Homo Albanicus

Shqipëria e anglo-amerikanëve, njësoj si ajo e Rama-Bashës?!

19:04 - 22.03.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edmond Frank, që në kohën e luftës antifashiste njihej me pseudonimin “Trocki”, ka qenë shef i Misionit Ushtarak Britanik, i cili qëndroi për gati një vit e gjysmë në vendin tonë. Detyra e tij, ashtu si ajo e kolegëve amerikanë dhe rusë në Ballkan, ishte të ndihnin rezistencën antifashiste dhe të ofronin asistencën profesionale subversive por edhe atë operacionale në vendet e pushtuara.




“Trocki” ose Gjenerali Deivis e realizoi më së miri këtë detyrë, por arsyeja e përmendjes në këtë shkrim është se ai, si pak të tjerë, mbajti dhe shumë shënime për takimet me politikanët e asaj kohe, apo ata që do të dominonin për dekada skenën politike shqiptare, brënda dhe jashtë vendit. Tek “Aventura ilire” përpos kësaj përpjekje dhe mënyrës sesi ishte i organizuar misioni britanik, mund të kuptosh fare mirë sesi funksionim vetë ne ose liderët tanë, që u kemi ngritur piedestale. “Në Kajro më kishin udhëzuar të kontaktoja me çdo parti politike që i luftonte italianët dhe gjermanët, gjë që dukej shumë e thjeshtë. Në Shqipëri kjo çështje doli shumë e ndërlikuar dhe e vështirë”. Në këtë hulli bien sot rëndom të gjithë të huajt që merren me Shqipërinë dhe që humbasin në xhunglën e pakënaqësive por edhe në ndërlikime nga më absurdet. Shpesh marrin në kurriz fyerje por edhe epitete nga ato që nuk u shkojnë përkundrejt pakënaqësive që mbjellin prej kësaj mosnjohje, ku jo pak herë janë gabues.

“Trocki” do të tregojë se është një individ me aftësi të jashtëzakonshme, me parametra të lartë moral, por edhe një ushtarak i zoti. Ndërsa për shqiptarët e thjeshtë aty-këtu kemi vlerësime dhe respekt, nuk është i tillë me politikanët e rinj dhe ata të vjetër, që do të ngulen si heronj në librat tanë më vonë. “Unë ende nuk isha takuar me krerët kryesorë të dy partive, pasi ata s’kishin ardhur andej rrotull, por të dyja palët kishin dijeni mbi mbërritjen time dhe po planifikonin për të më takuar sa më shpejt…Në dy-tre raste ata erdhën së bashku, dhe po të mos i ndante Nikollsi me takt, do të shiheshin shtrembër. Lëvizja Nacional Çlirimtare mbante një qëndrim të tillë sikur unë isha ardhur për të ndihmuar ata, prandaj, nuk duhej të bisedoja me asnjë parti tjetër. Këtu nisën mosmarrëveshjet. Ua bëra të qartë se do të mbështetja çdo parti që do të luftonte gjermanët, dhe do të bisedoja me çdo lloj partie që dëshiroja t’i drejtohesha. Gjatë këtyre grindjeve paraprake unë nuk e kuptoja ç’armiqësi ekzistonte mes palëve, mendoja se ata grindeshin për të siguruar favoret tona, pasi kuptohej se pas nesh ishin furnizimet e Aleatëve. Mësova disa huqe të tyre, siç ishin lakmia për ushqime dhe verë. Ishin normale për një burrë të përlante gjithë gjalpin në tryezë ose të fshinte një sahan plot me reçel, ose të shtinte të gjithë sheqerin në gotën e tij…”.

Duhet të vendosemi në kohë dhe hapësirë, ndaj kemi lënë dhe përmendjen e ushqimit se në një kohë lufte: qëndrimi ndaj ushqimit tregonte dhe solidaritetin e grupit, aq të nevojshëm për mbijetesën. Të mos harrojmë se jemi në vitet e Luftës së Dytë Botërore, një tragjedi e pamatë për kontinentin dhe një luftë që dukej sikur nuk do kishte fund. Por, një gjë të bën përshtypje mbi të gjitha: “Trockit” që i duhej të lëvizë mes komunistëve të LNÇ-së, Ballit dhe Legalitetit dhe humbet kohë për t’i pajtuar dhe organizuar, ndërkohë që i duhej realisht të menaxhonte luftën ndaj gjermanëve për të gozhduar sa më shumë trupa në vend. Por Balli dhe Legaliteti shmangen dhe nuk duan bashkëpunim, ndërsa shpesh e më shpesh janë me gjermanët. Enver Hoxha i duket hileqar dhe në shumë momente nuk përshtatet, paçka se në librin e tij shumë dekada më vonë do të stigmatizohen anglo-amerikanët për mos-ndihmën!

Një gjë e kupton më mirë që me komunistët shqiptarë edhe pse janë pjesë e turbullsisë kombëtare janë shumë më kontribuues kundër gjermanëve. Legaliteti dhe Balli jo vetëm nuk luftojnë por epilogu është se vetë ata e kapën rob dhe ia dorëzuan “Trockin” pushtuesit gjerman.

Mbase nuk ia vlen të ritheksojmë vuajtjet e anglezëve që udhëtuan dhe luftuan bashkë me shqiptarët e thjeshtë. Por, një krahasim mund të bëjmë me kohën tonë dhe mënyrën sesi i përdorim ne sot kancelaritë e huaja, por edhe toni aspak human që tregojmë ndaj atyre që mundohen të ndajnë dhe rregullojnë paradokset tona.

Shqipëria e viteve 1943-1944, në kohën që Deivis rropatet maleve tona, i ngjan Shqipërisë së sotme si dy pika uji, falë atij mësimi që mbetet nga Hegeli: Historia na mëson ne se Njeriu nuk mëson kurrë nga historia. Ne i përbuzim këshillat sepse jemi jo thjesht një vend kaotik, por më shumë se kaq edhe pas tre dekadash po tregojmë pamundësi orientimi dhe realisht perceptime demokratike, që na përshfaqin një vend realisht para-demokratik. Kjo i bie më shumë në sy Aleatëve tanë dhe shumë prej grupimeve të interesit që bekuan pavarësinë tonë. (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.