OPINION

“Qeverinë që duam apo nuk duam” e rrëzojnë vetëm …socialistët

07:46 - 23.03.19 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur të vijë kjo ditë që shumica e të majtëve të mendojnë më parë e më shumë për vetveten, familjet, fëmijët e tyre, të ndjehen më së pari qytetarë dhe të ngrihen masivisht kundër qeverisë së tyre, “shtetit që duam” me kërkesa krejt njerëzore, të logjikshme e të plotësueshme, atëherë Edi Rama me shokë e shoqe mund të tremben e reflektojnë seriozisht dhe t’i kenë orët të numëruara apo të pakta në kolltukët, që po i shpërdorojnë në mënyrën më të papërgjegjshme.




Këto dy vitet e fundit partitë opozitare kanë organizuar rrallë e për mall disa protesta masive. Si në shumicën e protestave në botën demokratike, siç po ndodh e po shikohet edhe në Paris, prej rreth 5 muajsh e siç ka ndodhur edhe në Romë, Athinë, tri qytete që njihen si kryeqytete të kulturës dhe demokracisë botërore, edhe në atë të 16 shkurtit, në Tiranë, kryeqytet i një vendi me “demokraci foshnjore”, pati disa akte dhune e shkatërrimesh. Duke e vazhduar krahasimin me atë të 21 janarit 2011, organizuar nga PS dhe “udhëhequr personalisht me mençuri dhe largpamësi” nga vetë kryetari Edi Rama, protestat e opozitës mund të cilësohen edhe sfilata apo parada… mode të veshjeve, flokëve, grimit të fytyrave, bukurisë së femrave… Nejse, duhet t’i largohem kësaj hyrjeje, sepse ideja e këtij shkrimi të sotëm nuk është analiza e formës, karakterit, fryteve dhe dëmeve të protestave të opozitës… Personalisht, duke i njohur shumë mirë opozitën dhe pozitën, Edi Ramën dhe Lulëzim Bashën, mënyrat dhe format e tyre të reklamimit mediatik, të synimeve e të platformave të tyre të kundërvënies në parlament dhe jashtë tij, qysh më 6 tetor 2016, ose afro 9 muaj para gjasme zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, në analizën me titull “Edi Ramën nuk ka kush ta rrëzojë”, botuar në “Gazeta Shqiptare” dhe “Balkanweb”, jam shprehur se Edi Ramën dhe qeverinë e tij mund ta rrëzojnë vetëm vetë PS-ja në tokë dhe Zoti në qiell… Ky konkluzion mbështetej edhe në faktin se  me humbjen në zgjedhjet e  23 qershorit 2013, PD-ja, personalisht Sali Berisha, me apo pa dashje,  ia lanë pushtetin në duar Edi Ramës me shokë e shoqe, shoqëruar edhe me disa “dhurata” të tjera.  Fjala ishte, së pari, për katandisjen e PD-së si në gjendje kome dhe, për më tepër  të vendit pa opozitë të vërtetë, pa sindikata të fuqishme, të afta për përmbysje qeverish e për rrotacion qeverisës,  pa popull ose me popull të zhgënjyer nga të dy palët,  që e besonte dhe e vazhdon ta besojë  përrallën propogandistike hedhur në treg  çuditërisht” apo jo rastësisht pas 23 qershorit 2013 se “të dy palët janë njësoj”…Natyrisht, edhe më 6 tetor 2016, edhe sot, PS-ja, edhe pse e katandisur nga Edi Rama me shokë e shoqe si një magazinë votash dhe mitingashësh dhe si një nga pronat e shumta  të kryetarit, vazhdon ta mbështesë masivisht “qeverinë rilindase”. Edhe më keq, edhe piramida e  strukturave të PS-së  janë formalizuar dhe pronësuar nga Edi Rama, duke e bërë demokracinë e brendshme “një përrallë nga e kaluara e largët”. Kjo nënkupton se mund të llogaritet si i pamundur ndryshimi i lidershipit partiak dhe qeverisës nga brenda. Megjithatë, ndryshimi  që kanë sjellë koha, kriza, kolapsi shumëformësh e shumëngjyrësh, korrupsioni i pafre i disa ministrave dhe ministreshave, koncesionet e dhuruara ose oligarkëve ortakë ose askushëve 26-27 vjeçarë dhe recepsionistë, është se, sidomos në dy vitet e mandatit të dytë, një masë e socialistëve me teserë , me zemër dhe bindje, nuk   munden  t’ i përmbajnë dhe fshehin  më  pakënaqësitë, zhgënjimet, kritikat, ankesat…ndaj saj, domethënë ndaj “qeverisë që duam”. Apo se kanë 74 vjet që janë vetësakrifikuar për gjasme të majtën, pa ju kthyer prej saj as çereku i sakrificave të tyre. Mes socialistëve nuk janë të paktë ata që kanë sy, mendje, pjekuri kurajë të bëjnë një analizë të thellë e të sinqertë, afërsisht sipas kësaj logjike dhe forme. Koha ka 74 vjet qe rrjedh e ne, qe jemi peng apo robër te se majtës, jemi rrotulluar si kuajt në lëmë, pa dalë në breg apo pa u ngjitur në majë. Të fundit në Evropë ishim më 29 nëntor 1944 dhe të fundit jemi edhe sot në mars 2019. Atëherë rrinim në radhët për bukë, qumësht, mish ,vezë…, sot fëmijët dhe nipërit tanë, me gra e fëmijë, në dyert e ambasadave të SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë… për të ikur për në vende të kapitalizmit, ku përgjithësisht qeveris e djathta dhe jo drejt Rusisë, Kinës, Kubës, Koresë së Veriut, Venezuelës, Serbisë…ku kanë mbetur akoma në qeverisje “të majtat” komunisto- socialiste…

Kjo dukuri reflektimi dhe zhgënjimi  që po masivizohet në gjirin e vetë të të majtëve jep arsye dhe shkas të shpresohet  se më në fund, pas 74 vjetëve, edhe qytetarët e majtë, po fillojnë të ndjehen, mendojnë dhe reagojnë jo padisktueshmërisht si partiakë, militantë, fanatikë, votues, si tifozë të çmendur të kryetarit,  por më së pari si qytetarë, si kryefamiljarë, si prindër, gjyshër, si konsumatorë…Nënkuptueshëm, edhe  si viktima mashtrimesh dhe të plot të këqiave të përbashkëta, të hapura e të mbuluara me ndërrime etiketash dhe të datave të prodhimit dhe të skandencës, me bojëra fasadash, flamurësh, leckash e lulkash në bulevarde e festa, që nuk mund ta mbulojnë lakuriqësinë e krizës, dështimit, varfërisë, korrupsionit…Dihet se edhe shumica e socialistëve po ndëshkohen njësoj nga keqqeverisja e “rilindjes”, sepse marrin të njëjtat paga e pensione të ulta, paguajnë me të njëjtat çmime dhe me tendencë rritjeje dritat, ujin, internetin, paketat e programeve televizive, biletat në aeroportin e Rinasit, arkivolin dhe atë copë tokë apo gropë në varreza …Blejnë me të njëjtat çmime në të njëjtat dyqane e supermarkete bukën, mishin dhe sallamet, bulmetrat, peshkun, ilaçet në të njëjtat farmaci. Po kështu, lindin fëmijë, mjekohen ose…vdesin në të njëjtët spitale, sorollaten me muaj e vite njësoj në të njëjtat zyra të “qeverisë dhe të shtetit që duam”. Kudo, njësoj, të djathtë e të majtë, janë viktima e të njëjtëve politikanë dhe qeveritarë të paaftë, të papërgjegjshëm e të korruptuar, që sheikizohen me miliona dhe miliarda nga djersa, gjaku dhe taksat e tyre, nëpërmjet tenderëve dhe koncesioneve,  ndërkohë që ata si qytetarë varfërohen, sëmuren, rrënohen financiarisht dhe vdesin më shpejt e më me vuajtje nga ushqimet, biskotat, çokollatat, ëmbëlsirat, barnat, ajri, uji, bulmetrat, zarzavatet, frutat me nivele të larta hormonesh, helmesh, ndotjeje, efektesh anësore, rreziqesh…Duke i njohur mirë të afërmit e mi familjarë, shokët, miqtë me bindje dhe votë të majtë, duke u qarë  shpesh së bashku me ata për të njëjtat probleme, halle apo vuajtje, e marr me mend se nuk e kanë të lehtë ta braktisin, “divorcojnë”  partinë, qeverinë dhe krahun e tyre të zemrës, qoftë edhe  për një periudhë të shkurtër, deri sa ato të reflektojnë dhe të korrigjohen sinqerisht  thellë dhe gjerë, në pozitë apo opozitë e të meritojnë rikthimin në pushtet, pas  një rilindjeje të vërtetë. Për të bërë këtë i tremb apo pengon edhe bindja apo alibia e investuar nga propaganda partiake dhe mediatike se “të dy palët janë njësoj” duke “harruar” qoftë edhe vetëm një fakt, se çmimet e shumicës së artikujve të ushqimit të përditshëm në mars 2013, niveli i faturave të korrupsionit nëpër zyrat e ministrive dhe drejtorive të përgjithshme, të  një kilometri autostradë në terren fushor, nuk ishin kaq të larta se sa tani, në mars 2019.  Shumë prej socialistëve të thjeshtë nuk e duan më Edi Ramën, sepse janë bindur cili është, cilët ka si idhuj, si shembuj apo modele, kujt i ka shërbyer dhe cilët po privilegjon dhe miliardizon, se ka afro 6 vjet që i mashtron me premtime, që “i harron” apo hedh në koshin e plehrave  të nesërmen …Nuk “i  ngroh” apo ua shton shpresat si njeri dhe si lider as Lulëzim Basha me ekipin e tij, mbushur , njëlloj si  ekipi Rama, edhe me çuna e goca, pa CV të pasura, pa përvojë dhe besueshmëri të lartë…Basha i “lemeris” edhe nga fakti se duket dhe vepron si “nuse me shumë vjehrra” dhe jo si vetvetja. Mund të mendohet se ai e ka të vështirë të fitojë zemrat e shumë më tepër demokratëve dhe socialistëve dhe të shprehë më shumë besueshmëri për vizionin dhe aftësitë, duke qenë i rrethuar në Tiranë nga Xhaferri, Saliu, Edi, ambasadorët e SHBA-së, BE-së, OSBE-së…,dhe në Bruksel  nga Mogherini, Fleckensteini, Hahni…

Dashur pa dashur, emri, figura, prania, imazhi dhe “trashëgimia” e tij janë alibi apo “gogol” të sajuar dhe investuar nga e majta, që më shumë i dëmtojnë se sa u bëjnë mirë PD-së dhe opozitës. Realisht, këto janë arsye të forta për të nguruar ata socialistë idealistë dhe kontribuues të hershëm për PS-në, që nuk e duan më si në fillim Edi Ramën, shtetin  dhe qeverisjen e tij. E keqja e tyre dhe e jona si shumicë e qytetarëve  është mentaliteti i trashëguar nga Enveri, se të dalësh sot kundër qeverisjes së majtë, kundër “rilindjes”, kundër Edi Ramës dhe ministrave dhe ministreshave të tij dhe t’u kundërvihesh, qoftë edhe jo bashkë me opozitën, kuptohet dhe interpretohet nga “populli i majtë”,  si “tradhti e lartë ndaj partisë, pushtetit, si” koloboracionizëm me pushtuesit nazi-fashistë, me imperializmin amerikan, “socialimperializmin sovjetik”, me revizionistët jugosllave”, si sabotim i integrimit në BE”, “ reformës në drejtësi”…Ndoshta, me shprese tek ZOTI, ky mentalitet dhe ky realitet ndryshon kur shumica e “popullit të majtë” të kuptojnë dhe binden se këto janë përralla propagandistike, zinxhirë për t’i mbajtur sa më gjatë lidhur pas shpurës së politikanëve dhe qeveritarëve, pas partive dhe kryetarëve të zemrës. Dihet se mëdyshja dhe ngurrimi i një pjese të socialistëve ndikohet nga interesa jetike, jo lehtësisht të kapërdishme apo të pallogaritshme. Kanë djem dhe vajza, nuse e dhëndurë, nipër e mbesa në punë të qeverisë e të shtetit,  tek kompani me bosë deputetë socialistë apo me bindje të majtë. Kundërvënie e një njeriu të familjes ndaj qeverisjes “rilindase” nënkupton presionin, rrezikun, mundësinë apo faktin e kryer, që po atë ditë apo të nesërmen, atyre t’u komunikohet pushimi dhe largimi nga këto vende pune…Por, edhe kjo është një arsye më shumë për të dalë kundër kësaj qeverie dhe qeverisjeje, që flasin gjithë ditën nëpër vend dhe nëpër botë për shtet ligjor dhe i shkelin brutalisht me këmbët e tyre të drejtat dhe liritë demokratike më minimale të qytetarëve, që edhe zgjedhjet i kanë shndërruar në pazar votash, mandatesh, postesh, vendesh pune, tenderësh, koncesionesh…

Është e nënkuptueshme se “turma” e socialistëve të zhgënjyer nga kryeministri dhe qeveria e tij, ose fare pak e tyre, kanë dy alternativa kundërvënieje. Ose të bashkohen me “turmën” më masive të opozitarëve, ose të dalin vetëm, gjithnjë me kërkesat e tyre, si qytetarë. Ndryshe nga sa dëgjohen tek opozitarët, kryekërkesa e këtyre socialistëve nuk mund të jetë: ”Zbrit ti Rama nga kali që të hipi Basha”. Ose shprehur ndryshe:” Ik ti Rama nga timoni, që ta marrë Basha”! Jo, sipas meje, subjektivisht, pa iu imponuar, sepse ata kanë plot burra dhe gra me shumë personalitet, dinjitet dhe integritet, socialistët  e zhgënjyer  mund të kenë këto kërkesa. Mjaft na mashtrove, vodhe, përdore, turpërove, zhgënjeve, Edi Rama! Ik sa më parë, në qoftë se nuk do ose nuk di të bësh shtet, qeverisje shumë më të suksesshme, të ndjeshme, njerëzore, sociale, shumë më të ndjeshme në xhepat, frigoriferët, tavolinat tona të ngrënies, në sirtarët e ilaçeve…apo të kursimeve të pakta! Qërohu sa më parë, me shokë e shoqe, në qoftë se nuk arrin brenda një kohe sa më të shkurtër të kesh strategji shkencore afatgjatë për ekonominë, shëndetësinë dhe  arsimin me të vërtetë falas, për  kulturën, shkencën, mirëqenien, drejtësinë…, që të na punësohen djemtë dhe vajzat, nipërit dhe mbesat, nuset dhe dhëndurët, në Shqipëri dhe jo të na ikin nëpër vendet e Perëndimit kapitalist, me dëshirë të përjetshme moskthimi në atdhe…

Kur të vijë kjo ditë që shumica e të majtëve të mendojnë më parë e më shumë për vetveten, familjet, fëmijët e tyre, të ndihen më së pari qytetarë dhe të ngrihen masivisht kundër qeverisë së tyre, “shtetit që duam” me kërkesa krejt njerëzore , të logjikshme e të plotësueshme, atëherë Edi Rama me shokë e shoqe mund të tremben e reflektojnë seriozisht dhe t’i kenë orët të numëruara apo të pakta në kolltukët, që po i shpërdorojnë në mënyrën më të papërgjegjshme…Kur t’i marrin seriozisht këto “kambana alarmi”, besoj se janë aq të zgjuar të binden se duhet t’i braktisin kolltukët  nga të cilët kanë përfituar miliarda, para se të jetë shumë vonë…Koha do të vërtetojë se ikja e këtij ekipi politikanësh dhe qeveritarësh gjasme socialistë nuk do të ishte aspak humbje apo gjëmë për PS-në e parë e të vërtetë, historike, faktike dhe juridike. Në të kundërt, ajo do ta shpëtonte nga nëpërkëmbja, shfrytëzimi, diskreditimi, inkriminimi…, prej një tufe politikanësh dhe qeveritarësh, që e kanë marrë dhe e mbajnë peng prej 6 vitesh, duke e konsideruar dhe shfrytëzuar si minierë miliardash dhe privilegjesh sulltanore apo sheikore për veten dhe soi dhe sorrollopin e tyre, votash,  kartonësh, kukullash…Do ta shpëtonte PS-në edhe nga shtimi i pirgut me gabime, faje, gjëma dhe mëkate ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në më shumë se 74 vjet. Përvoja e PD-së, më 25 qershor 2013, vërteton se rotacioni qeverisës me ikje të tilla të merituara, sjell më shumë të mira se sa të këqija për vendin dhe popullin dhe për vetë partitë…

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.