KULTURË

“Stenda bosh në Lajpcig? Ministria e Kulturës nuk shet libra”

14:20 - 24.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Letërsia shqipe është e pranishme në Panairin e Librit në Lajpcig nga data 21 deri 24 mars. Ka pasur një program takimesh të organizuara në stendën e Ministrisë së Kulturës, në stendën e rrjetit TRADUKI si dhe në hapësira të tjera të panairit dhe jashtë tij. Në Lajpcig janë të pranishëm edhe dy autorë të ftuar nga Ministria e Kulturës Lisandri Kola dhe Saimir Muzhaka e dy autore e përkthyese të ftuara nga rrjeti TRADUKI dhe rezidenca e përkthyesve në Berlin Lindita Arapi dhe Anrila Spahia (Ana Kove).




Por në imazhet e publikuara nga vetë Ministria e Kulturës në faqen e saj zyrtare, stenda e Shqipërisë shihet bosh, çka ka nxitur edhe kritika.

Mimoza Hysa, drejtore e librit në Ministrinë e Kulturës ka shkruar në profilin e saj në rrjetin social ‘Facebook’ se “për mungesën e librave në stendën e Shqipërisë: së pari, Ministria e Kulturës nuk ka të drejtë të shesë libra; së dyti, vetëm ekspozimi i librave në gjuhën shqipe në një panair në Gjermani nuk ka kuptim dhe është vetëm për të mbushur raftet; së treti, ka rëndësi se me çfarë koncepti shkohet në panair”. Sipas Hysës, MK-ja po përpiqet të bëjë një punë mbështetëse për prezantim dinjitoz dhe përfshirjen e autorëve shqiptarë në program me autorët e huaj përmes rrjetit TRADUKI, si dhe hartimin e katalogut të autoreve me skedën e librit në gjuhën angleze, gjë që përbën punën bazë për të tërhequr vëmendjen për autorët tanë nga shtëpitë e huaja botuese. “Kjo është mënyra profesionale për t’u paraqitur në një panair, jo mbushja e rafteve për soditje. Në panair shkohet për të tërhequr vëmendjen e botuesve të huaj, jo për të falur disa libra shqip pesë lexuesve shqiptarë që mund të rastisin aty. Së fundmi, për ata që nuk i njohin autorët e paraqitur në stendë dhe në katalog, janë thjesht fituesit e çmimeve më të rëndësishme të vitit të kaluar: nëse nuk janë të informuar është problemi i tyre. Dhe një këshillë për të rinjtë që duan të bëjnë emër në këtë fushë: emri bëhet me punë jo me sulme vend e pa vend”, e ka mbyllur Hysa sqarimin e saj.

Gjatë këtyre ditëve janë mbajtur diskutime në stendën e Traduki-t me autorët Saimir Muzhaka, Aleksandar Špatov, Christiani Wtter, me temën “Në jetën time private jam më i mirë se kaq” moderuar nga Annemarie Türk. Brenda katër mureve të tu ndonjëherë ndeshesh me diçka të pamundur. Të papritur. Rizbulon vetveten dhe ambientin rreth teje. Në tregimin e Alexander Špatov “Ditëlindja e nënës sime në Mladost Dy” (botuar në librin me tregime “Një mik i huaj”, Shtëpia Botuese Eta 2018) një bir bullgar, për herë të parë, sheh prindërit e tij me një sy të tjetër. Protagonistja – një vajzë e re – e Christiani Wtters tek “Në jetën private jam shumë më mirë se kaq”, merr shumë këshilla nga gjyshi i saj. Ndërsa tregimi i Saimir Muzhakës “I harruari” nderon nënën dhe babain e tij të harruar.

PËRKTHIMI

Ndërsa përkthimi, ishte tema e diskutimit në stendën e Shqipërisë dje me autorët dhe përkthyesit Lisandri Kola, Ana Kove dhe Mimoza Hysa.

Letrat shqipe kanë një traditë të pasur përkthimi nga gjuha e huaj, por kanë vështirësi të kalojnë letërsinë shqipe në gjuhë të huaja. Ku qëndron thelbi i kësaj marrëdhënie të vështirë? A ka shkaqe të brendshme, përveç atyre të mungesës së përkthyesve të huaj të interesuar për gjuhën shqipe, mungesës së agjencive letrare private në Shqipëri apo një pune mbështetëse nga shtëpitë botuese që botojnë letërsi shqipe? Cilat janë politikat mbështetëse për përkthimin e letërsisë shqipe? Mimoza Hysa e hapi takimin duke prezantuar katalogun në gjuhën angleze të letërsisë shqipe në Panairin e Librit në Leipzig, në të cilin përveç autorëve fitues të çmimeve të vitit të kaluar janë përfshirë dhe dy përkthyeset Ani Gjika dhe Evelyne Noyguest, të dyja finaliste për çmimet e përkthimit në dy vendet respektive të veprave të përkthyera, në Amerikë dhe Francë, gjë që dëshmon raste suksesi të rëndësishme të përkthimit të letërsisë shqipe dhe futjes në tregun e huaj të librit. Nisur nga krijimtaria e Lisandri Kolës ku gjuha dhe identiteti që mbërthehet në të është “strajca me rrënjë” apo “kryqi” që mban mbi shpinë, u shtrua pyetja sa humbet poezia dhe proza e tij nga përkthimi, sidomos po të merret parasysh përdorimi i variantit të gegnishtes në tekstet e tij. Për Lisandri Kolën varianti i gegërishtes në përkthim mbart të njëjtat vështirësi si çdo gjuhë tjetër. Dëshmi është përkthimi i suksesshëm i shumë autorëve që shkruajnë në këtë variant, për të përmendur një me shkallë vështirësie të lartë si Martin Camaj. Ana Kove si shumë autorë shqiptarë ka nisur ta përkthejë vetë poezinë e saj në gjuhën gjermane gjë që e bën më të lirë përkthimin, duke e rikrijuar.

Pyetjes nëse letërsia shqipe ka prurje të rëndësishme që meritojnë të përkthehen në gjuhë të huaj, Lisandri Kola, në rolin e studiuesit të letërsisë shqipe, iu përgjigj se letërsia shqipe është në një fazë tranzicioni estetik dhe, me gjithë prurjet e shumta ku nuk mungojnë vepra të rëndësishme, mbetet ende në kërkim të identitetit të vet në rrafshin estetik. Më pas më konkretisht u diskutua rreth mungesave të strukturave të qëndrueshme për përcjelljen e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj: si mungesa e përkthyesve të huaj të interesuar për letërsinë shqipe, gjë që kërkon edhe politika mbështetëse. Hapja e fondit të mbështetjes së përkthimit nga gjuha shqipe të mundësuar nga Ministria e Kulturës ka ndihmuar që në tre vite 16 vepra të përkthehen nga gjuha shqipe, por është e rëndësishme që nismat e mira të mos jenë sporadike, por të qëndrueshme. Për Lisandri Kolën ngritja e një sistemi nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Ministrinë e Kulturës. Rasti i rrjetit TRADUKI që përbën një shembull suksesi në këtë drejtim dëshmon se strukturat e qëndrueshme janë ndërthurje faktorësh të ndryshëm.

Ana Kove mbylli takimin me leximin e poezisë së saj të përkthyer në gjuhën gjermane.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.