KULTURË

XHAMITË E SHQIPËRISË/ Nga ato që i shembëm më 1967, tek ato që i ruajtëm

13:00 - 21.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në të djathtë të namazgjahut, majë një shkëmbi të thikët në fund të një kepi të lartë, shohim xhaminë e Hizër Agait: ndërtesë e hijshme, me minaren prej guri. Poshtë saj, rrëzë hamamit, shohim xhaminë e Haxhi Muradit: tek ajo shkohet duke u ngjitur nëpër shkallë guri. Është një ngrehinë e lartë prej guri me një minare të ndërtuar bukur dhe me një burim me ujë jashtëzakonisht të lehtë. Tavani i xhamisë brenda është plot zbukurimore të hijshme”. Në vitet 1660-1670 udhëtari turk Evlia Çelebi vizitonte trojet e arbrit duke përshkruar çfarë shihte e kryesisht ndërtesat e ngritura në kohën e Perandorisë. Fjalitë e mësipërme i takojnë Gjirokastrës dhe janë pjesë e një artikulli që albanologu Robert Elsie pat botuar me shënimet e Çelebisë. Merren në vëmendje shënimet e këtij kronikani prej se sa herë që studiuesit shqiptarë kanë në duar mesjetën, sepse shpesh në kronikat e tij rrëfehen qytetet si qenë në atë kohë. Me ato kronika, është konsultuar edhe prof.Aleksandër Meksi kur ka marrë në shqyrtim xhamitë e Shqipërisë.




“Kur në gjysmën e dytë të viteve ’60 të shek. XX, të këtij shekulli paradoksal për shqiptarët, Aleksandër Meksi, ende djalë i ri, nisi hulumtimin skrupuloz dituror të xhamive tona, prapa vetes kishte si paime vetëm një specializim të shkëlqyer e njohuritë enciklopedike autodidakte. Kurse para vetes, si për një koincidencë të futjes se tij në faltoren e albanologjisë, ai u ndesh që në nisje me erën e acartë të ndalimit të fesë në 6 shkurt 1967 nga Enver Hoxha”. Botuesi Ndriçim Kulla e nisi kështu fjalën e tij për studimin e Meksit, “Xhamitë e Shqipërisë: Historia, Arkitektura, shek. XV – XIX”. Është mbrëmje në një hotel në Tiranë, kur botuesi bashkë me historianin Ferit Duka dhe studiuesin e objekteve të kultit Aleksandër Meksi, i nisin rrëfimet, diku nga mesjeta, prej ku zë fill ndërtimi i xhamive në vendin tonë. Ky punim trajton vetëm arkitekturën e xhamive dhe përbëhet prej hyrjes dhe katër krerësh. Kreu i parë, “Rrethanat historike (shek. XIV-XIX) dhe arkitektura e xhamive”, jep një tablo historike të vendit në këtë periudhë, shkallëzimin në kohë të vendosjes së pushtimit osman dhe të administratës pushtuese, rezistencën e shqiptarëve në shek. XV, procesin e islamizimit, në fillim të feudalëve vendas dhe pastaj shtrirjen e tij në popullsinë e qyteteve dhe më tej të fshatrave, fillimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe dukurinë e ndërtimit të faltoreve të kultit mysliman.
Në kreun e dytë, “Xhamitë me sallë të mbuluar me kupolë”, në rend kronologjik parashtrohen xhamitë e studiuara prej autorit dhe prej studiuesve të tjerë shqiptarë, mjaft nga të cilat u shembën dhunshëm në vitit 1967, por për të cilat ishte bërë, ndërkohë, studimi dhe dokumentimi, ndonëse në mjaft raste vetëm fillestar. Për secilin monument jepet arkitektura, të dhënat historike, datimi, krahasimet me xhami të tjera.

Në kreun e tretë, Meksi merret me “Xhamitë me sallë të mbuluar me çati druri”. Paraqiten ndërtimet e këtij tipi, mjaft të përhapura në Shqipëri, jo vetëm si ndërtime modeste e të përmasave të vogla, por dhe me vlera arkitekturore. Edhe në këtë shtjellim, ato paraqiten në rend kronologjik, të studiuara si ndërtim, vlera, krahasimi me xhami të tjera brenda vendit dhe të arealit ballkanik, si dhe datimi.
Kreu i katërt, “Karakteristika të përgjithshme të arkitekturës së xhamive të Shqipërisë, është një sprovë mbështetur dhe në klasifikimet e kolegëve tanë, për një vështrim të përbashkët të ndërtimeve të kësaj gjinie në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të jepen gjykime për ndërtimin, shtrirjen, nivelin, zhvillimin në kohë të kësaj gjinie të arkitekturës islamike, vendin e saj në ndërtimet bashkëkohore, lidhjet me gjinitë e tjera të arkitekturës, elementë të veçantë të formës dhe zbukurimorja, teknika e ndërtimit dhe vendi i saj në tërësinë e ndërtimeve të Perandorisë.

KOHË TË ERRËTA,
OBJEKTE TË SHENJTA
Në fjalën e mbajtur, botuesi Ndriçim Kulla tha se koincidon në mënyrë interesante që periudha kur A. Meksi filloi karrierën vetjake, përputhet tepër ngushtë me muajt që patën kulm ndalimin e besimit në vendin tonë. “Kështu, që krejt biografia e tij e mëtejshme 25 vjeçare në Institutin e Monumenteve të Kulturës, për të cilën punoi anë e mbanë atdheut Prof. Meksi në restaurimin e xhamive dhe kishave të braktisura, figurativisht është ajo e një banori të shkretëtirës që mbanë gjallë oazet, simbolet e jetës në të. Në qoftë se në vitin ’90 xhamitë e kishat erdhën të përgjysmuara, por që filluan të shërbenin, një meritë që rrezaton u takon mbarë atyre pishtarëve që ishin klerikët e restauruesit, që deri atëherë punonin brenda humnerës ku u zhytën bindjet fetare të popullit tonë”, tha Kulla në promovim. Ai shtoi se klerikët e pakët, që në kushte anonimitetit praktikuan ilegalisht ritet më fillestare e rastauruesit edhe më të pakët, që nën petkun e monumenteve i bënë reanimacion zemrës së gotitur të Zotit, ishin në stuhinë e diktaturës si fari i vetëm ku shpresonin shpirtrat e besimeve moneteiste.

“Në 326 faqet e sajë janë përmbledhur gati të gjitha xhamitë që gjenden tek ne. Duke shfletuar të pesë pjesët përbërëse të opusit, hyrje e të katër kapitujt, lexuesi i vëmendshëm vështron si në një kaleidoskop madhështor të faktografisë një vëllim pafundësisht të pamasë informacioni për historikun e secilës xhami, të vendosura në çdo cep të urbanistikës së pothuajse të çdo qyteti dhe qyteze tonë, gjatë një rendi kronologjik që shtrihet për skaj pesë shekujsh të ekzistencës sonë. Parakalojnë përpara syve tanë godinat të mrekullueshme të arkitekturës sonë mesjetare, që tashmë kanë zënë vend përgjithmonë në fizionominë urbane të qytetërimit shqiptar” shtoi Kulla.

NDËRTIMET E KOHËS DHE
SHËNIMET PËR TO
Në parathënie, vihet në dukje se ndërtimet e kultit mysliman me shumëllojshmërinë e tyre, zënë vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së Mesjetës së Vonë (shek. XV-XIX). Ato ngrihen në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët gjatë këtyre shekujve, si dëshmi të qarta të një periudhe të historisë së popullit shqiptar dhe të ndërtimeve në veçanti. “Studimi i tyre ka mundësuar që të kuptojmë më mirë si ndërtimet e kohës, nivelin dhe shtrirjen e tyre, ashtu dhe të dëshmojë për dukuri të tilla historike, si rezistenca ndaj pushtuesit, procesi i islamizimit të popullsisë shqiptare dhe në përgjithësi, për periudhën e sundimit osman në Shqipëri, fillimin e ngritjes ekonomike të vendit dhe, në veçanti, i qyteteve. Me këto studime është arritur të njihen më mirë dhe kontributi i arkitektëve dhe ndërtuesve shqiptarë, si në atdheun e tyre ashtu dhe në qendrat e Perandorisë Osmane”, shënon prof.Aleksandër Meksi.
Ai vëren se janë të shumtë autorët që në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të kaluar, gjurmuan dhe studiuan në terren monumentet e kultit mysliman; pas Leon Rey së bashku me Hasan Cekën, në kuadrin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, nga Burhan Strazimiri dhe autori, më pas nga Sulejman Dashi, Gjergj Frashëri. Studimet hapën një faqe të re mbi baza shkencore në historiografinë e arkitekturës. Janë botuar artikuj të shumtë për monumentet dhe punimet e restaurimit, të mjaftueshme për hartimin e një monografie për ndërtimet në këtë gjini.
“Për studiuesit shqiptarë të xhamive, themel ka qenë puna e nëpërkëmbur e të ndjerit Vexhi Buharaja, për mbishkrimet turko-arabe të Shqipërisë, ende e pabotuar në mënyrë të plotë dhe shteruese, punën e të cilit e ndërpreu famëkeqi ‘revolucion ideologjik e kulturor’, në vitin 1967, që keqtrajtoi edhe orientalistin e madh. Shpresojmë se dorëshkrimi i tij “Mbishkrimet turko-arabe të Shqipërisë, që ruhet në Arkivin e Institutit të Historisë, do të gjej dritën e botimit, për të mundësuar njohjen më të mirë edhe të kësaj faqeje të historisë sonë, por edhe për të nderuar autorin”, – thekson profesor Meksi. Ai vë në dukje se pa kontributin e tij, kërkimet tona do të ishin endur në një terren të vështirë, ndërkohë që trashëgimia arkitekturore e xhamive të Shqipërisë pësoi një goditje gati të pariparueshme nga marrëzia komuniste e vitit 1967. Madje shumë prej tyre, edhe pse ishin në mbrojtje shtetërore, u shembën barbarisht, ndërsa të tjerat që mbetën ju shembën minaret. Në botën e marrë të komunistëve nuk vlejti kuraja e studiuesve që dolën në mbrojtje të tyre.


Për studimin e ndërtimeve të kultit mysliman të Shqipërisë dhe të dhënave historike për të, me interes të veçantë, janë shënimet e udhëtarëve të ndryshëm, që gjatë shekujve të Mesjetës së Vonë kanë vizituar trevat e banuara nga shqiptarët. I pari dhe më i rëndësishmi është, pa dyshim, thotë Meksi, është udhëtari turk i shek. XVII, Evlia Çelebi, i cili, në veprën e tij “Sejahatname”, vëllimi VIII, përshkruan viset shqiptare ku ka të dhëna të shumta për jetën, njerëzit dhe ndërtimet. “Për fat të keq ende nuk ka një botim të plotë e shkencor të pjesëve përkatëse të Sejahatnamesë, që lidhen me të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët në këtë shekull. Shpresoj që edhe kjo mangësi do të kapërcehet sa më parë, ndërkohë këtë zbrazëtirë mund ta plotësojë deri diku botimi shkencor i ” Evlia Çelebi in Albania and Adjacent regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid)” (Brill 2000), by Robert Dankoff dhe Robert Elsie, i shoqëruar me faksimilet dhe transkriptimin, i cili ka qenë shumë i dobishëm dhe për ne”- shkruan profesori. Por, edhe botimi i viteve të fundit në gjuhën shqipe është një lehtësi për studiuesit. Me vlerë të veçantë është dhe botimi i shënimeve të Çelebiut për krahinën e Çamërisë nga Ibrahim D. Hoxha, që plotëson një zbrazëtirë në dijet tona për këto troje të banuara nga popullsia shqiptare, vëren Meksi. Udhëtarë të tjerë kanë sjellë të dhëna me vlerë për temën në studim, ndër ta po përmendim Haxhi Kallfën.

Sigurisht të dhënat e arkivave turke, janë një minierë ende e pashfrytëzuar gjer në fund e, sidomos, në mënyrë sistematike. Krahas tyre është dhe Arkivi Qendror i Shtetit, që edhe ai ruan mjaft dokumente me interes.
Meksi veçon se përveç studiuesve shqiptarë të këtyre ndërtimeve një vend të rëndësishëm zë dhe kontributi shumë i vyer i studiuesit holandez Machiel Kiel që për vite studion monumentet e vendeve të tjera dhe njihte botimet, të pamundura deri dje për studiuesit shqiptarë. Punimet e tij edhe sot na lehtësojnë për të saktësuar aspekte të veçanta të monumenteve, vendosjen e tyre në kohë dhe inkuadrimin në tërësinë e arkitekturës osmane. Monografia e tij për arkitekturën osmane në Shqipëri, me të dhënat e shumta që sjell, do të jetë për mjaft kohë në themel të studimeve tona. Botimi në shqip i kësaj monografie është për t’u lavdëruar.
Ndër studiuesit e huaj duhet të përmendim edhe Ekrem Hakki Ayverdi. Vëllimi IV i punimit të tij, “Avrupa’da Osmanli Mimari Eserleri, Bulgaristan, Yunanistan, Arnavudluk (Istanbul 1982)”, ka të dhëna të shumta për Shqipërinë, që duhen studiuar e shfrytëzuar krahas arkivave. Ndërkohë sapo ka dalë nga shtypi nga Mehmet Tütüncü “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” (Harlem 2017) që është një ndihmesë për studimin më të mirë të trashëgimisë arkitekturore.

“Një mangësi tjetër në studimet tona të deritanishme është përqendrimi vetëm tek ndërtimet që ruhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa u shtrirë në të gjithë trojet e banuara nga shqiptarët gjatë Mesjetës së Vonë, Shqipëria mesjetare. Shpresojmë që kjo mangësi në një të ardhme të afërt, të plotësohet dhe vetëm atëherë mund të themi se e njohim realisht dhe tërësisht këtë gjini të arkitekturës në trojet shqiptare. Ne synuam të studiojmë në këtë botim të ri të monografisë si një tërësi ndodhitë historike dhe të marrim në konsideratë, për sa mundëm, monumentet që ruhen në këto troje jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë”- nënvizon Meksi në parathënien e librit.
Duke falënderuar ata që e ndihmuan për kryerjen e këtyre studimeve në ato vite të vështira, autori shënon se botimi u paraqit i plotësuar për aq sa mundi në vitin 2007. “Në vitin 2015 pas një ripunimi duke e pasuruar me të dhëna të reja, libri u ribotua nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC). Botimi që po paraqesim është shtuar me të dhëna të reja ndërkohë të publikuara, sidoqoftë të pakta dhe që nuk prekin tërësinë, trajtimin dhe përfundimet e tij”. Meksi falënderon veçanërisht Robert Elsie, Zamir Marikën, Leon Çikën, Terens Alliun për fotot e reja që i vunë në dispozicion. “Shpresojmë se të tjerë pas nesh do të ndërmarrin studime më të plota, në të gjithë territorin e banuar nga shqiptarët në këta shekuj, së bashku me veprat e arkitektëve shqiptarë në Perandorinë Osmane e të bazuara mbi një njohje të plotë të arkivave, dëshmive të kohës dhe studimeve më të fundit”, – përfundon parathënia.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.