MILOSAO

Kishat e kalasë së Beratit për herë të parë në një monografi të plotë

14:45 - 24.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Ka një zakon të hershëm në vendin tonë, të cilën mund ta hasësh si indikacion deri tek Hahn, ku në udhëtimet e tij, fshatarët për t’i treguar vjetërsi të vendit ku jetojnë, i tregojnë udhwtarit tw famshwm kisha dhe numër të madh objektesh kishtare. Ky zakon, rrudhur në kohë për shkak të revolucionit antifetar në vendin tonë, ishte e rrënjosur jo thjesht te pjesa e folkut por lexuesi e haste deri në sintezat e punimeve që studiues të ndryshëm vendas për të treguar identitetin kombwtar nën Perandorinë Osmane e theksonin identitetin fetar, kuptohet duke iu ruajtur ngjyresave. Për hir të së vërtetës, Perandoria Osmane krahas asaj politike që ndoqi kundër shqiptarëve nuk është se u tregua kaq e ashpër me klerin. Ky i fundit, i rrudhur në kushte jo aq të mira, jetoi mirë nën sqetullën e perandorisë.




Inxhinierët dhe studiuesit Genc Samimi dhe Dritan Çoku, dy njerëz që merren kaherë me Beratin, alias “Qytetin e Bardhë” u munduan dhe sollën për publikun ditët e fundit një libër të jashtëzakonshëm studimor në gjininë e monografisë, me një material të detajuar për kishat e qytetit të Beratit. Genc Samimi, restauratori veteran e përshkruan me kujdes këtë situatë dhe amullinë që ekzistonte para disa dekadash në kohën kur bënte punën e tij restauruese dhe konservuese në kalanë dhe qytetin e Beratit. Dhe për ta zgjidhur këtë rebus, në bashkëpunim me një studiues të nderuar të Beratit, ata arritën të sjellin një monografi me pretendime shumë të larta, botuar nga PEGI, me ndihmën e shumë dashamirëve për kulturën. Rrethanat historike të Krishtërimit dhe pastaj Kalatë janë dy seksionet bosht të kësaj monografie, që ka elementë të ilustruar deri në detaje më të imta dhe plotësuar me një kronologji fotosh shumë interesante. Autorët e nisën punën si sfidë por duket se burimin e shkruar më të madh e të rëndësishëm për idenë lidhur me numrin real të kishave e mbështetën në librin historik me titull: “Përshkrim i shkurtër historik Metropolia e shenjtë e Beligradit (Beratit)”, i botuar nga autori Peshkopi Anthin Aleksudhi.

Mitropoliti, i cili jetonte në Kalanë e Beratit në shekullin e XIX dhe që e botoi librin përshkrues në Korfuz, në një farë mënyre ezauron njohuritë që ishin deri atëherë për kishat por edhe strukturën e tyre. Siç ndodh zakonisht tek ne, shumë autorë duke iu referuar njëri-tjetrit më shumë e konfuzojnë të gjithën, pasi ishte e pamundur në vetëm 9.6 hektarë, ku ekzistonin më shumë se 150 objekte të ngriheshin kaq shumë lloje institucionesh fetare.

Autorët e fitojnë shpejt sfidën me numrat dhe pastaj hidhen në atë që i mungon realisht publikut: përshkrimit të objekteve reale dhe realisht atë imazh që i dha krenarinë e madhe qytetit të Beratit. Kishat e Beratit duket se do t’i kenë dhënë shumë mundësi konkurrence komunitetit mysliman që të ndërtonte xhami, ashtu si anasjelltas pretendimet e larta të ndërtimeve të këtij kulti ndikuan për cilësitë e veprave të ritit ortodoks… Të dy besimet, përveç dallimeve të dukshme kanë marrë dhe shkëmbyer nga njëri-tjetri por më shumë akoma janë ndikuar që të përsosin pafund arritjet e tyre. Autori do të shkruante pak vite më parë se: “Kuptohet se kjo garë bëri, që të dy besimet të ngrinin dhe legjendat urbane mesveti. Ato kapnin një spektër të ndryshëm, por në këtë vend flitet për shumë më tepër objekte kulti sa mund të jenë në të vërtetë. Një e tillë, i atribuohet për shembull, kalasë, ku besohej se ishin plot 40 kisha, një shifër që më shumë se hipotetike nuk i përgjigjet strukturës së hapësirës së kalasë. Megjithatë, paçka shifrës së fryrë të kishave duhet thënë se ato ekzistueset kanë qenë të një niveli të tillë, saqë jo vetëm e justifikojnë namin, por i japin të gjithë religjionit shqiptar një vello nderimi të pashembullt.
Do të ndaleshim më shumë në pjesën kristiane, jo për ta veçuar, por ngaqë kjo shkon më shumë me temën tonë. Sqarojmë se në Berat, këtij niveli, i është përgjigjur dhe një nivel sipëran dëshmish të tëra dorëshkrimore, që përfaqësojnë intelektin e njerëzve që i bënë ato. Është e pakët të thuhet sot se Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus O) i shekullit VI, i shkruar në pergamen të purpurt, përbën një nga fare pak kopjet e vetme të gjetura të këtij lloji, në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus), i shekullit IX, shkruar në pergamen me shkronja ari. Të shkruara në greqishte, ato u rizbuluan në kështjellën e qytetit dhe pas restaurimeve të kujdesshme jashtë vendit, sot, ruhen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë”.

Genc Samimi, që ka vite që punon në këtë qytet, por edhe më një përvojë të vyer dhe studiuesi i nderuar Dritan Çoku bën një gjë shumë të bukur sepse shkuan thellë dhe u morën realisht me dokumentimin dhe gjithçka dihet deri më sot qoftë me zbukurimin e interioreve dhe elementët arkitektonikë të kishave, ku mund të shijohet dora e artistëve vërtetë të zotë vendas dhe mbase dhe shumë të huajve syresh.

Dy autorët e mrekullueshëm Onufri dhe i biri Nikolla janë aty dhe fare të kapshëm me shfletimin që bën shumë përcjellje në forma të ndryshme përmes skicimit, fotografisë, detajit, shpjegimit të ngushtë dhe historisë të çdo objekti, ku një lexues shikon shtrirjen e gjatë të kulteve deri në periudhën paleokristiane, ku falë detaje arkitektonike si disa kolonada dhe kapitele interesante, bëhet e dukshme ekzistenca e kishave paleokristiane prej shekujve IV-VI (Shën Todri). Kishat e shekujve XIII-XIV si Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli janë të paarritshme, sa i përket elementëve dhe komplet strukturës. Dëshmi e bukur e një pune të bukur por më shumë se kaq përmbledhja e një historie e cila s’mbaron prej shekujsh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.