegjësim e mbështetje më të madhe ndërkombëtare për kërkesat e hebrenjve. Po ashtu, kishte shkaktuar një sasi shumë të madhe të refugjatëve hebrenj të larguar prej mizorive naziste që kërkonin një strehë në Palestinë, ndërkohë që britanikët u përmbaheshin kufizimeve për të pranuar imigrantë të rinj hebrenj. Menjëherë pas luftës u rikthyen edhe përplasjet mes formacioneve luftarake të hebrenjve dhe të arabëve dhe në të tilla kushte, Britania vendosi të hiqte dorë nga protektorati mbi Palestinën dhe ta shtronte këtë çështje në organizatën e sapoformuar të Kombeve të Bashkuara. Më 29 nëntor 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 181, e cila bëri thirrje për ndarjen e mandatit të Palestinës të sunduar nga Britania në një shtet hebraik dhe një shtet arab. Si rrallëherë në historinë e OKB-së, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik së bashku me satelitët e tjerë komunistë votuan në favor të kësaj rezolute.

Plani bëri thirrje për ndarjen e Palestinës në dy shtete, një hebre dhe arabë të tjerë. Plani i ndarjes së OKB-së e ndau vendin në atë mënyrë që secili shtet të kishte shumicën e popullsisë së vet, edhe pse disa vendbanime hebraike do të binin brenda shtetit të propozuar palestinez dhe shumë arabë (45% e popullsisë) do të bëheshin pjesë e shtetit hebraik të propozuar. Po ashtu, zona e Jerusalemit dhe Betlehemit do të bëheshin zonë nën administrimin ndërkombëtar. Arabët, brenda dhe jashtë Palestinës e refuzuan këtë plan, ndërsa hebrenjtë e pranuan. Pasi britanikët u larguan prej Palestinës, më 15 maj 1948, udhëheqësit zionist shpallën shtetin e Izraelit mirëpo u sulmuan nga shtetet fqinje Egjipti, Siria, Jordania, Libani dhe Iraku si dhe nga vullnetarë prej shteteve të tjera me shumicë myslimane. Izraeli ia doli të mbijetonte e të fitonte këtë luftë të pabarabartë, e cila për arabët do të konsiderohej si një katastrofë e vërtetë, sepse u shoqërua me largimin e qindra mijëra refugjatëve palestinezë. Nga ana tjetër, edhe hebrenjtë që jetonin në shtetet arabe iu nënshtruan hakmarrjeve të shumta dhe në dy dekadat që pasuan pati mbi 850 mijë syresh që u detyruan të largoheshin për në Izrael ose SHBA e Francë.
Nëse bëjmë një krahasim në vija të trasha me përpjekjet shqiptare për pavarësi, mund të themi se fatmirësisht rilindasit tanë janë treguar më pragmatistë për mundësitë e ofruara nga fuqitë e mëdha të kohës. Ndryshe nga lidershipi palestinez, rilindasit tanë u treguan me këmbë në tokë dhe nuk e refuzuan shtetin shqiptar të arritur në konferencën e Londrës në 1913, pavarësisht se ishte territor i gjymtuar. Territori i këtij shteti të pavarur për të cilin arritën kompromis fuqitë e mëdha ishte sa gjysma e territorit të kërkuar për Shqipërinë e pavarur prej Ismail Qemalit në vizitat e tij nëpër kancelaritë e perëndimit. Mirëpo prapëseprapë ky shtet ishte më mirë se asgjë dhe rilindasit tanë me logjikën e realpolitikës e pranuan me shpresën se duke e ndërtuar dhe forcuar, mund të luftonin që gradualisht të bashkonin edhe pjesët e tjera të trungut etnik të ngelur jashtë shtetit të gjymtuar shqiptar. Madje, kjo aspiratë e shtetit shqiptar të quajtur Republika e Shqipërisë është ende pjesë e preambulës së Kushtetutës së saj të vitit 1998, ku përmendet “aspirata shekullore e popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Po të kishin përdorur logjikën emocionale palestineze, elita shqiptare e asaj kohe do të duhej ta refuzonte këtë ofertë të pjesshme bazuar në argumentet e së drejtës historike, kërkesës për shpagim për vuajtjet e së kaluarës dhe morales.

Situata e palestinezëve u përkeqësua akoma më keq pas Luftës së 6 Ditëve në 5-10 qershor 1967, ku Izraeli mundi koalicionin e vendeve fqinje arabe dhe pushtoi Bregun Perëndimor prej Jordanisë, rripin e Gazës dhe gadishullin e Sinait prej Egjiptit dhe malësinë Golan prej Sirisë. Në përpjekje për të përmbysur këtë rezultat, organizohet një tjetër sulm i koalicionit arab në 6 tetor 1973 në atë luftë që u quajt Lufta e Yom Kippurit. Pas sukseseve fillestare të arabëve, kundërofensiva izraelite siguroi fitoren, çka solli një situatë, ku të dyja palët pësuan humbje të mëdha dhe vendosën të bënin armëpushim e të ndiqnin negociata paqe. Lideri i Egjiptit, Anëar Sadat shtyu përpara një tryezë negociatash ku ishte rezervuar një karrige për Jordaninë, një për Sirinë, një për Palestinën, një për Egjiptin e një për Izraelin në mënyrë që të arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse për mbarë rajonin mirëpo Siria dhe Jaser Arafati i Organizatës çlirimtare të Palestinës refuzoi të merrte pjesë në këto negociata. Bëhet fjalë për një kohë kur nuk kishte koloni në Bregun Perëndimor.
Në kuadër të këtyre negociatave, kryeministri izraelit i kohës Begin, propozoi në 1977 dhënien e autonomisë pesëvjeçare për territoret e Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës e mandej negocimi i statusit final. Mirëpo Arafat i refuzoi totalisht të gjitha bisedimet e u zhvendos në Liban, ku u përfshi në luftën civile brenda këtij vendi dhe e përdori Libanin si bazë për të bërë sulme ndaj Izraelit. Kjo gjë shtyu Izraelin mandej që ta pushtonte Libanin e ta dëbonte Arafatin drejt Tunizisë. Nga ana tjetër, negociatat u materializuan me Akordet e Kamp David, që u nënshkruan nga presidenti egjiptian dhe kryeministrit izraelit në 17 shtator 1978, pas dymbëdhjetë ditëve të negociatave sekrete në Kampin David. Një vit më pas u hodh hapi final i nënshkrimit të një traktati paqeje mes Egjiptit dhe Izraelit, gjë që Sadati e pagoi me kokën e tij, pasi u vra si ndëshkim për këtë paqe prej ekstremistëve. Jordania po ashtu shkoi gradualisht drejt rrugës së paqtimit me Izraelin, duke finalizuar një marrëveshje paqeje në 1994.
Për palestinezët vazhdoi gjendja e mjerueshme e konflikti u karakterizua sulme të ndryshme terroriste, raprezalje të egra dhe ndërtime të dhjetëra kolonive hebraike nëpër Bregun Perëndimor e kulmoi mandej me Intifadën, që pati një faturë të mëdha civilësh sidomos në krahun e palestinezëve. Vetëm shembja e Murit të Berlinit dhe rrënimi i perandorisë sovjetike krijoi kushte për marrëveshjet e Oslos në 1993.

Këto marrëveshje erdhën si rezultat i bisedimeve të fshehta të organizuara në Norvegji midis akademikëve izraelitë dhe zyrtarëve të OçP-së vendosën një axhendë me një afat kohor pesëvjeçar për një marrëveshje të plotë paqeje, që fillimisht do të lejonte vetëqeverisje të kufizuar palestineze (Autoriteti Palestinez) në pjesë të territoreve të pushtuara dhe do të sillte gjithashtu njohje të ndërsjellë midis Izraelit dhe OçP-së. Plani i ndarjes së OKB-së i vitit 1947 u ofroi palestinezëve pothuaj gjysmën e tokës midis Jordanisë dhe detit, ndërkohë që në Oslo, gjysmë shekulli më pas palestinezët ranë dakord të merrnin vetëm 27% të territorit në kontroll. Me negociatat u kalua në një hap më lartë duke firmosur në 1995 në Taba të Egjiptit marrëveshjet e dyta të Oslos, mirëpo pak kohë pas tyre u vra kryeministri Jitzhak Rabin prej ekstremistëve hebrenj, pikërisht sepse kishte bërë lëshime e firmosur një ujdi me palestinezët.

Prej kësaj periudhe, mundësia tjetër që u shfaq për të pasur një marrëveshje paqeje ishte në vitin 2000 kur presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton, mblodhi një samit të paqes midis presidentit palestinez Jaser Arafat dhe kryeministrit izraelit, Ehud Barak në Kamp David. Propozimi që doli prej tyre e që u quajt si paketë parametrat e Klintonit konsistonin në krijimin e një shteti palestinez në të gjithë Gazën dhe 97 për qind të Bregut Perëndimor. Këtë 3% të territorit të Bregut Perëndimor, ku ishin vendosur kolonë hebrenj do kompensohej me tokë të pabanuar në Negev dhe po ashtu pothuaj i gjithë Jerusalemi i vjetër pranohej të lihej në dorë të Palestinës e të bëhej kryeqytet, ndërkohë që hebrenjtë do të mbanin vetëm pjesën hebraike të qytetit, ku përfshihet edhe muri i vajtimit të Tempullit të Malit. Arafati nuk kundërshtoi parametrat, por shtoi aq shumë kushte e hollësira të tjera që marrëveshja u shpërbë dhe ndërkaq Klintoni e përfundoi mandatin si president, ndërsa Baraku u mund në zgjedhje nga Ariel Sharon që i përkiste një krahu më ekstremist. Veprimet ekstremiste të Sharonit provokuan revoltimin e palestinezëve, duke i hapur rrugën Intifadës së Re e cila shkaktoi mijëra të vrarë nga të dyja krahët.
Klima e përshtatshme për negociata u mundësua vetëm disa vite më pas kur prej dhjetorit 2006 deri në shtator 2008, kryeministri izraelit Ehud Olmert u takua 36 herë me presidentin palestinez Mahmud Abaz, ndërkohë që paralelisht kishte takime të shumta në nivel më të ulët teknik. Në fund Olmerti propozoi një plan që në thelb synonte largimin nga pothuaj gjithë Bregu Perëndimor si dhe pranonte të hiqte dorë nga sovraniteti i Tempullit në Jerusalem, vendit më i shenjtë i judaizmit. Ai madje propozoi që në kuadrin e një marrëveshjeje paqeje, zona që përmbante vendet fetare në Jerusalem të drejtohej nga një komitet i përbërë nga përfaqësues nga pesë vende: Arabia Saudite, Jordania, Palestina, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli (pra shumicë myslimane). Plani i tij gjithashtu synonte të aneksonte 6.3 për qind të Bregut Perëndimor në Izrael, zona që janë në shtëpi për 75 për qind të popullatës hebraike të territoreve të pushtuara ndërkohë që kolonitë e tjera do të çmontoheshin dhe evokuoheshin. Këtë hapësirë të aneksuar, ai propozoi ta kompensonte me territore të tjera ekuivalente në Izrael si dhe propozoi ndërtimin e një korridori të sigurt nga Bregu Perëndimor deri në Rripin e Gazës nëpërmjet një autostrade (me shumë ura) që do të mbetet pjesë e territorit sovran të Izraelit, por në të cilën nuk do të kishte prani izraelite. Mirëpo, pala palestineze nuk iu përgjigj fare kësaj oferte, që është më bujarja e bërë ndonjëherë prej kohës së planit të OKB-së në 1947 dhe ky propozim tjetër shkoi në kosh të plehrave. Prej asaj kohe ka pasur orvatje e raunde të reja negociatash, mirëpo asnjë prej tyre mirëpo gjatë kësaj dekade të fundit nuk ka pasur asnjë plan apo projektmarrëveshje gjithëpërfshirëse që t’i afrohet përmasave të planit të Olmertit.

Rasti i shanseve të humbura të Palestinës dhe negociatave që nuk janë materializuar në paqe ka edhe një element tjetër interesant, që mund të shërbejë si leksion për ne. Liderët palestinezë që e mbanin konfliktin në jetë ishin njëherazi super të pasur e kishin leverdi materiale nga status quo-ja. Janë bërë shumë vite që palestinezët e renditin korrupsionin si problemin e dytë më të madh me të cilin përballen pas krizës ekonomike, ndërkohë që pushtimi izraelit zë vendin e tretë. Korrupsioni galopant i liderëve të partisë Fatah ka bërë që një numër gjithnjë e më i madh palestinezësh të revoltuar të shkojnë e të mbështesin Hamazin. Pas vdekjes së Arafatit, ish-ministri i tij i Financave, Salam Fayyad, pajtoi një kompani amerikane kontabiliste për të shqyrtuar llogaritë e ish-presidentit dhe të dhënat ishin tronditëse, sepse u zbulua një portofol i fshehtë me mbi 1 miliard dollarë. Bëhej fjalë për investime të Arafatit në kompani si një fabrikë shishe “Coca-Cola” në Ramallah, një kompani telefonike tuniziane dhe fonde të kapitaleve në SHBA dhe Ishujt Kajman. Edhe pse paratë për portofolin personal të Arafatit vinin nga fonde publike si taksat palestineze, pothuajse asnjëra prej tyre nuk ishte përdorur për popullin palestinez. Në vitin 2003, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) filloi të kryejë një auditim dhe gjeti të paktën dy miliardë dollarë fonde të Fondit të Autoritetit Palestinez, që mungonin dhe gjeti prova që tregonin se këto fonde janë transferuar në familjen e Arafatit në Paris. E njëjta gjë vlen për sot, lideri aktual Mahmud Abaz llogaritet se ka pasuri prej së paku 100 milionë eurosh, pa llogaritur bizneset e panumërta të djemve të tij. Muhammed Rashid, i cili ishte këshilltar financiar i Arafatit për dy dekada, por tani është një i arratisur dhe ai vetë, akuzohet se ka përvetësuar 33.5 milionë dollarë nga Fondi i Investimeve Palestineze), dhënë ky vlerësim në vitin 2012. Vetëm për një krahasim Angela Merkel sot ka një pasuri të përllogaritur prej 11.5 milionë dollarësh, ndërkohë që Abazi në deklaratat e tij të pasurisë ka folur për pasuri prej 10 milionë dollarëshe. Por, edhe kjo është ende pak qesharake, se vështirë se mund të bëhesh i pasur duke qenë një politikan në një vend të botës së 3-të, përveç se duke vjedhur apo abuzuar me pushtetin. Letrat e Panamasë nxorën të dhëna të hollësishme për llogaritë e fshehura të liderëve të ndryshëm palestinezë, përfshi këtu të njërit prej djemve të Abazit, ndërsa media dita-ditës nxjerr pronat milionëshe të fëmijëve të tij në Londër, Dubai, Aman e qytete të tjera. Është bërë traditë ndërkohë që sa herë që dalin skandale korrupsioni, Abazi e acaron retorikën anti-semite, në mënyrë që konfliktualiteti të eklipsojë abuzimet e denoncuara.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.