AKTUALITET

Ashpërsohen rregullat për duhanin, s’lejohen paketat me 10 cigare

09:37 - 22.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kohë akoma më të vështira pritet të vijnë për duhanpirësit. Kjo, pasi qeveria ka ndërmarrë disa ndryshime të tjera ligjore, që synojnë të forcojnë edhe më shumë regjimin kundra duhanit, çka sipas saj do të sjellë një reduktim të numrit të duhanpirësve edhe me 5 për qind të tjera. “Gazeta Shqiptare” zbardh nismën ligjore të Ministrisë së Shëndetësisë, me anë të së cilës propozohen disa amendamente në ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” dhe që të plotësojnë kuadrin rregullator për produktet e reja të duhanit që kanë hyrë në treg vitet e fundit si dhe ndalimin e promocionit indirekt të produkteve të duhanit. Kështu, më konkretisht një nga risitë që sjell ky projektligj është ai për ndalimin e shitjes së paketave me numër të reduktuar cigaresh, apo me alterim të shijeve. Ndryshimi konstaton në detyrimin e importuesve dhe shitësve të duhanit me pakicë që të mos shesin paketa me më pak se 20 cigare. “Ndalohet vendosja në treg e produkteve të duhanit me shije jokarakteristike. Një njësi pakete cigare duhet të përmbajë të paktën 20 cigare. Një njësi pakete duhan për dredhje duhet të përmbajë jo më pak se 30 gramë neto produkt duhani”, – propozohet në projektligj.




Sipas relacionit të ministrisë, ky detyrim pritet të reduktojë blerjen e këtyre produkteve nga konsumatorë që nuk e përballojnë dot çmimin e një pakete të plotë apo nga konsumatorë për të cilët shija karakteristike e duhanit është një element i pakënaqshëm i duhanpirjes dhe në mungesë të shijeve alternative do zgjidhnin të mos konsumonin produktin. Një tjetër risi e projektligjit është ndalimi i promocionit të indirekt nëpërmjet ngjyrave të logos së produkteve të duhanit dhe vendosjen e tyre në rafte të dukshme. “Ndalohet çdo lloj forme tjetër reklamimi i produkteve të duhanit, përfshirë promocionin indirekt përmes ngjyrave që përfaqësojnë logot e kompanive, ose promocionin nëpërmjet vendosjes së produkteve të duhanit në forma të caktuara”, – thuhet në këtë draft. Pra, sipas kësaj dispozite, dyqanet apo marketet do ta kenë të ndaluar që ta reklamojnë më duhanin në vitrina apo rafte të ndryshme. Kjo bëhet në kuadër të forcimi të kontrollit për moslejimin e promocionit dhe marketimit të produkteve të duhanit si një faktor që stimulon përdorimin e tij në popullatë. Nëpërmjet këtij projektligji, Ministria e Shëndetësisë kërkon të ndalojë edhe përdorimin e cigares elektronike dhe duhanit me ngrohje në ambiente të mbyllura duke aplikuar për të, të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhanpirjes. Gjithashtu, nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet të forcohet kontrolli i duhanit dhe të shmangen rastet abuzive. Gjithashtu, bëhet detyrimi i prodhuesve dhe/ose importuesve të produkteve të duhanit për të informuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për hyrjen në treg të produkteve të reja, që të duhanit synon të mbajë të informuar organet përkatëse për dinamikën e hyrjes së produkteve të reja në treg. Projektligji parashikon edhe forcimin e masave ndëshkuese në rast moszbatimi të ligjit, çka ka për synim të forcojë implementimin e ligjit dhe shtimin e mbrojtjes për qytetarët që ekspozohen në mënyrë të pavullnetshëm ndaj tymit të duhanit, qoftë nga produktet tradicionale, qoftë nga produkte inovative.

 

Projektligji

Çdo njësi paketimi e cigareve elektronike dhe paketim i rimbushjeve të lëngut të nikotinës duhet të përmbajë informacion mbi instruksionet e përdorimit, kundërindikacionet, paralajmërimet për efekte anësore, shkallën e varësisë dhe toksicitetin si dhe detajet e kontaktit të prodhuesit ose importuesit.

Lëngu me përmbajtje nikotine vendoset në treg vetëm kur është në mbajtëse të dedikuara për rimbushje me volum jo më shumë se 10 ml ose në formën e cigareve elektronike njëpërdorimshe me volum jo më shumë se 2 ml.
Nuk lejohet vendosja në treg e lëngut që përmban më shumë se 20mg/ml nikotinë.

Ndalohet vendosja në treg e produkteve të duhanit me shije jokarakteristike.

Një njësi pakete cigare duhet të përmbajë të paktën 20 cigare. Një njësi pakete duhan për dredhje duhet të përmbajë jo më pak se 30 gramë neto produkt duhani.

Ndalohet çdo lloj forme tjetër reklamimi i produkteve të duhanit, përfshirë promocionin indirekt përmes ngjyrave që përfaqësojnë logot e kompanive, ose promocionin nëpërmjet vendosjes së produkteve të duhanit në forma të caktuara.

Për shkelje të nenit 15 dy herë brenda një periudhe 3-mujore, subjekti i tatueshëm dënohet me gjobë sa dyfishi i gjobës së vendosura në gërmën ë/i të këtij neni.

Nëse subjekti i tatueshëm i penalizuar për herë të dytë gjendet përsëri në shkelje nenit 15 brenda një afati kohor 1-vjeçar, atëherë ndaj tij vendoset gjobë në vlerën dhjetëfish i gjobës së vendosura në gërmën ë/i të këtij neni dhe pezullim të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.